Kashami analizon Kategorinë e Parë: Apolonia, “violinë e parë” në grupin B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2019 | 21:28

Kashami analizon Kategorinë e Parë: Apolonia, “violinë e parë” në grupin B

Ndriçim Kashami është ndër emrat e rinj të trajningut shqiptar. Dikur numri 2 i stolit të Besës, pastaj me Luzin, ku bëri bujë me fitoren ndaj Tiranës në Kupë, për të vazhduar me Apoloninë sezonin 2017-2018, ku fierakët zunë vendin e 3-të, dhe më pas Besëlidhjen.

ndricim kashami1

Trajneri 49- vjeçar ka gati firmën për të drejtuar një ekip të Kategorisë së Parë, duke nisur ndoshta që sot. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Apolonisë jep opinionet e tij mbi disa problematika të futbollit shqiptar, kryesisht të Kategorisë së Parë.

Kashami, ka ndryshuar struktura e Kategorisë së Parë, spostime nga Grupi A në B dhe anasjelltas. Nuk ka më përgjysmim pikësh pas fazës së dytë. Mendimi juaj?

Në pamje të parë, ka një handikap te “transiti” i Shënkollit nga Veriu në Jug sezonet e fundit. Kthimi vjet në Grupin A, ku luante edhe Besëlidhja, ka qenë thjesht një justifikim i pamotivuar sportivisht, nisur thjesht nga opinioni në letër që Vllaznia kishte supermaci në atë grup dhe Shënkolli nuk mund të ndikonte në garë.

Por, logjika pa një argument nuk ka vend as në futboll dhe mbase ky vendim për ndarjen e Shënkollit nga grupi ku luan Besëlidhja, është i duhuri. Duhet menduar mirë shpërndarja gjeografike Jug-Veri, pasi ka ekipe me buxhet të limituar. Sa i përket formulës së re pas fazës së dytë në Kategorinë e Parë, mendoj se është zgjidhje më e mirë se ajo që ka qenë kaq vite.

Katër skuadra që garojnë për në Superligë, edhe pse mbarojnë shpejt, me shumë më pak javë se pjesa tjetër e tabelës, rrit konkurrencën dhe e bën garën shumë më të fortë. Shpresoj që kështu të ndodhë edhe me skuadrat e mbijetesës, ndonëse shtimi i numrit të tyre nga 5 në 6 të bën të mendosh se do të rriten diferencat. Garë e fortë pritet mes katër të parave. Ka masivitet paksa të tepruar në nivelet dytësore të futbollit tonë dhe do të ishte e rëndësishme të kalonte edhe te ne ligji për sportin si në Kosovë, sepse do të rriste cilësinë në çdo aspekt.

kashami

Duke parë ndarjet, ekipet, lëvizjet në merkato dhe financat, mund të bëni një parashikim për skuadrat pretendente në çdo grup?

Ndryshe nga viti i kaluar, duket se më shumë cilësi do të ketë në Grupin A. Besëlidhja ka ruajtur një grup të mirë nga sezoni i kaluar dhe po lëviz mirë në merkato, Kastrioti do të kërkojë rikthimin në Superligë, pa harruar Dinamon, Erzenin dhe Egnatian. Në Veri ka më shumë rivalitet. Në Grupin B mendoj se është viti i Apolonisë, jo për nostalgji. E them gjithmonë nisur nga pozitat e tanishme. Besa “ëndërron” edhe Superioren me ato që diskutohen së fundi, ashtu si Dinamo, por kjo situatë e paqartë mund ta dëmtojë. Lushnja ka përvojë dhe pretendon për forcë zakoni, por parashikoj se lufta më e ashpër do të jetë për mbijetesë në këtë grup.

Nëse ndodh përjashtimi i korçarëve dhe gjirokastritëve, siç flitet, është edhe Kastrioti që pretendon Superligën para Dinamos dhe Besës. Sipas jush, në këtë situatë, çfarë formule duhet ndjekur?

Do të më vinte keq, nëse do të krijohej një situatë e paprecedentë në futbollin shqiptar. Përtej problematikës, Skënderbeu dhe Luftëtari kanë emër në historinë e këtij sporti. Nëse ndodh, me sa di unë, FSHF e ka një praktikë të para një viti, kur u rrëzua Tërbuni dhe u ngjit Vllaznia B në Kategorinë e Parë. Rënia e Vllaznisë A e riktheu Vllazninë B andej nga erdhi dhe përfitoi Orikumi. Në rast analog, mendoj se edhe Kastrioti nuk ka të drejtë të pretendojë diçka të tillë. Rregullorja i penalizon krutanët.

ndricim kashami

Ka pasur një debat në “Panorama Sport” me akuza të ndërsjella mes Dritan Smajlit dhe presidentit të Besëlidhjes, Gjok Noka. Si ishtrajner i lezhjanëve, do të ishte me interes komenti juaj…

Nuk e di… Nuk ka pasur banalitete të tilla në këtë skuadër kur kam qenë unë. Nuk kam konstatuar lënie ndeshjeje apo qoftë edhe dyshimin më të vogël. Debati në fjalë nuk ka bazë, thjesht fjalë dhe dyshime, mendoj unë. Një gol mund të pësohet për gabim të Smajlit, por edhe për meritë të kundërshtarit, ndaj nuk di ç’të them më tepër. Jam jashtë këtij debati, por respektoj pyetjen tuaj. Presidenti Noka është njeri shumë korrekt dhe do vetëm ndershmëri në ekip, rezultat të merituar, por po aq fjalë të mira mund të them edhe për Smajlin, një futbollist që ka lënë gjurmë pozitive kudo. Le të hetohet kjo çështje, që të gjithë të jenë të qetë.

Apoloninë e keni ndjekur gati gjithë kohës. Është rikthyer Artan Mërgjyshi në stol dhe klubi pretendon fort Superligën…

Jo më kot e përmenda më lart Apoloninë si “violinën e parë” të Grupit B. Vlerësoj zgjedhjen që kanë bërë me trajnerin Mërgjyshi, të cilin e respektoj si një nga trajnuesit më të mirë dhe ka përvojën e duhur. Sfidë e bukur për të si trajner: ishte i fundit në Superligë me Apoloninë dhe vjen ta rikthejë atje. Apolonia ka pasur dhe ka një projekt të qartë europian dhe me baza të shëndosha perspektive. Edhe kur kam trajnuar unë, jam ndier si në skuadër Superlige, në çdo aspekt.

E fundit, në aspektin personal. A keni një projekt këtë sezon, oferta?

Kam pasur 3-4 oferta, por nuk vlejnë tani, pasi jam gati të firmos me një skuadër që ka një projekt serioz. Le t’i lëmë detajet për më vonë, por besoj se këto dy ditë gjithçka do të zbardhet. Jam gati për këtë sfidë, pasi kam studiuar që ka një projekt shumë ambicioz dhe konkret.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"