60-vjetori i argjendtë i Partizanit Europian të Lajpcigut 1958!

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 23, 2018 | 20:21

60-vjetori i argjendtë i Partizanit Europian të Lajpcigut 1958!

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Para se të mbërrijmë te ndeshjet e Turneut të Lajpcigut, të lind pyetja: si e fitoi Partizani Kampionatin e vitit 1958? Apo tjetra: çfarë skuadre ishte ky Partizan në vetë mjedisin e futbollit shqiptar të asokohe? Një herë, shumë shkurt, pata përcaktuar se ai ishte historia e madhe e të paharrueshmëve Rexhep Spahiu, Sllave Llambi, Refik Resmja, Besim Fagu, Kolec Kraja, Gani Merja, Simon Deda, Roza Haxhiu me shokë, të cilët vunë themele europiane në futbollin shqiptar.

Kjo është e saktë, por disi sipërfaqësore. E rëndësishme, por që sot, mbas 60 vjetëve, kam përshtypjen se merr një rëndësi shumë më të madhe. Dhe nën peshën e shpalosjes, sigurisht realiste, të kësaj rëndësie, do ta vazhdojmë ciklin tonë…

Titulli i Partizanit në Kampionatin historik të Besës së Kavajës…

Partizani “lajpcigas” – kësisoj po më pëlqen ta epitetizoj – që papritmas do të shndërrohej në “Nënkampion i Ushtrive mike”, do të lindte prej javës 14, e fundit e një Kampionati që përfundimtar siglohej më 29 qershor 1958. Ndeshjet që do të përcaktojnë përfundimisht fatin e titullit ishin dy: 17 Nëntori-Besa 1-1 dhe Dinamo-Partizani 2-2. Do të krijonin një renditje që nuk lëviz: Partizani – Kampion(19 pikë), Besa(18) – Nënkampione për herë të parë në histori, 17 Nëntori – i treti (17), Dinamo(16) – e katërta.

Dosier

Sot e kësaj dite, kurrë më nuk është “kompozuar” një renditje e tillë milimetrike për një Kampionat të Shqipërisë: katër skuadrat e para vetëm nga 1 pikë larg njëra-tjetrës! Dy ndeshjet vendimtare do të kishin përfundime, që të dukeshin si të urdhëruara nga një dorë e fshehtë, misterioze, tejet e interesuar për të mos ndryshuar asgjë, për të mos e prishë situatën e katërshes, situatë e krijuar në javën 13. Për fatin e historisë, nga Libri 5 i Kampionateve të Shqipërisë po marrim edhe dy skedat e dy ndeshjeve vendimtare, që na kujtojnë sot emra të pashlyeshëm të Kampionateve tona Kombëtare, të cilët sigurisht brezi i ri nuk i njeh assesi. Tek janë:

28.06.1958. Java 14. Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:
DINAMO-PARTIZANI 2-2
DINAMO: Beliu; Dashi, Rreli, Halluni; Vila, Sheshi; Tallushi, Gjyli, Jareci (Verrija 23′), Duma, Duro. TRAJNER: Z.Gjinali.
PARTIZANI: Maliqati; Deliallisi, Fagu, M.Papadhopulli; Ndini, G.Merja; Bespalla, Jashari, Kraja, Resmja, Deda. TRAJNER: R.Spahiu.
GOLAT: Jareci 11′, Resmja 40′, 41′, Vila 64′.
GJYQTARË: Sh.Gruda, H.Laçej, E.Qyrfyçe.
SHIKUES: 13.000.
29.06.1958. Java 14. Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:
17 NËNTORI-BESA 1-1
17 NËNTORI: Metani; Struga, Stërmasi, S.Merja; Llanga, Baçi; Rada, Çaushi, Shehu, Reçi, Pano. TRAJNER: M. Alla.
BESA: Sh.Topi; Tallushi (Mahmudaj), Idrizi, Simaku; Daja, S.Gjoci; Felahu, Gavardari, Gërmani, Dollia, Dimroçi. TRAJNER: S.Dedja.
GOLAT: Pano 28′, Gërmani 75′ (11-m).
GJYQTARË: A.Dodi, G.Kusha, F.Fani.
SHIKUES: 12.000.

