“6 pikë ose nis gjobat”, Bizhdili “shkund” Besën: Jam i zhgënjyer, më premtuan kreun në dhjetor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2020 | 15:33

“6 pikë ose nis gjobat”, Bizhdili “shkund” Besën: Jam i zhgënjyer, më premtuan kreun në dhjetor

Humbja në Berat nuk është pritur mirë në Kavajë dhe sidomos prej presidentit. Gjatë një analize të zhvilluar dje, Nexhat Bizhdili ka folur me tone të ashpra para futbollistëve.

Bizhdili

Nuk i ka kursyer aspak. Dhe më shumë se vetë rezultati, ai shqetësohet nga loja e zhvilluar dhe mungesa e rasteve të krijuara. Në mbyllje të mbledhjes së zhvilluar, gazeta “Panorama Sport” foli me vetë numrin një të klubit. Ai paralajmëroi gjoba, nëse s’ka reagim.

PARALAJMËRIMI PËR GJOBA

Megjithatë, është treguar disi i matur, pasi u ka dhënë kohë deri në 2021-shin, që do të thotë se pret 6 pikë në ndeshjet me Elbasanin që luhet të mërkurën dhe atë me Lushnjën në mesin e janarit. “Është normale që pas një humbjeje të kem kritika.

Madje, u ndala në momente të veçanta të lojës dhe futbollistë të veçantë. Unë ua them në sy lojtarëve atë çfarë më shqetëson dhe pres reagimin e tyre. Nuk e mohoj se ndihem i zhgënjyer nga fakti se në 2 ndeshje morëm vetëm 1 pikë. Dhe për më tepër ua dhuruam vetë golin beratasve.

I kam kritikuar dhe u kam kërkuar futbollistëve me përvojë më shumë përgjegjshmëri në fushë. Më patën premtuar se do ta mbyllnin në vend të parë muajin dhjetor. Kjo nuk ndodhi dhe sigurisht që ka vend për analizë. Ju e dini natyrën time, nuk jam i egër dhe ndëshkues.

Kam falur me dhjetëra raste në karrierën time si president. Këtë e kam bërë jo sepse nuk e kanë merituar, por kam gjykuar se gjobat jo gjithmonë sjellin kthesën. Sot (dje) u kam thënë se dua 6 pikë në dy ndeshjet që kemi në Kavajë, atë të këtij fundviti me Elbasanin e nga takimi i parë i 2021-shit me Lushnjën pres 6 pikët. Nëse nuk ia dalin, do të ketë gjoba”, tha presidenti.

AKUZAT E BERATASVE

Nexhat Bizhdili pranon se nuk është në dijeni të incidentit të ndodhur me derën e sekretarit të klubit beratas, Ismet Ajazi. “Jam larguar menjëherë pas ndeshjes dhe nuk kam dijeni për këtë. Mund të ketë pasur shfryrje dufi prej humbjes, por sinqerisht nuk jam në dijeni.

Por, dua t’u kujtoj beratasve se më shumë se 1 herë na janë shkatërruar e thyer dyert e dritaret në stadiumin ‘Besa’ nga ekipet mike. Nuk kam preferuar të ankohem, por kam urdhëruar të riparohen dëmet”, ka përfunduar presidenti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"