6 vite për 6 gola, pas goleadës vjen “shtrydhja” për Tiranën e Ze Marias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2017 | 17:16

6 vite për 6 gola, pas goleadës vjen “shtrydhja” për Tiranën e Ze Marias

Tirana ka gjetur sulmin dhe skuadra po funksionon nga porta deri te “lojtari gol”. Gjashtë golat e shënuar ndaj Shkumbinit janë tregues i qartë se bardheblutë kanë gjetur ekuilibrat e duhur dhe kanë përmirësuar shumë nga një edicion më parë kur realizimi i një goli shihej si “mision i pamundur”.

tirana

GJASHTË GOLA – Për të gjetur ndeshjen e fundit kur Tirana ka realizuar gjashtë gola në kampionat, si për koincidencë duhet të rikthehesh gjashtë vite pas. një ndeshje e zhvilluar më 15 prill të vitit 2011 kundër Elbasanit ka bërë që skuadra kryeqytetase të “shpërthejë” në fushën e lojës. Takimi ka përfunduar në shifrat 6-1. Ndërsa fitorja e fundit me gjashtë gola diferencë në kampionat është regjistruar 12 vite më parë në kryeqytet, më 29 janar 2005 kundër Laçit, 6-0.

FITORET E THELLA – Goleada të tjera nga skuadra kryeqytetase janë regjistruar më shpesh në ndeshjet e vlefshme për turet fillestarë të Kupës së Shqipërisë, ku edhe rivalët janë ekipe të kategorive të ulëta ose fare pa pretendime në këtë kompeticion. E fundit në kohë, fitorja më e thellë e Tiranës është regjistruar më 15 dhjetor 2016 kundër Sopotit, 7-0 në Kupën e Shqipërisë. Më tej në kohë, triumf 6-0, kryeqytetasit kanë regjistruar përballë Bylisit sërish në Kupë. Në tetor të vitit 2011, Himara ka qenë kundërshtari i Tiranës, i cili ka pësuar humbjen 7-1. Në dhjetor 2008 dhe tetor 2006 janë regjistruar të tjera goleada të kryeqytetasve, respektivisht kundër Bylisit (6-2) dhe kundër Kastriotit (7-3).

tiran

ANALIZA – Dje, në ambientet e kompleksit stërvitor “Skënder Halili”, trajneri Ze Maria ka izoluar skuadrën në minutat e para për shkak se kishte planifikuar një analizë. Pas fitores 6-0 në transfertën peqinase, tekniku ka kërkuar largimin e mediave nga stadiumi për të zhvilluar rreth 23 minuta analizë me lojtarët në hyrje të fushës, ku është analizuar çdo aspekt pozitiv në përballje, apo edhe mangësi të vëna re nga tekniku, kur lojtarët nuk kanë zbatuar si duhet detyrat dhe ushtrimet e kryera edhe gjatë stërvitjeve. Një aspekt i analizuar ka qenë edhe momenti i 11-metërshit të shkaktuar.

STËRVITJA – Si të mos mjaftonte goleada, dita e hënë për lojtarët e Tiranës ka qenë… “shtrydhëse”. Trajneri brazilian ka zhvilluar një seancë stërvitore me karakter force, vrapime të shumta dhe ushtrime specifike.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"