Faktori “P”, ja si Pioli ringjall Milanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2019 | 23:03

Faktori “P”, ja si Pioli ringjall Milanin

Kur në janar të këtij viti Milani investonte 70 milionë euro për të sjellë në ekip dy P, Piontek e Paketa, shpresonte që të dyfishonte edhe mundësitë për një renditje mes katër të parave në kampionat.

stefano pioli

Kontributi nuk mungoi, por as mjaftoi me polakun që shënoi 9 gola në 18 ndeshje, ndërsa braziliani dhuroi vetëm një realizim. Pas një periudhe negative me Marko Xhampaolon, “Djalli” bën pakt me Piolin (P-ja e tretë). Tekniku i ri risjell skemën 4-3-3, ku pikërisht Piontek e Paketa urojnë të gjejnë veten dhe golat.

MISIONET — Stefano Pioli me pranimin e ofertës kuqezi ka pranuar edhe disa misione. P si Paketa e Piontek, por edhe P si prapavija. Hernandez pas problemi në kavilje ka gjetur vendin në formacion dhe po jep kontributin e pritur me paraqitje, por edhe gola. Francezi detyron mesfushorin që ka përpara të sakrifikojë, por për të fituar, duhet edhe guxuar. Edhe Duarte u përgjigj mirë ndaj Xhenoas kur iu desh të zëvendësonte Muzakion që la ekipin me një lojtar më pak. Në një pikë të mirë të ambientimit brenda kuqezinjve është edhe Rafael Leao.

Portugezi do të jetë sulmuesi i krahut në 4-3-3 e Piolit, me shpresën e teknikut që driblimet e golat do të kthehen në një konstante, edhe pse djaloshi është vetëm 20 vjeç. Nëse ecuria e të sipërpërmendurve ka qenë pozitive, Pioli duhet të ketë kujdes të rivlerësojë edhe Benaserin, duke mos lejuar që Bilia t’ia shuajë shpresat për formacion. Situatë e ngjashme edhe për Rade Kruniçin. Boshnjaku mund të luajë kudo në mesfushë, madje garanton pushim edhe për Kesin, ndaj trajneri i ri kuqezi duhet të gjejë s’i duhet dozat e aktivizimit për secilin prej lojtarëve, sidomos atyre që i janë bashkuar ekipit në merkaton e verës së këtij vitit.

KROATI – I fundit, por me siguri jo nga rëndësia Ante Rebiç. Kroati është një çështje më vete sepse erdhi me bujë të madhe, por Xhampaolo nuk e preferoi thuajse kurrë. 26- vjeçari kërkon minuta, por edhe drejtuesit presin shpërthimin e tij, pas asaj që ai ka treguar në radhët e Kroacisë dhe Frankfurtit në sezonet e fundit.

Problemi në rastin e tij mban emrin e Susos. Ashtu si për Xhampaolon, edhe për Piolin, spanjolli përfaqëson profilin nga i cili një skuadër nuk mund të privohet, ndaj kjo sfidë është edhe më e vështira në aspektin teknik dhe menaxherial për trajnerin e ri të kuqezinjve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"