Revolucion total i Marotës te Interi, afrim i Kontes dhe… italianizim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2019 | 23:45

Revolucion total i Marotës te Interi, afrim i Kontes dhe… italianizim

Revolucioni i Xhuzepe Marotës po vijon sipas planeve. Brenda dhe jashtë fushe. Në harkun e pak muajve me drejtuesit e rinj, Interi ka ndryshuar shumë në nivel organizativ dhe mbeten ende disa role, edhe delikate, nën test. Duke u përqendruar në sektorin teknik, marshimi zikaltër është i rëndësishëm.

konte marota

Thelbësor guri i parë i vendosur në verë: Antonio Konte. Një nga 4-5 trajnerët më të zotë në botë i ulur në stolin e një skuadre ku kërkohet grintë, karizëm dhe aftësi të mëdha menaxhuese. Zgjedhje e fortë, e vështirë nga një pikëpamje ekonomike, duke konsideruar kontratën e majme të Luçiano Spaletit (deri në 2021-shin) dhe pagën e vetë Kontes (rreth 11 milionë euro në sezon).

Më pas u kalua te spastrimi i një grupi të konsideruar shpërthyes për disa arsye dhe u larguan Mauro Ikardi, Ivan Perisiç dhe Raxha Naingolan. Radhën e patën afrimet, një merkato solide: u morën Diego Godin, Alesandro Bastoni, Kristiano Biragi, Nikolo Barela, Stefano Sensi, Lusien Agume, Romelu Lukaku dhe Aleksis Sançez.

SULM JUVES – Objektivi i Marotës? Të qenit menjëherë konkurrues, duke u rritur teknikisht përreth një shtylle kurrizore italiane. Nga këtu “promovimet” e talenteve më të spikatur si Sebastiano Espozito dhe Lorenco Pirola, të dy të vitlindjes 2002, i pari sulmues, i dyti qendërmbrojtës. Rruga për të ngushtuar diferencat me Juventusin është akoma e gjatë, por që në janar do afrohen me siguri një mesfushor me nivel ndërkombëtar dhe një zëvendësues për Lukakun, përpara se të nisë sulmi konkret ndaj kampionëve në fuqi.

ITALIANIZIM – Në listën e Marotës dhe Kontes, për të ardhmen, ndodhen talentet të tjerë me origjinë italiane: mbi të gjithë Federiko Kieza dhe Sandro Tonali, pa harruar që Andrea Pinamonti pavarësisht largimit mbetet gjithmonë në orbitën zikaltër. Që sot Konte mund të propozonte një njëmbëdhjetëshe italiane për t’u respektuar, me modulin 4-3-3: Padeli në portë, D’Ambrozio, Ranokia, Bastoni, Biragi në mbrojtje; Barela, Sensi, Galjardini në mesfushë; Kandreva, Espoziti dhe Politano në sulm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"