Reja “kërcënon” me gjoba, grupi jo i plotë. Gjimshiti e pëson si… Strakosha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 23:00

Reja “kërcënon” me gjoba, grupi jo i plotë. Gjimshiti e pëson si… Strakosha

Ekipi kombëtar i fut bollit ka nisur nga përgatitjet për dy sfidat përmbyllëse të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Euro 2020”: ndaj Andorrës me datë 14 dhe Francës tri ditë më vonë.

kombetarja shqiperia

Ditën e djeshme kuqezinjtë zhvilluan seancën e parë stërvitore nën drejtimin e teknikut Reja dhe stafit të tij. Mungesa prej fluturimeve, lojtarë me ngarkesë muskulore të madhe, harmoni, batuta dhe risi me të rinjtë e afruar, kanë karakterizuar nisjen e punës në kompleksin stërvitor, për t’ia lënë vendin punës me seriozitet dhe përgatitjes për dy sfidat e fundit.

SITUATA 

Binte në sy mungesa e Gjimshitit që nuk mundi të mbërrinte në kompleksin “Tropikal” në kohën e duhur. Për pasojë ai e humbi seancën e parë përgatitore. Ndërkohë, edhe dy portierët Strakosha dhe Berisha nuk zbritën fare në ambientet sportive, për shkak të lëndimeve, por mësohet se ata do të jenë të gatshëm për t’iu bashkuar grupit paraditen e sotme.

kOMBETARJA

Në ditën e parë të grumbullimit stërvitje të diferencuar bënë Bekim Balaj për shkak të një dëmtimi në kofshë, si dhe Lindon Selahi e Lorenc Trashi, të cilët kryen vetëm 30 minuta përgatitje atletike për të rifituar energjitë e shpenzuara ditën e diel me skuadrat respektive. Duke nisur që nga seanca përgatitore e paradites së kësaj të marte, grupi do të jetë i plotë në dispozicion të trajnerit Eduardo Reja, që e ka konsideruar mjaft të rëndësishme ndeshjen e radhës me Andorrën.

SEANCA E PARË 

Seanca e parë përgatitore nisi rreth orës 15:30 në ambientet sportive të kompleksit “Tropikal”, atje ku janë akomoduar kuqezinjtë. Minutat e para shërbyen për t’u takuar dhe përshëndetur me njëri-tjetrit, si dhe për të shkëmbyer batuta. Manaj dhe Memolla mbërritën të fundit në ambientet sportive dhe me shaka Reja tha: “Do aplikoj gjoba për ata që vijnë me vonesë në stërvitje”. Kjo batutë bëri me turp Memollën dhe Manajn që u përpoqën të gjenin justifikime, ndërsa shkaktoi të qeshura te pjesa tjetër e grupit, stafit teknik dhe gazetarëve të pranishëm anës fushës ku më pas u krye seanca stërvitore.

kombetarja stervitja

FJALIMI 

Pas këtij episodi, Reja kërkoi që grupi të grumbullohej rreth tij për të mbajtur fjalën e rastit ku ndër të tjera kërkoi impenjim maksimal për ndeshjen e radhës me Andorrën. “Jemi këtu për të zhvilluar dy ndeshjet përmbyllëse. Ndaj Francës unë e di që nuk ka nevojë t’ju karikoj, por dua që edhe ndaj Andorrës të keni të njëjtën dëshirë për të luajtur. Duhet t’i mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme këto kualifikuese”, tha ndër të tjera numri një i Kombëtares, duke urdhëruar që të startonin përgatitjet. Në këtë seancë të parë, italiani testoi formën dhe gjendjen e lojtarëve të grumbulluar për këto dy ndeshje përmbyllëse. Pas disa minutave kuadrat, Reja vuri në praktikë disa skema të përgatitura nga ai për sfidën e radhës.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"