A nuk iu bën përshtypje numri i spektatorëve 13.000 e 12.000? Çka do të thotë se vetëm në dy ndeshje kemi mbi dy herë më shumë spektatorë sesa çfarë kanë sot 5 ndeshje të Kampionatit të këtij viti 2018! Kaq poshtë kemi rënë!… Java e fundit e atij Kampionati të largët 1958 ka tre barazime, dy prej të cilëve, ato të dy ndeshjeve të mësipërme midis katër kryesuesve, që ndikojnë për të mos prishur asgjë. Barazimi i tretë, Skënderbeu-Flamurtari 1-1, vlen për të shpëtuar nga rënia në Kategorinë e Dytë ekipet e Korçës dhe të Vlorës.

Doser55

Fiton vetëm skuadra e Shkodrës 2-1 me Lokomotivën, çka shkakton shpëtimin e shkodranëve dhe rënien për herë të parë në histori të skuadrës durrsake në Kategorinë e Dytë, duke paguar përveç të tjerave, edhe rrëmbimin e dy lojtarëve të saj të talentuar, Nikolla Bespalla prej Partizanit dhe Abdulla Duma prej Dinamos. Kështu shkatërroheshin vit mbas viti skuadrat e qyteteve. Kishte shpëtuar Vllaznia e Shkodrës, e cila vinte nga Kategoria e Dytë, ndonëse kishte bërë një fillim tejet të dobët të Kampionatit, por që kishte bërë një kthesë të madhe në periudhën e dytë, me rikthimin në drejtim të trajnerit Rifat Rusi, i cili kupton se kësaj radhe vetëm lojtarët e përvojës do të mund ta shpëtonin skuadrën shkodrane.

Trajneri Rusi “rrëzon” përkohësisht rininë, tek e cila kërkonte të mbështetej fort trajneri i fillimit të Kampionatit, i shquari Isuf Pelingu, i cili vinte mbas studimeve në Hungari, çka qetëson qytetin e veriut, tejet i ndjeshëm ndaj problemeve të futbollit të Vllaznisë së tij. Shpëtimi i Vllaznisë u prit si të ishte fituar titulli kampion. Rifat Rusi, mësues i paharrueshëm edhe i autorit të këtushëm, kupton se përvoja e 32-35 vjeçarëve Muhamet Dibra, Hamdi Bakalli e Qemal Cungu ende është vendimtare. Kishte shpëtuar Vllazninë nga një rënie e dytë që do të shkatërronte njëherë e mirë edhe vetë historinë e saj. Siç e ka shkatërruar sot, më 2018, mbas plot 60 vjetëve, ndërsa shoh se nuk i bën askujt përshtypje, me në krye një nga shkaktaret e rënies së saj që është FSHF-ja e sotme me organizimin e Kampionatit Kombëtar pa asnjë mbështetje a lidhje te tradita dhe te historia…

