EKSKLUZIVE/ “Turp, me Laçin e vendos gjithnjë arbitri”, Gjici: Nuk e paguaj ekipin po s’bënë kthesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 20:28

EKSKLUZIVE/ “Turp, me Laçin e vendos gjithnjë arbitri”, Gjici: Nuk e paguaj ekipin po s’bënë kthesën

Safet Gjici është tërbuar nga arbitrat. Presidenti i Kukësit është në një linjë me trajnerin, ndaj edhe është ndalur gjatë te penalltia që shkaktoi humbjen. 

gjici

Nuk i duket edhe aq rastësi, që të dyja ndeshjet që kanë luajtur me Laçin këtë sezon, janë vendosur prej gjyqtarëve. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i klubit thekson se do të ankohen edhe në federatë për këtë çështje.

“Nuk e di si e patë ju, po për mua ajo nuk ka lidhje me penalltinë. U bë e dyta herë që arbitrat me Laçin vendosin rezultatin. Ky është turp i madh. Nuk e kuptoj se çfarë arbitrash janë këta që marrin këtë iniciativë për të shkatërruar investimet që bëjmë ne në futboll. Do bëjmë ankesën tonë sikundër e kërkon edhe rregullorja në federatë. Për trajnerin Duro më thanë se e shanë dhe nga familja dhe ky është turp i madh…”, u shpreh fillimisht numri një i klubit verilindor, që konfirmon se klubi do të ankohet në FSHF për vendimet e arbitrave.

gjici

PARALAJMËRIMI 

Ai pret tashmë kthesën nga ekipi i tij dhe nuk ka në plan të durojë më. Hapur e thotë se do u mbahen rrogat nëse nuk reagojnë. Te Kukësi do të zhvillohet një analizë e thellë dhe një gjë të tillë e paralajmëron vetë presidenti.

“Pres kthesën me patjetër nga ekipi. Deri më tani shumë pak pikë kanë mbledhur. Mjaft i kam duruar, do të ketë një analizë të thellë. Dhe disa lojtarë që vijnë te Kukësi vetëm për të marrë rrogën, nëse nuk reagojnë, nuk do ketë shans që të paguhen”, përfundoi Gjici, i cili duhet thënë se po bën një periudhë të gjatë që mungon edhe në stadiume. Duket se angazhimet politike e kanë shkëputur prej futbollit.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"