Tension te Partizani, Gega 20 minuta “terapi” për të qetësuar Mensah (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2018 | 22:12

Tension te Partizani, Gega 20 minuta “terapi” për të qetësuar Mensah (E PLOTË)

Partizani është i përqendruar i gjithi te Laçi, ku kërkohet që lojtarët të shkarkojnë të gjitha bateritë, pasi pas kësaj ndeshjeje kanë dy javë kohë për rigjeneruar forcat. Në fillim të seancës trajneri Gega ka mbledhur lojtarët në mes të fushës stërvitore, zhvilloi një analizë të shkurtër në lidhje me gabimet e shfaqura ndaj Kastriotit, si dhe kërkesat për ndeshjen me Laçin. Fillimisht Gega ka sqaruar axhendën stërvitore për Laçin dhe më pas ka zhvilluar minianalizën.

gega mensah

Mësohet se trajneri u ka kërkuar lojtarëve të jenë më të angazhuar dhe të përqendruar, në mënyrë që të mos shfaqen gabimet e bëra me Kastriotin. Trajneri u ka kërkuar lojtarëve të shfrytëzojnë rastin kur u jepet dhe të tregojnë veten sa herë që u jepet besimi për të luajtur. Ai ka kërkuar nga ekipi një angazhim maksimal ndaj Laçit, në mënyrë që të merret suksesi i radhës në shtëpi

Zemërimi i Mensah- Pas analizës, stafit teknik i është dashur kohë që të sqarojë Emanuele Mensah, i cili në njëfarë mënyre kërkoi llogari për situatën e tij. Ganezi nuk është i kënaqur me minutat që po i jepen dhe ka kërkuar nga stafi arsyet pse nuk është titullar, pasi dëshiron që të luajë më shumë.

gega mensah1

Aq shumë kishin për të sqaruar palët, sa trajnerit Skënder Gega iu deshën rreth 20 minuta për të bindur Mensah rreth situatës së tij. Të pranishëm në këtë sqarim në mes të fushës ishin lojtari, trajneri Gega me ndihmësit e tij Mehmeti dhe Sakone, si dhe menaxheri i skuadrës, Amarildo Dajlani.

Takimi më shumë ishte si një dialog mes Mensah dhe trajnerit, ndërsa pjesa tjetër e ekipit po kryente qarkullimin e topit në kuadrat. Në përfundim të seancës, trajneri Gega në lidhje me pretendimet e ganezit për “Panorama Sport” u shpreh shkurtimisht: “Janë situata normale, pasi çdo lojtar pretendon të luajë sa më shumë. Dëgjuam kërkesat e tij dhe i sqaruam situatën duke ia argumentuar me fakte.

E kemi thënë që në fillim, te Partizani luan kush është më në formë dhe vrapon si në stërvitje dhe lojë. Të gjithë kanë të njëjtin trajtim dhe kur t’u jepet besimi duhet ta shlyejnë për aq minuta sa janë në fushë”, u shpreh trajneri Gega, i cili më herët sqaroi edhe Gojkoviçin, i cili nuk bindi në besimin që iu dha ndaj Kastriotit. Kështu që Atanda ia merr menjëherë vendin boshnjakut.

partizani-7-770x470

Seanca- Pas terapisë që i bëri Gega në fushë, Mensah iu bashku grupit dhe u përgatit normalisht me ekipin. Përpos pakënaqësisë së fillimit të sulmuesit ganez gjithçka tjetër ishte normale, ku harmonia dhe humori ishin prezent te “demat”. Në pjesën e fundit stafi zhvilloi një minindeshje brenda grupit me fushë të kufizuar. Trajneri Gega i përzjeu lojtarët duke mos e përcaktuar formacionin.

Sapo nisi ndeshja Eraldo Çinari shënon një eurogol që duartrokitet nga të gjithë lojtarët. Seanca djeshme nisi me pretendimet e Mensah, por edhe mbyllja pati lidhje me ganezin, pasi me supergolin që shënoi në fund trajneri Gega i ra bilbilit për përfundimin e përgatitjeve.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"