Vetëm me kaq po i kalojmë këto histori këtu, por epilogu i këtij Dossier-i do t’i kushtohet jo pak pikërisht kësaj dukurie shkatërruese që ka mpakë sa s’ka ku shkon më Kampionatin e sotëm të Shqipërisë, të cilit i kanë vënë emrin më artificial, më pompoz e më të papranueshëm që mund t’i shkojë futbollit të sotëm kombëtar të Shqipërisë: Superliga! Edhe pse nuk ka asgjë “super”. Dhe u kthehem dy ndeshjeve vendimtare të vitit 1958, atyre Partizani-Dinamo 2-2 dhe Besa-17 Nëntori 1-1. U tha për të parën se zëvendësimi i Jarecit qysh në të 23′ ishte veprimi më i pashpjegueshëm, kur kujtoje se ai sapo kishte shënuar golin e parë të ndeshjes. Barazon Resmja mbas një gjuajtjeje me krye në të 40′, e madje pa kaluar 100 sekonda shënon të dytin. Gjyqtari Shazivar Gruda, si gjithmonë autoritar, largon nga fusha Gjylin e Dinamos për lojë të rëndë. Megjithëse me një lojtar më pak, Dinamo arrin barazimin në të 64′ me Bet Vilën, më i miri në fushë, madje në një nga ndeshjet e tij më të bukura në histori: organizator i lojës, mbrojtës, sulmues, shënues! Përfundimisht Partizani-Dinamo 2-2!

Për çudi, ndeshja zhvillohet një ditë përpara ndeshjes vendimtare për titullin, asaj 17 Nëntori-Besa, ku një fitore e Besës do ta barazonte atë në pikë me Partizanin (19) dhe çështja e titullit do të zgjidhej vetëm me një ndeshje të tretë fundore (finale) ashtu si më 1957. Për mrekullinë e kohës do të kemi të bëjmë me një lojë krejt të ndershme, një “fair play” të 17 Nëntorit, e cila, edhe pse duke qenë 3 pikë larg Partizanit i parë, nuk kishte asnjë mundësi për t’u bërë kampion, pa asnjë mëshirë nuk i lëshon pê Besës së Kavajës. Kishte qenë dita e 19-vjeçarit Panajot Pano, autor i golit në minutën e 28-të, që mbetet në histori si goli që në çastin e fundit mënjanoi Besën prej titullit në të mirë të Partizanit, i cili shpejt do të bëhej skuadra e jetës së tij. Sot mund të themi se, ndonëse jo drejtpërdrejt, ky qenka shërbimi i parë që Panajot Pano i paska bërë Partizanit. Madje, pa e veshur ende fanellën e tij.

sdda

Në të vërtetë, Besa e Kavajës për 30 minuta të tâna të pjesës së dytë, nuk përmbahet dhe me sulmin e saj të papushueshëm habit 12.000 shikuesit e “Qemal Stafës”, të cilëve me lojën e saj “iu pohon” se kishte qenë një mëtuese e jashtëzakonshme e garës për titull. Janë të sajat dy shtylla, që pasohen prej katër pritjeve të pabesueshme të Metanit. Mandej minuta e 75-të, kur gjyqtari Aristidh Dodi fikson 11-metërshin për miqtë. Eshtë Hasan Gërmani protagonist, i cili vite të mëvonshme do të bëhet trajneri mitik i skuadrës së Kavajës, ai i cili tund rrjetën.

Ndërkaq, gjyqtari Dodi nxjerr jashtë Bedri Stërmasin – një nga lojtarët emblemë të skuadrës kryeqytetase për vite të tana, i cili nuk bindet për 11-metërshin, teksa e kundërshton. Janë edhe 15 minuta lojë, e me një lojtar më tepër Besa mund të shkonte te fitorja. Por te 17 Nëntori, Enver Shehu, ai që mbas 15-20 vjetëve do të bëhej trajneri fitimtar historik i këtij 17 Nëntori, është ndoshta i vetmi që reziston, duke e shtyrë skuadrën e tij te sulmi. Ndeshja baraspeshohet dhe nuk ka më tepër se 1-1! Partizani është kampion me 1 pikë mbi Besën, por shtypi thekson se Besa e treshes unike për Kampionatin e Shqipërisë, ajo Gërmani-Gavardari-Dimroçi, meritonte fitoren. Renditja e Kampionatit partizanas 1958 është kjo:

