EKSKLUZIVE/ “Tirana fiton titullin me Ahmatajn”, ish-kapiteni Nallbani: Halili të kërkojë llogari, Omuri ta marrë ekipin dhe… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 23:31

EKSKLUZIVE/ “Tirana fiton titullin me Ahmatajn”, ish-kapiteni Nallbani: Halili të kërkojë llogari, Omuri ta marrë ekipin dhe… (E PLOTË)

Blendi Nallbani është i bindur se Tirana fiton me Kukësin dhe në fund do të triumfojë me titullin kampion. Ish-portieri dhe kapiteni i bardhebluve, sot nën cilësinë edhe të këshilltarit të presidentit Refik Halili, tregon për “Panorama Sport” edhe diskutimet me këtë të fundit, komenton vendimin për rikthimin e Ahmatajt, specifikën e të qenurit trajner i Tiranës e shumëçka tjetër. 

Nallbani

“Tata” është kritik me lojtarët, ndërsa tregon edhe qëndrimin e presidentit të klubit për çështjen “Doka”. Pas kritikave të Bedri Omurit, Nallbani përgjigjet drejtpërdrejt: E ka me trajnerët, le ta marrë Bedriu e ta shohim”.

Si e keni parë Tiranën në këtë sezon? 

Të them të drejtën, sido që të jetë puna, Tirana është Tiranë. Të paktën me emër. Kisha një takim me presidentin Halili në mënyrë rastësore dhe me të drejtë ishte i mërzitur dhe i shqetësuar. Ai është personi që financon dhe do të kërkojë llogari diku. Megjithatë, Tirana nuk është ajo që ka qenë dikur. Edhe kur e kishte Mema, edhe tani. Ka më shumë sesa 10 vite, që kur mori kampionatin e fundit. Me gjithë përpjekjet dhe investimet e presidentit, prapë nuk po arrin kulmin.

Çfarë biseduat për Tiranën, edhe në cilësinë e këshilltarit? 

Pata një diskutim apo edhe debat miqësor, duke i thënë që “Ti je personi që po harxhon paratë e tua dhe ti duhet të kërkosh llogari. Pavarësisht se je njeri miqësor, duhet të ngresh zërin për ato që po i jep ekipit. Unë kam bërë pjesën time të kontributit si futbollist, por tani nuk mund të futem në pjesën se kë mban ti si administrator, në akademi apo gjithkund në klub”. Këtë ia kam thënë.

Çfarë doni të thoni, pra çfarë donit t’i tregonit presidentit? 

Që në fund fare, është Halili personi që kritikohet. Pavarësisht se çfarë po jep nga xhepi i tij, njerëzit sërish presidentin kritikojnë.

krenar alimehmeti blendi nallbani

E thatë disa herë që Tirana nuk është më ajo që ka qenë dikur. Pse? 

E them se nuk është dhe ata akoma nuk e dinë se çfarë fanelle mbajnë veshur. Unë e gjykoj si këshilltar i Halilit, nga jashtë, pasi nuk di se çfarë bëhet brenda. Ia thashë fjalët e mia, si kam bërë gjithmonë.

Çfarë përgjigjeje morët nga Halili?

Nëse i pëlqejnë apo jo, kjo është pjesa e Ritit (Refik Halilit). Unë i them ato fjalë për të mirën e tij dhe për të mirën e Tiranës. Për këtë, ia kam theksuar disa herë që ai është personi që duhet të kërkojë llogarinë kundrejt gjithkujt në atë klub, pasi në fund të fundit, ai shahet në stadium. Halili jep lekët dhe po ai kritikohet.

Skuadra ndërroi trajnerin… 

Më erdhi keq për Ardi Memën. Pavarësisht faktit që unë, Ardi e shumë të tjerë kemi dhënë kontributin në fushë te Tirana, kur vjen puna për trajnerin, është krejt gjë tjetër. Është punë e vështirë, sidomos te Tirana, sepse e merr me qejf të madh por në fund e pëson për 2-3 javë.

Pse ndodh kjo te Tirana, pasi këtë e deklaroi edhe Ahmataj? 

Është kusur i rëndë. Te Tirana ndodh sepse duhet ditur që trajneri është trajner dhe presidenti president. Dhe nëse trajneri kërkon një, dy, tre lojtarë, atëherë duhet t’ia japësh. Në fund kërkoji llogari atij. Nuk kam asgjë, as me Halilin, as me Likën, as me Bakajn, as me Osmanin, as me Ahmatajn.

NALLBA

Pse po i thoni këto? 

Nëse mua më ofrohet ai drejtim i ekipit, unë kërkoj gjërat që dua për të funksionuar. Ato lojtarë që i mendoj të duhurit. Atëherë unë si trajner mbaj përgjegjësi. Kur nuk më pyet mua si trajner, nuk ke më çfarë të më kërkosh nesër. Nuk mund të mbajë përgjegjësi trajneri nëse e bën presidenti me lojtarët e vet dhe më pas ta heqësh. Nuk shkon.

