600 mijë euro për ngjitjen në Superiore, ja si Tirana siguroi rikthimin për 365 ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2018 | 22:04

600 mijë euro për ngjitjen në Superiore, ja si Tirana siguroi rikthimin për 365 ditë

Tirana është vetëm 3 pikë larg Superiores. Praktikisht, “agonisë” në inferiore i ka ardhur fundi, megjithatë për të mbyllur matematikisht këtë kapitull u duhet edhe një fitore. Ky vit ishte pa dyshim më i vështiri për kryeqytetasit, pasi për të parën herë në historinë 97- vjeçare luajtën në Kategorinë e Parë. Duke qenë se zgjidhje tjetër nuk kishin, pranuan realitetin dhe hodhën hapin e madh drejt rikthimit. Dëshmi e superioritetit të skuadrës së Ze Marias janë veçse shifrat. Kur janë luajtur 22 javë, kanë siguruar plot 18 fitore, barazuar 3 ndeshje dhe humbur vetëm 1 ndeshje. Dhe më të frikshëm kanë golavarazhin, ndërsa e kanë gjetur 58 herë rrugën e rrjetës dhe janë ndëshkuar vetëm me 8 gola.

tirana

Përtej rregullit të përgjysmimit të pikëve, nuk e diskutuan rikthimin dhe tashmë janë +10 nga rivali më i afërt. Më mirë se kaq, vështirë se mund të bëjë ndonjë ekip. Dominimi i evidentuar në çdo fushë, shtëpi apo transfertë qoftë, ishte produkt edhe i financave. Dhe këtu “dorë” ka vetëm presidenca. Klubi nuk është kursyer aspak, pasi jo vetëm ruajtën titullarët e sezonit të fundit, por hodhën në lojë një buxhet milionerësh.

Edhe pse mund të bënin një skuadër me kosto shumë më të ulët, duke iu përshtatur skuadrave të tjera që militojnë në këtë ligë, vepruan ndryshe. Dashur pa dashur tronditën borderotë e kësaj kategorie, pasi pa frikë mund të thuhet që shpenzimet mujore të Tiranës, shumë klube të kësaj lige i përdorin për të mbyllur krejt kampionatin. Plot 600 mijë euro ka shpenzuar Refik Halili për të kthyer ekipin në mesin e më të mirëve (dhe këtu llogarisim pagat e 10 muajve, nga gushti në maj). Ndoshta shifrat mund të duken të ekzagjeruara dhe sidomos kur bën krahasim me skuadrat rivale, megjithatë klubi nuk mund t’ia lejonte vetes që të mbetej më shumë se 365 ditë në nivel inferior.

Pagat mujore të lojtarëve shkojnë plot 60 mijë euro, ndërsa nga aq sa është bërë publike, më i paguri vazhdon të jetë Majkëll Ngoo me 5 mijë euro. Në një nivel të ngjashëm është Erando Karabeci me 6 milionë lekë (të vjetër), ndërsa dy afrikanët e ardhur në dimër marrin 2.5 mijë dollarë në muaj. Buxheti sezonal rritet, pasi këtu nuk llogariten punonjësit e tjerë në ekip apo edhe kostot javore për çdo ndeshje, që lidhen me trajtimin ushqimor, udhëtimet në transferta apo akomodimi.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"