Zbulohen prapaskenat te Flamurtari, trajneri Sadedini penalizon mesfushorin boshnjak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2019 | 22:36

Zbulohen prapaskenat te Flamurtari, trajneri Sadedini penalizon mesfushorin boshnjak

Flamurtari nis penalizimet. Për momentin, nuk bëhet fjalë për gjoba përderisa ende lojtarët nuk e kanë bërë “sefte” me rrogat e para, pavarësisht se kontrata e firmosur me klubin i njeh edhe penalizime të tilla nëse ekipi ka rezultate të njëpasnjëshme negative ose një apo disa lojtarë kanë paraqitje të dobët. fLAMURTARI

Gjobat në vlerë monetare do të aplikohen në momentin që lojtarët të kenë paratë në dorë, por tani bëhet fjalë për të tjera ndëshkime. Masat u aplikuan qysh në ndeshjen e javës që u mbyll me Tiranën dhe do të vijojnë edhe më tej. Trajneri Dritan Sadedini e ka kuptuar që duhet të ketë një “dorë të fortë” për të ndryshuar situatën e për ta kthyer drejt rezultateve pozitive dhe këtë gjë ka filluar ta vendosë në zbatim.

I pari që e ka pësuar është boshnjaku Semir Bajraktareviç. Të gjithë u habitën se përse mesfushori nuk u aktivizua në ndeshjen me Tiranën, në një kohë që gjatë javës është stërvitur normalisht dhe për më tepër nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim, qoftë edhe në stërvitjen e fundit. “Panorama Sport” mëson se ka qenë një vendim i trajnerit Dritan Sadedini për të mos e grumbulluar mesfushorin boshnjak në ndeshjen me Tiranën. Shkak është bërë paraqitja jo e mirë e Bajraktareviçit në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë përballë Veleçikut, teksa u zëvendësua nga i riu Llapi.

Flamurtair

KTHESA – Pas barazimit me Tiranën, situata është qetësuar disi në Vlorë. Flamurtarin e kënaqte barazimi në këtë takim dhe në fakt e arriti qëllimin. Administratori Idrizi që pas ndeshjes i ka përgëzuar futbollistët për barazimin.

Gjatë një takimi me sulmuesit Xhevahir Sukaj dhe Andi Ribaj, administratori i ka përgëzuar lojtarët për këtë rezultat dhe u ka thënë që të vijojnë të shikojnë më tej. Burime pranë administratorit Idrizi bëjnë me dije për “Panorama Sport” se pret kthesën nga stafi teknik dhe futbollistët. Në këto kushte, administratori i ka lënë dorë të lirë për veprim dhe për marrje masash ndaj lojtarëve trajnerit Dritan Sadedini.

E ndërsa njihet si një drejtues që nuk hyn asnjëherë në punët e stafit teknik dhe të diktojë formacionin, Idrizi kërkon që trajneri të bëjë punën e tij, duke ulur në stol lojtarët që nuk e meritojnë formacionin. Nga ana tjetër po këto burime bëjnë me dije se asnjë nuk do ta ketë të sigurt formacionin nëse nuk japin maksimumin. Stafi teknik është i pakënaqur edhe nga disa lojtarë vlonjatë, të cilët nuk po e ndiejnë siç duhet fanellën dhe gabojnë në thuajse çdo ndeshje. Edhe ndaj tyre priten masa ndëshkuese nga trajneri Sadedini.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"