EKSKLUZIVE/ “Tërmet” në Vlorë, Sadedinit i lihen dy ndeshje afat. Ja kush projektohet trajner i Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2019 | 22:00

EKSKLUZIVE/ “Tërmet” në Vlorë, Sadedinit i lihen dy ndeshje afat. Ja kush projektohet trajner i Flamurtarit

Eqerem Memushi projektohet si trajneri i ri i Flamurtarit. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime të besueshme pranë klubit vlonjat se administratori Sinan Idrizi ka vendosur t’ia besojë stolin trajnerit të mirënjohur vlonjat.

eqerem memushi

Bisedimet kanë nisur dhe duket se janë në rrugë të mbarë dhe shumë shpejt pritet zyrtarizimi i vlonjatit në krye të stolit. Gazeta mëson se pas mbylljes së replikave pak kohë në parë në “Panorama Sport”, administratori Idrizi ka thirrur në zyrë Memushin ku i ka ofruar postin e trajnerit. Por tekniku fillimisht ka ngurruar për shkak të situatës jo të mirë dhe një ekipi të grumbulluar vetëm dy javë përpara startit të kampionatit. Gjithsesi Memushi nuk i ka thënë “jo” Idrizit, por gjithçka e ka lënë të hapur.

Gazeta mëson se ditët e fundit, trajneri Memushi është kontaktuar sërish nga drejtuesit e klubit. Idrizi ka futur si “negociator” drejtorin Edmond Liçaj, i cili po bisedon me Memushin. Rezultatet negative e vendosin në rrezik trajnerin aktual Dritan Sadedini. Gjasat janë që Sadedinit t’i lihen si provë dy ndeshjet e radhës. Por gjithsesi, vendimi duket i marrë tashmë dhe Eqerem Memushi po shkon drejt stolit vlonjat. Administratori Sinan Idrizi ka besim se Memushi është i vetmi që mund të ndryshojë situatën te Flamurtari dhe ta shpëtojë nga rënia.

eqerem memushaj

VIZITË EKIPIT

Eqerem Memushi është shfaqur si vizitor në një nga seancat e fundit të Flamurtarit. I shoqëruar nga drejtori Edmond Liçaj, dy ditë më parë, trajneri Memushi ka ndjekur stërvitjen e ekipit në fushën sportive në Pyllin e Sodës. Ish-trajneri e ka ndjekur të plotë stërvitjen, ndërsa gjatë gjithë kohës është parë të bisedojë me drejtorin Liçaj. Ndjekja e seancës stërvitore duket se është bërë me qëllim nga Memushi, për të qenë më i sigurt në “po-në”, që pritet t’i japë Idrizit, për të parë nga afër gjendjen dhe reagimin e ekipit.

PËRPLASJET

Eqerem Memushi ka qenë i vetmi ish-trajner dhe ish-lojtar i Flamurtarit që është përplasur më administratorin Sinan Idrizi për situatën e ekipit. Madje ai i kërkoi edhe largimin nga klubi Idrizit, duke i thënë se ishte i gatshëm të mblidhte 1 miliard lekë për të shpëtuar Flamurtarin. Pas polemikave Idrizi i ofroi Memushit më 20 gusht, postin e zëvendëstrajnerit.

“Është njeri me vlera, nuk kam çfarë të them më për Memushin. Pres me qejfin më të madh dhe me dëshirën më të madhe Eqerem Memushin të dalë realisht me Flamurtarin nesër në stërvitje si trajner i dytë i ekipit. Pranë Sadedinit, do të jetë një dyshe shumë e mirë dhe do të jetë një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit të të kundërtve. Qeremi nuk është e kundërta ime, është si të gjithë të tjerët”, u shpreh Idrizi.

Një ditë më vonë reagoi Memushi duke i vënë në dukje Idrizit se është gjeneral dhe jo kapter. “Nuk ka shanse që unë të shkoj te Flamurtari si zëvendëstrajner. Nëse ka mundësi Idrizi si miq të mirë që jemi, pasi mbetemi miq pavarësisht këtyre gjërave, nuk e di si e kupton ai, por këto deklaratat e mia janë për të mirën e punës, që të ketë mbarësi Idrizi dhe ecuri të mirë skuadra, e ftoj që të vijë familjarisht në shtëpinë time të pijë një kafe dhe të shikojë medaljet dhe kupat që kam, prej të cilave po më bie muri. Unë jam nga Tërbaçi, nga një vend i Vlorës që e njohin të gjithë dhe gjithë Shqipëria, ne kemi qenë gjithmonë gjeneralë nuk kemi qenë kaptera asnjëherë”, u shpreh ish-trajneri.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"