Me cilin trajner ka ndodhur kjo situatë? 

Jo nuk e kam konkretisht, por në tërësi. Për Tiranën aludohet shumë dhe në kohën time nuk kishte kaq. Por kur ekipi s’është mirë, goditet.

Si ju duk situata e Ahmatajt? 

Tirana është mësuar të dalë kampion. Kur ishim ne në fushë, edhe kur kishte të tilla debate, diskutime dhe aludime, fitonim titullin dhe i mbyllnim. Madje, nëse unë fitoja Kupën dhe dilja nënkampion, shkruhej që ekipi dështoi sezonin. Situata ka ndryshuar tani pasi kemi parë që Tirana doli edhe nga kategoria. Megjithatë, unë mbështes deklaratat e presidentit Halili kur thotë që “ligjin e bëj unë, sepse po financoj”.

Specifikisht deklarata e Ahmatajt dhe më pas rikthimi në ekip… 

Unë kam luajtur një vit me Ahmatajn. Është një djalë shembullor, i zgjuar dhe trajner shumë i mirë. I referohem Gjirokastrës, sepse atje mori vlerat. Por, mendoj se trajneri duhet të vendosë veton: Jam unë trajner! Cilido qoftë trajneri dhe cilido presidenti, do të bëj kështu si them unë dhe pikë! Nëse nuk e lejojnë, të ikë dhe ta mbyllë.

nallbani tirana

Po vendimi i Halilit për ta pranuar ndjesën e tij publike? 

Halili ka bërë punën më të mirë që e pranoi. Dakord, ndodh edhe që të ketë mërzi, apo siç mund të mërzitet edhe trajneri pasi në disa raste është edhe fat. E vlerësoj vendimin e Halilit, pasi në të kundërt, do të ndodhte që pa mbyllur ende dy faza, Tirana të ndërronte 3 trajnerë. Ka qenë vendim prej presidenti profesionist, pasi lexoj situatën që ai i dha edhe një herë dorën trajnerit Ahmataj.

Në ç’kuptim, çfarë situate lexoni? 

I la atij dhe cilitdo të kuptojë se Halili nuk heq njeri nga puna, por është puna e secilit që e mban në postin e trajnerit. Pra, unë mendoj se ecuria në ndeshjet e radhës do jetë vendimtare dhe larg qoftë me disa humbje, trajneri të kuptojë që duhet të ikë vetë… Unë kështu e kuptoj. Kjo ka ndodhur edhe në të shkuarën.

Pse Tirana pëson kaq shumë gola? 

Sipas meje, Tirana është ekipi më i mirë në Superiore. Këtë e tregojnë mbajtja e topit pasi e mendoj si ekipin që ka përqindjen më të lartë si në Tiranë, edhe në transfertë dhe së dyti krijon më shumë raste nga të gjitha. Gjë e cila ka edhe, si të thuash, bela në prapavijë. Tirana është ekip sulmi, jo mbrojtjeje. Prodhon volum.

Si e shihini përballjen e radhës me Kukësin? 

Besoj se Tirana do të fitojë ndaj Kukësit. Nuk e diskutoj fare. E them këtë duke u mbështetur nga volumi i lojës që bën Tirana.

Po Kukësi në fazën e parë fitoi, e mundi? 

Le të fitojë. Pa e ofenduar Kukësin, them Tirana është Tiranë. Kaq.

nallbani

Çfarë mendoni për lojtarët e huaj që ka Tirana në organikë? 

Kobina është mirë dhe Ngo besoj se është në rregull. Nuk mendoj se ka qenë problem çështja e lojtarëve të huaj. Megjithatë, Tirana duhet të mbështetet te futbollistët e akademisë, tek e ardhmja. Dy apo tre emra që mund të jenë të mirë, t’ua japë dorën. Sigurisht që nuk është mësimore, madje është diçka e vështirë që ta veshësh atë fanellë.

A ka një çështje “Doka”, referuar rinovimit dhe detyrimit që ka vënë klubi ndaj tij për të zgjatur kontratën? 

Kam biseduar në fundjavë me presidentin dhe kemi prekur edhe këtë çështje. Më ka thënë se nuk është kaq i interesuar as për djalin e tij, sa është për Dokën”. Unë e njoh Halilin dhe është i miri i të tjerëve dhe i keq për veten e tij. Më ka thënë edhe që “Doka është lojtar kryesor te Tirana”. Prezent në diskutim ka qenë edhe Tefik Osmani. Doka ka kaq vite që luan. Edhe unë personalisht ia thashë mendimin tim që duhet bërë patjetër rinovimi me të. Atij, Muçit dhe të rinj të tjerë që kanë treguar se e meritojnë, duhet t’u jepet një dorë.