1. PARTIZANI / Tiranë            19 14 7 5 2 27-12
2. BESA / Kavajë                    18 14 7 4 3 17-14
3. 17 NËNTORI / Tiranë          17 14 4 9 1 15-9
4. DINAMO / Tiranë                 16 14 6 4 4 28-18
5. SKËNDERBEU / Korçë       12 14 3 6 5 9-16
6. VLLAZNIA / Shkodër           11 14 3 5 6 14-22
7. FLAMURTARI / Vlorë          10 14 3 4 7 11-21
8. LOKOMOTIVA / Durrës       9 14 3 3 8 11-20

E, muaj më vonë, më 2 nëntor 1958, Partizani do të shkonte edhe te fitimi i Kupës së Republikës, siç ishte emërtuar Kupa e Shqipërisë, duke mundur në Tiranë 4-0 Skënderbeun e Korçës, që edhe pse humbje e thellë, çuditërisht ishte arritja më e madhe e skuadrës korçare qysh nga titulli i saj kampion më 1933. Finaliste e Kupës për herë të parë, për të fituar një Kupë të Shqipërisë, Skënderbeut do t’i duhej të priste edhe plot 60 vjet të tjerë kur të mbërrinte viti “ynë” 2018 i Shekullit XXI… Tek është ndërkohë, edhe pamja skeduese e finales së kësaj Kupe të Partizanit:

02.11.1958. Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:
PARTIZANI – SKËNDERBEU 4-0
PARTIZANI: Maliqati; Deliallisi, Fagu, M.Papadhopulli; Ndini, G.Merja; Kraja, Bespalla, Jashari, Resmja (R.Haxhiu), Deda.
SKËNDERBEU: Pisku; Deli, Lubonja, M.Prodani; Sholla, Pilika; E.Prodani, V.Prodani, Çela, Strati, Lara.
GOLAT: Resmja 33′, Kraja39′, Bespalla 41′, Jashari 85′.
GJYQTARË: B.Hamdiu, S.Emiri, H.Laçej.
SHIKUES: 10.000.

Çka ishte Partizani i Kampionatit 1958?… Me lakonizmin apo gjuhën e emrave, Partizani – Kampion 1958 ishte ky: Maliqati (V.File), Deliallisi, Fagu, M.Papadhopulli (F.Vogli), Ndini, G.Merja, Haxhiu (L.Shllaku), Kraja, Bespalla, Jashari, Resmja, Deda (T.Shehu). Trajner: Rexhep Spahiu. Mbas pak javëve thuajse nën këtë “fotografi”, ai do të fluturonte për në Lajpcig të RDGJ-së, pa guxuar askush të parashikonte se çka ai do mund të bënte atje. Ai ishte një Partizan Kampion për të dytin vit me radhë, Kampion për të pestën herë. Do të mënjanonte Besën ashtu siç e treguam, por për te, sidomos Dinamon, e cila në 8 vjet kishte rrëmbyer 6 Kampionate të Shqipërisë. Ai ishte një Partizan, i cili kishte kërkuar “ndihmën” e 17 Nëntorit përmes barazimit të kësaj të fundit 1-1 me Besën. I kishte lejuar vetëm vendin e tretë asaj skuadre, e cila i kishte paraqitur Shqipërisë dy futbollistë të kalibrit, 19-vjeçarët Panajot Pano e Skender Merja (Halili). Një Kampionat me vetëm 8 skuadra dhe vetëm 14 javë ndeshje.

