600 milionë euro diferencë, Perez do fronin e madhërishëm për të kaluar edhe Bernabeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2022 | 18:43

600 milionë euro diferencë, Perez do fronin e madhërishëm për të kaluar edhe Bernabeun

Reali i Madridit dhe Eintrahti i Frankfurtit janë gati për sfidën e madhe nesër në mbrëmje, që vlen trofeun e Superkupës së Europës. Dy klubet përballen mes tyre pas 62 vitesh në një kompeticion europian. Për herë të fundit ishin përballur në finalen e Kupës së Kampioneve në vitin 1960 me triumfin e Realit 7-3.

bernabeu perez

Nëse 6 dekada më parë diferencat ishin të thella, tashmë janë edhe më të thella të paktën në numra. Skuadra e Ançelotit vlen thuajse 600 milionë euro më shumë se ajo e Frankfurtit. Reali është skuadra e 6-të më e shtrenjtë në botë (834,5 milionë euro), ndërkohë që Frankfurti është i 47-ti me 246 milionë euro. Ndërkaq, gazeta spanjolle “Marca” u ka bërë një analizë krahasuese dy presidentëve më të suksesshëm në historinë e Realit të Madridit.

Përballë janë dy figura madhore. Njëri, Santiago Bernabeu, emrin e të cilit mban edhe stadiumi ku luan takimet e veta Reali, ish-lojtar dhe ish-president i klubit në periudhën 1943-1978. Tjetri, Florentino Perez, i cili e ka drejtuar Realin në dy periudha, 2000-2006 dhe nga viti 2009 e deri më sot. Është pikërisht Perez ai që kërkon të sfidojë dhe t’i rrëmbejë fronin të madhërishmit, Santiago Bernabeu, presidenti aktual i “Los Blancos” kërkon trofeun numër 30 si drejtues i klubit.

bermnabeu perez

Santiago Bernabeu, i cili u zgjodh president i Realit nga 15 shtatori 1943 deri ditën e vdekjes më 2 qershor 1978 arriti t’i jepte këtij klubi 33 trofe madhorë, mes të cilëve 16 tituj në La Liga dhe 6 trofe të Kupës së Kampioneve, sot Liga e Kampioneve. Fundmajin e këtij viti (28.5), falë golit të Viniciusit, Reali arriti të fitonte për herë të 14-të Ligën e Kampioneve, që ishte e gjashta për Florentino Perezin, po aq sa dhe legjenda Bernabeu. Dy kupat e tjera i takojnë Realit gjatë kohës së presidencës së Lorenco Sanz (1998, 2000). Superkupa e Europës është një trofe, që mund ta çojë Perezin në kuotën e 30 të tillëve.

Florentino kërkon Superkupën e pestë si president dhe kështu do t’i afrohej edhe me një trofe më shumë Bernabeut dhe do të barazonte Silvio Berluskonin që e fitonte po 5 herë këtë trofe me Milanin e tij. Për Perezin kjo do të jetë finalja e gjashtë e Superkupës, teksa deri më tani numëron vetëm një të humbur, atë ndaj Atletikos së Madridit në vitin 2018.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"