“Merita është e profesorit”, Blerim Krasniqi: Si na ringjalli trajneri Daja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2019 | 22:18

“Merita është e profesorit”, Blerim Krasniqi: Si na ringjalli trajneri Daja

Skënderbeu kërkon vijimësinë në kampionat, i shtyrë më tej edhe nga fitoret radhazi, sidomos e fundit që u arrit përballë Tiranës. 

blerim krasniqi

Në kushte të tilla, sulmuesi kryesor i bardhekuqve, Blerim Krasniqi, kërkon që të vijohet me të njëjtin motiv edhe në ndeshjen tjetër përballë Teutës, duke përfituar disi edhe nga forma jo e mirë që janë duke kaluar durrsakët në këto javë të fundit.

Sulmuesi 23- vjeçar, në deklaratën e tij për “Panorama Sport” është shprehur i kënaqur për fitoren e fundit ndaj bardhebluve, pavarësisht se erdhi pa spektakël në fushë. Por, në këtë pikë të kampionatit më i rëndësishëm është rezultati sesa loja, duke parë edhe kushtet se si po ndryshon renditja javë pas jave.

Skenderbeu festa

“Fitorja me Tiranën ishte mjaft e rëndësishme, edhe për vetë faktin se kjo fitore na çon lart në renditje, plus që ishte edhe një ndeshje përballë një kundërshtari të fortë në këtë sezon. Ne e kërkuam me çdo kusht këtë triumf dhe pas trepikëshit në Ballsh, na duhej mjaft kjo fitore tjetër, për të përmirësuar ndjeshëm pozitën në tabelën e klasifikimit. Për fat të mirë erdhi, edhe pse me një lojë jo shkëlqyese sikundër jeni mësuar të shihni nga Skënderbeu.

Në kushte të tilla, mund të them se kjo lojë që bëmë ndaj Tiranës duket se na shkon shumë përshtat dhe pa dyshim është merita e trajnerit Ilir Daja për këtë gjetje që na rikthen qetësinë dhe besimin për të vijuar më tej. Na duhet të pranojmë se në ndeshje të caktuara është më mirë të jemi të sigurt mbrapa dhe të tregohemi pragmatistë, sesa të synojmë një fitore me dominim ndaj kundërshtarit”, u shpreh fillimisht sulmuesi Krasniqi për gazetën.

SUKSESI ME TEUTËN

Më pas 23-vjeçari u ndal edhe te ndeshja e radhës në kampionat, përballë Teutës dhe domosdoshmëria e marrjes së pikëve në javët në vijim.

“Ndaj Teutës do të mundohemi që të vijojmë me rezultatet pozitive, pasi kemi edhe nevojë për pikë që të fitojmë njëfarë sigurie dhe qetësie për javët në vazhdim. Ky kampionat po tregon se me një humbje je sërish në pozicion delikat, ndërsa një fitore të çon në zonën e Europës. Këtë e them për nga mënyra se si ka ndryshuar renditja në të paktën pesë javët e fundit. Mund të them se ndeshja e radhës përballë Teutës mbetet mjaft delikate dhe e vështirë, por duhet të shfrytëzojmë në maksimum faktin që kundërshtari nuk është se po kalon një formë të mirë në këto momente dhe ne jemi të karikuar moralisht për shkak të fitoreve radhazi.

Gjithsesi, në rrethanat e fundit mbetet një ndeshje e vështirë që do të kërkojë mjaft impenjim. Ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin, por besoj se duhet të përshtatemi edhe me faktin se nga një ndeshje e caktuar mund të jemi të kënaqur edhe nëse marrim pikë, ndonëse nuk janë maksimale”, përfundoi Blerim Krasniqi.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"