VIDEO/ Liverpuli është magjik, “manita” Evertonit në derbi dhe kryeson bindshëm Premier Ligën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 23:18

VIDEO/ Liverpuli është magjik, “manita” Evertonit në derbi dhe kryeson bindshëm Premier Ligën

Liverpuli magjik nuk njeh ndalesa! Ekipi i Klop mposhti pastër me rezultatin 5-2 Evertonin në derbin e madh të “Merseyside”.

liverpuli

Pjesa e parë ishte spektakolare në “Anfield”, ku të kuqtë e mbyllën me shifrat 4-2. Që në minutën e gjashtë, Divok Origi zhbllokoi shifrat, ku pas një pasimi perfekt të Mane, belgu kaloi mbrojtjen dhe portierin, e me portën e boshatisur shënoi golin e parë.

Në minutën e 17-të, ishte radha e Xherdan Shaqirit, që të shërbehej po nga Sadio Mane, e shqiptari me të majtën çoi topin në fundin e rrjetës.

Kin reagoi për Evertonin pak minuta më pas, duke ngushtuar shifrat në një top që mbeti në zonë. Gjithsesi, për të thelluar avantazhin mendoi Origi, i cili në minutën e 31-të uli një pasim shumë të gjatë nga Lovren, dhe e kaloi mbi portierin kundërshtar për një gol spektakolar.

origi

Fundi i pjesës së parë kishte rezervuar edhe dy gola të tjerë. Në minutën e fundit të kohës së rregullt, Sadio Mane shënoi golin e katërt për ekipin e Klop, në një goditje të fortë nga hyrja e zonës, pas një kundërsulmi vrasës.

Në minutën e 3-të shtesë, Riçarlison ngushtoi sërish shifrat këtë herë me kokë për Evertonin. Gjithsesi, ekipi blu ishte i pafuqishëm për të shënuar më shumë në pjesën e dytë. Golin e pestë e shënoi Uajnaldum në minutën e 90-të.

Me këtë fitore, Liverpuli vazhdon të mbetet në vendin e parë, me 43 pikë pas 15 takimesh, duke regjistruar vetëm 1 barazim, dhe të gjitha takimet e tjera fitore. Më poshtë ndjekin Lestëri me 35 pikë, dhe Mançester Siti me 32 pikë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"