7 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje prej një Partizani të vetëm të 27 golave të shënuar, ose diçka më pak se 2 gola për ndeshje. Në tanësi, vetëm 2.2 gola mesatarisht për çdo ndeshje, çka e bënte këtë Kampionat rekordmenin e më pak golave midis 21 Kampionateve të zhvilluara deri asokohe. Për shumëkënd, më fort se sukses i Partizanit, konsiderohej një dështim i rivales së tij të pamëshirshme të 9 vjetëve me radhë, Dinamos, e cila për herë parë e po e shihte veten kaq poshtë: në vendin e katërt. Kështu kishte nisur epoka e Partizanit, në tituj disi i harruar andej kah viti 1949, por që duke nisur nga viti 1957 dhe deri më 1965, ky Partizan do të fitonte 6 nga 7 Kampionatet e radhës. Ky i 1958-ës dukej të ishte më modesti mbase, por dhe ndër më të çmueshmit sepse këso here ai nuk ishte fituar duke mposhtur vetëm një Dinamo, por duke mposhtur edhe dy rivalë të tjerë të paparashikueshëm: 17 Nëntorin e dy zbulimeve të mëdha, Panos e S. Merja (Halili), po sidomos Besën e Shevqet Topit, Hasan Gërmanit, Qemal Gavardarit e Mit Dimroçit. I dukej si një fitore e trefishtë.

Çfarë lojtarësh kishte? Njeri më i mirë se tjetri. Ku 8 prej tyre: Maliqati, Deliallisi, Fagu, Ndini, G.Merja, Kraja, Resmja dhe Deda, sapo kishin qenë pjesë e 11-shit të Kombëtares në ndeshjen e vetmuar 1-1 me RD Gjermane. Nuk kishte qenë faji i Partizanit në vështirësinë e këtij suksesi. Papritmas, ai ishte gjendur përballë një Bese shpërthyese dhe një 17 Nëntori plot freski. Në fund të fundit, i mposhti, edhe pse ngushtë. Një 35-vjeçar ende udhëhiqte në mbrojtje, Besim Fagu, në Kampionatin e tij të parafundit, sepse do të rezistonte edhe më 1959. Çuditërisht, kësaj radhe, kapiteni ishte Refik Resmja, pesë vjet më i vogël nga mjeshtri autoritar i këtij Partizani qysh në themelim. Ishte aty edhe portieri Sulejman Maliqati, edhe mbrojtësi Fatbardh Deliallisi, i cili do të mbërrinte deri në kapiten i Kombëtares. Edhe Miço Papadhopulli që mbas gati pesëdhjetë vjetëve do të bëhej president i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Prej këtu vinte lidhja e fuqishme me dyshen e gjysmëmbrojtjes, ajo Miço Ndini-Gani Merja, e cila kishte mënjanuar nga skena e madhe mbretërimin e dyshes mesfushore dinamase, në të vërtetë gjysmëmbrojtëse në taktikën e atij futbolli, atë Shaqiri-Vila, teksa ishte ngjitur vetë në fron. Dhe prej dyshes Ndini-G.Merja merrte nisje pesëshja e sulmit: Kolec Kraja, Robert Jashari, Nikolla Bespalla, Refik Resmja, Simon Deda. Dy ishin të rinj: Jashari dhe Bespalla i rrëmbyer nga Lokomotiva, të cilët i dhanë një shpirt të ri sulmit partizanas. Natyrisht, pa prekur assesi shtyllën e sulmit, Refik Resmen – më të madhin, më elegantin, më pasionantin e lojës. Ndërkaq, dy krahët “e Shkodrës”, Kolec Kraja në të djathtë dhe Simon Deda në të majtë, ishin edhe ata gjithaq të paprekshëm, të pazëvendësueshëm me një ngjashmëri të çuditshme: të një fiziku, të një shpejtësie, të një force shpërthyese.

Emrat e tjerë jo të përhershëm nuk ishin “të vegjël”. Roza Haxhiu, i cili do të ndahej aq i ri nga jeta për t’u përjetësuar me Stadiumin “Roza Haxhiu” në Lushnjën e tij. Tomor Shehu, i cili do të bëhej një gjyqtar ndër më të mirët e Shqipërisë dhe “njëfarë” Lin Shllaku, të cilin Partizani po bëhej gati ta niste për në Shkodër nga e kishte marrë me bujë, po që nuk po e bënte titullar. Do të ishte një iluzion, megjithatë. Ngaqë edhe pse sapo i kishin bërë gati t’i jepnin fletën e lirimit, papritmas ndërrojnë mendje dhe e ndalojnë menjëherë nisjen e tij për në Shkodër. Dhe Lin Shllaku shpejt do të bëhet universali i madh i Shqipërisë, kapiteni legjendë i Partizanit dhe i Kombëtares… Partizani sapo kishte filluar kështu ciklin e tij të një sundimi të harruar të fundit të viteve ’40. Rexhep Spahiu, trajneri, një zotni nobël i Tiranës, i dinte dhe i kuptonte më fort se askush tjetër të gjitha këto.

