“Kemi fituar trofe bashkë”, Duro nostalgjik për Shkëmbin: Fushë e keqe, do të vuajë edhe Teuta…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2019 | 9:58

“Kemi fituar trofe bashkë”, Duro nostalgjik për Shkëmbin: Fushë e keqe, do të vuajë edhe Teuta…

Fitorja kundër Tiranës është lënë pas tashmë nga Kukësi. Drejtuesit dhe skuadra duan që ta vlerësojnë njësoj dhe sfidën ndaj Teutës, të cilën e konsiderojnë rivale direkte. Është trajneri Shpëtim Duro, i cili në një intervistë për “Panorama Sport”, flet për sfidën. Ai e konsideron të veçantë atë për të dy trajnerët. Fiton “profesori” apo “nxënësi”, kjo mbetet për t’u parë, por të dy e duan triumfin.Duro

Trajneri Duro e cilëson si të veçantë këtë ndeshje në këtë aspekt dhe vlerëson ish-lojtarin e tij, Bledi Shkëmbin. Natyrisht, ai kërkon shumë prej futbollistëve të tij dhe pohon se është i kënaqur me Abazajn, Shkurtajn e Gavazajn. E ka fjalën për gjendjen e tyre psikologjike dhe sportive.

Luani në Durrës, çfarë ndeshjeje prisni dhe cili është vlerësimi juaj për kundërshtarin?

Luajmë përballë një kundërshtari që e vlerësojmë shumë dhe e konsiderojmë rival direkt. E vlerësojmë ndeshjen me Teutën njësoj si ndaj Partizanit dhe Tiranës për vetë pozitën që ky ekip ka në tabelë.

Do të keni përballë një trajner që e keni pasur lojtar. Do të mendoni një mënyrë tjetër loje, duke qenë se Shkëmbi ju njeh mirë apo nuk do të ndryshoni?

Është diçka e veçantë që përballem për herë të parë me Shkëmbin si trajner. Kemi kaluar një periudhë shumë të mirë bashkë te Besa, kemi dal nënkampionë dhe kemi fituar Kupën në 2010-ën. Por më pas kemi dalë kampionë me Skënderbeun. Konsiderata ime është shumë e lartë për Bledin si futbollist, por dhe si trajner, sepse ai po bën punë shumë të mirë me Teutën.

Në këtë javë mund të përfitoni edhe më tepër pasi luhet derbi, besoni se do të jeni ju të parët?

Patjetër që derbi TiranaPartizani është e rëndësishme, por ne shikojmë sigurisht punën tonë. E rëndësishme është që ne të luajmë e të marrim rezultatin që duam, pasi dhe kjo është një ndeshje që e konsideroj ndaj një rivali.

Nga cilët lojtarë prisni më tepër në këtë ndeshje?

Në të gjitha skuadrat që kam qenë, unë jam bazuar te forca e grupit. Por natyrisht që pres shumë edhe nga individë të veçantë. Kemi vlera dhe cilësi në skuadër, të cilat duhet t’i shkrijmë tërësisht me grupin në fushë.

Mendoni se sulmi do të shpërthejë ashtu si ndaj Tiranës?

Patjetër që jam i gëzuar që dhe psikologjikisht lojtarë si Abazaj, Shkurtaj e Gavazaj ishin shumë mirë ndaj Tiranës, gjë e cila shpresoj që të vazhdojë dhe të ndikojë pozitivisht në vazhdimësinë e kampionatit.shpetim duro

Ju shqetëson gjendja e fushës në Durrës?

E di që fusha e Durrësit nuk është si fushat që kemi luajtur kundër Partizanit apo Tiranës. Besoj se fusha nuk është në gjendjen më të mirë, por ky është një problem edhe për Teutën, pasi dhe ata luajnë mirë me topin.

Keni një parashikim për derbin?

Unë jam një trajner i shumë derbeve… Ndeshja ndaj Tiranës është e veçantë, fundja derbi nuk parashikohet. Shanset janë 50 me 50, por kjo do shikohet sesi do e interpretojnë dhe do shfaqen ekipet në ndeshjen në fushën e lojës. Më pas do të shihet sesi do e interpretojnë ndeshjen taktikisht në favorin e tyre. Jam i bindur, duke parë edhe orarin e takimit, se kjo sfidë do jetë mjaft interesante, një takim mjaft i bukur për t’u parë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"