“Mëkat me stadiumin”, Abilaliaj: Flamurtari i avantazhuar për të rënë nga kategoria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2019 | 22:01

“Mëkat me stadiumin”, Abilaliaj: Flamurtari i avantazhuar për të rënë nga kategoria

Flamurtari u mbylli dyert tifozëve. Qytetarëve vlonjatë iu hoq e drejta që të ndiqnin ekipin e zemrës dhe kjo pas një vendimi absurd që mori Sinan Idrizi.

Abilaliaj

Kjo gjë ka habitur edhe Arbër Abilaliajn, i cili e shikon një rast të paprecedent mbylljen e stadiumit “Flamurtari” për tifozët. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i vlonjatëve e quan mëkat të madh vendimin e marrë. Ai i bën thirrje Bashkisë së Vlorës që të marrë në dorë fatin e ekipit, ndërsa e shikon tejet të vështirë rrugëtimin e skuadrës në këtë sezon.

Klubi vendosi që të mbyllte stadiumin “Flamurtari”, duke u hequr tifozëve të drejtën për të parë ekipin e zemrës. Si e komentoni këtë veprim?

Mbyllja e stadiumit është e paprecedentë. Mendoj se nuk kishte pse të shkonte situata deri në mbyllje dyersh. Në fund të fundit, futbolli luhet për njerëzit.

arber abilaliaj

Mbani mend ndonjë situatë të ngjashme gjatë karrierës suaj?

Deri sa kam qenë futbollist në Shqipëri, nuk besoj se ka ndodhur ndonjëherë. Është një mëkat i madh. Pse të arrihej deri këtu, pasi në Vlorë nuk ka pasur ndonjëherë problem tifozërie… Prandaj mbeta pak i habitur kur e mora vesh. Gjithsesi, ishte një vendim shumë drastik për të mbyllur dyert.

Barazimi me Laçin “ngroh”, a mund të quhet si një pikë kthese?

Laçi ka qenë gjithnjë kundërshtar i vështirë. Fakti që i morën pikë mendoj se është gjë e mirë. Është një sinjal pozitiv për djemtë e rinj që luajnë.

abilaliaj-700x470 (1)

A ju bind përbërja e Flamurtarit?

Ka disa lojtarë, sidomos të rinjtë kanë cilësi të mira. Por, mendoj se kampionati është shumë më i vështirë dhe i gjatë. Në këto kushte, Flamurtari do ketë shumë probleme.

Si duhet të zgjidhen problemet që po has klubi?

Bashkia duhet të ndërhyjë, sepse nuk është gjë e lehtë për pronarin e klubit ta shikojë Flamurtarin në fund të tabelës dhe sidomos në një qytet si Vlora.

Sa të mundshme e shikoni kthesën e ekipit?

Uroj shumë që të vijë kthesa dhe ekipi të fillojë të marrë disa rezultate pozitive, që do t’i jepnin frymëmarrje. Por, e di që është shumë e vështirë.

E rrezikon rënien ky Flamurtar?

Në këto kushte, patjetër. Tani që kemi parë të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore se si luajnë dhe sa potencial kanë, ka një lloj droje. Flamurtari është më pak i avantazhuari nga të gjithë, për shkak edhe të të gjitha problemeve që tanimë i dimë.

Janari a mund të sjellë ndryshime?

Janari është shumë larg. Të njëjtin start negativ pati edhe Kastrioti vjet në pjesën e parë të sezonit. Nga janari bënë mirë, madje më mirë se edhe vetë Partizani që doli kampion, por prapë nuk arriti t’i shpëtojë rënies. Uroi që mos të ndodhë e njëjta gjë me Flamurtarin.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"