U tha se në punën e tij kishte pedagogji dhe stërvitje, psikologji dhe maturi, synime dhe zgjuarsi. Partizani tashmâ kishte trajnerin e tij të madh, atë që e kishte kuptuar se pa përgatitje të fuqishme fizike, pa atletizëm nuk mund të shkoje as te kompaktësia, as te vendosmëria dhe as te futbolli i shpejtë sulmues. Teknika dhe taktika në fund të fundit, vareshin te të gjitha këto. A ishte i vetëm trajneri Rexhep Spahiu në gjithë këtë përgatitje? Papritmas, sot, mbas kaq vitesh zbulojmë edhe një emër tjetër të madh, i cili ka merita të jashtëzakonshme për këtë Partizan. Do ta tregojmë në shkrimin e ardhshëm këtë zbulim të sotëm, për të vërtetuar edhe një herë sentencën që thotë se historia shkruhet e rishkruhet, sepse gjithmonë dalin fakte të reja…

E rëndësishme ishte se ky vit 1958, kishte dhënë Partizanin – Kampion për herë të dytë rresht, që papritmas kishte nxjerrë në fushë Kombëtaren e harruar me tetë partizanas, që do ta çonte këtë Partizan te një turne i shkëlqyeshëm në Lajpcig të RD Gjermane përballë klubeve më të fortë të vendeve komuniste, sprova e parë e madhe e një klubi në historinë e futbollit shqiptar. Ato do të ishin medaljet e argjendta të Partizanit shqiptar – konfirmimi më domethënës i vetë këtij Kampionati të rrufeshëm të vetëm 8 skuadrave të vitit 1958. Po dhe një konfirmim disi i habitshëm i stadit të ri, në të cilin po hynte futbolli shqiptar.

Partizani do të ishte skuadra që do të përfaqësonte Shqipërinë në këtë turne të kësaj spartakiade krejt të veçantë për sportin europian me një përfaqësim historik të Ushtrisë Popullore të Republikës Popullore të Shqipërisë, i cili do të mbërrijë fundoren (finalen) dhe do të meritojë medaljet e argjendta, pra e dyta midis 11 skuadrave pjesëmarrëse, çka do të ishte një ngjarje krejt e paparashikueshme. Por le të presim edhe pak. Le t’i lëmë futbollistët, të cilët me aeroplanin sovjetik TU 104 do të udhëtojnë për në RD Gjermane. Këta “pasagjerë”, të cilët brenda pak ditëve do të shndërrohen secili në “Very Important Person” (VIP) ishin Sulejman Maliqati, Anastas Mitrushi, Fatbardh Deliallisi, Besim Fagu, Miço Papadhopulli, Fadil Vogli, Tafil Baçi, Gani Merja, Kolec Kraja, Miço Ndini, Robert Jashari, Abdurraham (Roza) Haxhiu, Refik Resmja, Simon Deda, Tomor Shehu, Selfo Baçi, Lin Shllaku me trajnerë Rexhep Spahiu e Sllave Llambi. I priste Lajpcigu. Drejt me e thënë, asnjërit nuk i shkonte ndërmend se sa lart do të mbërrinin…

(Vijon në numrat e ardhshëm)

* Për vazhdimësi shih pjesën e parë të këtij Dossier-i në “Panorama Sport” të 10 shtatorit 2018.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 






www.minuta90.com