Ish-shefi i arbitrave: Kridens Meta vendosi derbin, ishte superpenallti për… Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2019 | 22:00

Ish-shefi i arbitrave: Kridens Meta vendosi derbin, ishte superpenallti për… Tiranën

ARSEN HOXHA

arsen hoxha

Java fundit e Kampionatit kombëtar të Kategorisë Superiore, edhe pse në përgjithësi për arbitrat ishte e pranueshme, u cenua pikërisht në ndeshjen më të rëndësishme të saj: Tirana–Partizani. Mosveprimi i arbitrit Meta, asistentit Avdo dhe arbitrit ndihmës pas porte, Koçi, ndikuan direkt në rezultatin e lojës.

Ka mjaft raste ku shkeljet nga ana e mbrojtësve janë të lehta, të maskuara apo në pozicione jo të përshtatshme, që në vendndodhjen e arbitrave mund të dalin jashtë këndvështrimit të tyre, por që të mos ndëshkohet një rast flagrant si ai i ndërhyrjes së mbrojtësit të Partizanit ndaj sulmuesit të Tiranës, atëherë kjo ka nevojë për një analizë profesionale tepër të thellë nga ana e komisioneve përkatëse.

hasani penalltia boldor

Në fotot 1, 2 dhe 3 duket qartë se lojtari mbrojtës në mënyrë graduale nga prapa pengon lojtarin sulmues të marrë pjesë aktive në lojën për topin që është duke ardhur në drejtim të tij. Pra, pengimi ka qenë plotësisht i qëllimshëm dhe nuk ka të bëjë me një luftë të presupozuar për zotërimin e topit, sepse ai është ende larg prej të dy lojtarëve. Vetëm ky akt mjafton që të vërshëllehet për një penallti të pastër.

Në fotot 4, 5 dhe 6, pikërisht kur topi vjen mbi kokën e sulmuesit tiranas, ai është i neutralizuar forcërisht dhe plotësisht nga lojtari mbrojtës për të qenë aktiv. Veprimet e mbrojtësit zgjasin aq shumë në kohë, sa e mbajnë sulmuesin edhe kur ai është duke u rrëzuar në tokë. Pra, kemi të bëjmë me një super penallti, që ndikoi direkt në rezultatin e lojës. Shpjegimet se ky rast nuk u ndëshkua nga arbitri, pasi ai këtë standard përcaktoi që në fillim, duke mos ndëshkuar për mbi dhjetë raste të tilla gjatë gjithë ndeshjes, është joprofesional.

tirana partizani kridens meta

Asnjë arbitër nuk mund të vendosë standarde që nuk përputhen me ligjet e lojës. Ajo që rregullorja kërkon me forcë nga të gjithë arbitrat, është që të gjykojnë me objektivitet të gjitha shkeljet, pavarësisht se janë minutat e para apo ato të shtesës. Pavarësisht nëse është një ndeshje e zakonshme apo me shkallë të lartë vështirësie.

Praktika ka treguar se kur një arbitër lë pa ndëshkuar raste të rënda që në minutat e para të lojës, ai kurrë nuk ka për të qenë i aftë t’i frenojë ato më vonë. Në njëfarë kuptimi, ai bëhet jo vetëm i keqi i ndeshjes, por edhe i vetes së tij. Rasti i Metës është treguesi më i pastër i asaj që thamë më sipër. Kur thuhet se afërsisht edhe në dhjetë raste të mëparshme, ai i la pa ndëshkuar ato, ky nuk mund të jetë një justifikim, përkundrazi, Metës, dhe çdo arbitri tjetër që vepron në këtë mënyrë, i duhet thënë hapur se ai gaboi në njëmbëdhjetë raste, që do të thotë se nota e tij nuk mund të jetë më shumë se 5. Kjo, sepse rasti i fundit nuk ishte si të tjerët. Ai ndikoi direkt në rezultatin e lojës.

Kohët e fundit, nga specialistë apo gazetarë të ndryshëm po flitet për mënyrën se si arbitrat anglezë i drejtojnë ndeshjet e futbollit dhe në disa raste etiketojnë si të tillë edhe ndonjërin prej arbitrave tanë, që lë pa ndëshkuar raste të ndërhyrjeve të dënueshme…!

ngo tirana partizani

Futbolli, qysh prej fillimit zyrtar të tij, është konsideruar si një lojë force. Motoja ishte që arbitrat detyroheshin të lejonin lojën e fortë dhe burrërore, si dhe avantazhin. Ishte ky treguesi kryesor që përcaktonte edhe klasin e kualifikimit të tyre. Por, në prag të fillimit të Kampionatit Botëror të vitit 1990, që u zhvillua në Itali, për të evituar dëmtimet e shumta fizike që u evidentuan në kampionatet e mëparshme, FIFA orientoi një mënyrë tjetër gjykimi, ku në plan të parë u vendos ruajtja e shëndetit fizik të lojtarëve. Gjyqtarët u orientuan të ishin shumë më veprues edhe në shkeljet më të vogla që dëmtojnë apo mund të dëmtojnë shëndetin e lojtarëve, madje u vunë edhe elemente kufizuese në lejimin e lojës së avantazhit.

Për hir të së vërtetës, në disa prej shteteve është zgjedhur një rrugë e mesme. Më e theksuar, kjo është në futbollin anglez. Por për këdo që e ndjek me vëmendje mënyrën e gjykimit të arbitrave anglezë, e kupton shumë shpejt se ata e lejojnë ende, në mënyrë më të zbutur se dikur, lojën e fortë dhe burrërore, si dhe avantazhin.

E megjithatë, ata nuk lënë pa ndëshkuar asnjë rast që përbën shkelje të rregullave të lojës. Ndryshimi midis lojës së fortë dhe burrërore nga loja e rëndë dhe e dënueshme, është se janë dy gjëra krejt të ndryshme që dallojnë si nata me ditën. Mosndëshkimi me penallti i rastit në ndeshjen Tirana–Partizani është një gabim i rëndë i të tre arbitrave që u ndodhën në atë anë të aksionit, por ndërkohë i pafalshëm për arbitrin e qendrës, që është përgjegjësi kryesor i ndeshjes.

Arbitri Kridens Meta, me të cilin punuam disa kohë së bashku, por edhe me atë që unë e kam ndjekur nga java në javë, është padyshim arbitri më i përgatitur profesionalisht që ne kemi, por ndërkohë edhe me besueshmëri moralo-sportive të lëkundur. Për vetë moshën, atij nuk i ka ngelur dhe shumë kohë në dispozicion për të rregulluar këtë raport të zhdrejtë që ekziston brenda tij. Prandaj, sa më shpejtë që të ndryshojë, aq më mirë do të jetë për emrin e karrierës së tij arbitrare.

Ndërkohë, përvoja e madhe dhe kultura e tij qytetaro- sportive nuk duhet ta lejonin atë që ajo banderolë e turpshme e vendosur nga llumi i shoqërisë shqiptare, të qëndronte e afishuar qoftë edhe për një sekondë të vetme. Në mënyrë kategorike nuk duhet lejuar fillimi i një ndeshje nëse ka afishime të tilla dhe duhet ndërprerë menjëherë loja nëse ato vendosen gjatë zhvillimit të saj. Në atë ndeshje, veç delegatit, që mban përgjegjësinë kryesore për këto çështje, përgjegjësia është direkte edhe për gjashtë gjyqtarët si dhe vëzhguesin e ndeshjes, sepse ata ishin pjesa më e përzgjedhur që FSHF- ja u kishte besuar mbarëvajtjen e një ndeshjeje aq të rëndësishme.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"