Është thënë edhe se ka ndërhyrje në formacion nga presidenti… 

Janë përralla. As nuk futet fare. Unë e kam pasur president një vit kur isha në fushë, por edhe tani nga jashtë që e shoh, nuk e bën kurrë. Nuk mund të diskutoj më gjatë se çfarë thonë njerëzit me muhabete kafenesh, por as në atë kohë nuk merrej, as sot. Diferenca është se atëherë, çfarëdo që të flitej, ne fitonim titullin dhe mbylleshin gjërat. Por kur nuk ecën puna, nisin fjalët…

Cila e fiton titullin këtë vit? 

Tirana. Nuk është larg sa për të thënë se u bë kiameti. 6 pikë janë.

Blendi Nallbani

Pra e mendoni vitin e 100- vjetorit me festë titulli? 

Qejfi ma ka që të festojmë. U bë shumë vite që nuk e kemi marrë atë titull dhe besoj se do t’ia dalim këtë vit. Edhe mundësitë i ka, pasi e përsëris që Tirana është ekipi më i kompletuar në çdo repart.

Bedri Omuri e quan të papranueshme mungesën e titullit për 10 vite dhe ai kritikon presidentin Halili për drejtimin. A keni një përgjigje? 

Bedri Omuri është ishsportist i Tiranës që i ka dhënë shumë klubit. Edhe pjesë e Kombëtares nëpërmjet Tiranës, por me punën dhe djersën e vet. Ai mund të thotë çfarë të dojë, por Tirana është Tiranë. Ia kam thënë edhe personalisht: Drejtuesit nuk i zgjedhim ne. Kështu që ai e ka te trajnerët… Unë po them në rregull: O Bedri, merre ti me gjithë Tatën (i referohet vetes) e ta shohim çfarë do të bësh. Unë sot e kam të thjeshtë të flas, komentoj shumë lehtë se çfarë ndodh. Ama, po të ma japësh ekipin, asgjë nuk bëj. Ja ku po jua them shqip…

Si ju duket kampionati këtë vit? 

Partizani, si kampione në fuqi, do ta bëjë luftën e vet për ta mbrojtur titullin dhe deri tani po ia arrin qëllimit. Kukësi nuk është aq i fortë sa flitet, pasi edhe rezultatet e kanë treguar. Skënderbeu nisi me thashethemnajën që mund të shkrihet, mund të marrë emrin Dinamo e të tjera si këto, por fakt është që deri tani po e tregon vetën dhe po ua nxjerr sytë të gjithëve.

Kjo edhe falë një trajneri super si Ilir Daja. Flamurtarin dhe Vllazninë, si djep i futbollit, po i trajtoj njësoj që kanë shumë nevojë për ligjin e sponsorizimeve. Më vjen shumë keq kur i shoh në situata të vështira, pasi i kanë dhënë tonin futbollit tonë. Laçi me presidentin në krye, luan drejt dhe me dinjitet kundër të gjithëve. Një falënderim të veçantë duhet të kemi për Bylisin, pasi edhe pse vjen nga Kategoria e Parë, po e tregon veten të denjë. Te Teuta, presidenti Hasanbelliu është me shumë eksperiencë dhe Shkëmbi ka treguar që është trajner cilësor. Me të dy në krye, besoj se do të arrijë objektivat sezonalë. Luftëtari po e vuan situatën e futbollit të sotëm dhe kërkon mbështetjen e bashkisë dhe të ketë një trajtim tjetër në rast miratimi të ligjit të sportit.

Si ju duk stadiumi i ri i ndërtuar në Tiranë? 

E meritojnë edhe ekipet tona që të luajnë aty, pasi pavarësisht investimit që është kryer, nuk mendoj se u ndërtua vetëm për Kombëtaren. Unë jam rritur në atë tokë dhe aty vdiqa në karrierën sportive, si shumë breza të tjerë. Isha në ndeshjen me Francën dhe më ka ardhur keq shumë për trajtimin. Armand Duka meriton vlerësime për atë që bëri për ish-lojtarët e Kombëtares edhe që i mori në Europian. Këtë herë nuk më pëlqeu që emra të shquar si Neptun Bajko, Shyqyri Rreli, Perlat Musta, Sulejman Maliqati, Astrit Hafizi, Ilir Lame, e shumë e shumë të tjerë, ishin te porta ndërsa në mes të tribunës ishin.. kë të them: Ministri i Brendshëm, i Mbrojtjes, Kulturës a s’e di kush tjetër, ishin kryetari i PD-së, nënkryetari i PD-së, sekretari i PS-së etj,. Mendoj se aty duheshin pikërisht ata që përmenda e të gjithë të tjerët që i kanë dhënë historinë futbollit tonë. Ne sportistët duhet të ishim të parët aty se është shtëpia e futbollit, jo e politikës. Por nejse..

OLSI TUJANI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"