6 pikë në 6 ndeshje, Oriku shkarkon trajnerin Memushi dhe emëron menjëherë pasardhësin e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2020 | 12:19

6 pikë në 6 ndeshje, Oriku shkarkon trajnerin Memushi dhe emëron menjëherë pasardhësin e tij

Shkarkohet Eqerem Memushi. Drejtuesit e Orikut kanë marrë vendimin që të largojnë trajnerin pas humbjes së pësuar në shtëpi me Partizanin B. Motivacioni vjen për mosarritje të objektivave, ndërsa është administratori Gëzim Çapo që konfirmon gjithçka për “Panorama Sport”.

eqerem memushi

“Bordi i klubit të futbollit ‘Oriku’ mori sot (dje) vendimin e shkarkimit të trajnerit Eqerem Memushi, për mosarritje të objektivave. Ne si klub kemi objektiv pozicionimin në mesin e artë të klasifikimit në grupin tonë. Por, me rezultatet e deritashme kemi rënë nën këtë vijë. Në 6 sfida të luajtura, kemi grumbulluar vetëm 6 pikë. Në këto kushte, bordi i klubit e pa të arsyeshme që të merrte vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Memushi”.

Ndërkaq, klubi nuk ka vonuar të zyrtarizojë Besmir Shabanin si trajner. Ish-futbollisti i Flamurtarit, Bylisit dhe Luftëtarit do të ulet në stolin e orikasve. “Trajneri i ri i Orikut do të jetë Besmir Shabani. Ai do të drejtojë skuadrën deri në fund të sezonit”, tha Çapo. Ndërkaq, Eqerem Memushi nuk ka pranuar të prononcohet për mediat, ndërsa qartëson se ende nuk i ka ardhur shkresa e shkarkimit.

“Drejtuesit e klubit ende nuk më kanë dhënë shkresën me urdhrin e shkarkimit nga detyra e trajnerit. Pasi ta kem, do të prononcohem duke mbajtur qëndrimin tim”, tha Memushi, që e mori drejtimin e Orikut në vitin 2019 pas shkarkimit të Artan Sakajt.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"