EKSKLUZIVE/ Rrapo Taho: Flamurtari është i rënë, edhe Murinjo me lojtarët më të mirë nuk e zgjidhin dot krizën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 22:58

EKSKLUZIVE/ Rrapo Taho: Flamurtari është i rënë, edhe Murinjo me lojtarët më të mirë nuk e zgjidhin dot krizën

Rrapo Taho e shikon Flamurtarin të rënë nga kategoria. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ishtrajneri i njohur vlonjat parashikon largime të lojtarëve në janar, nëse situata financiare nuk do të rregullohet. Taho vlerëson frymën që ka futur në ekip trajneri Luan Birçe. 

rrapo taho

Taho, si po i shikoni zhvillimet te Flamurtari?

Stërvitjet po zhvillohen normalisht. Trajneri Luan Birçe është shumë i përkushtuar në zhvillimin e seancave stërvitore, porse ku çalon puna dhe se ku është ngërçi këtu, nuk dimë se çfarë të themi. Birçe është shumë optimist. Mundohet që ta mbajë dhe ta ndërtojë ekipin. Me psikologjinë e tij, po i mban lojtarët në tonus. Frikë kam se do të mbarojë faza e dytë apo më mirë të them viti dhe shumë lojtarë do të largohen, nëse nuk do të realizohet ajo që ka premtuar presidenti Idrizi.

Si mund të zgjidhet kjo situatë e krijuar? 

Presidenti, natyrisht që duhet të vendosë dorë më të hekurt në ekip. Kërkohen lojtarë më cilësorë.

rrapo taho

Ka një precedent Flamurtari që as vitin e kaluar nuk u pagua. E shikoni të vështirë që në janar të afrohen lojtarë? 

Është shumë e vështirë. Me fjalët që kemi dëgjuar, shumë lojtarë në janar do të largohen, nëse nuk do të realizohet ajo që është thënë. Presidenti është shprehur që brenda dhjetorit do të marrin pesë rroga. Nëse ndodh kështu, situata do të jetë më e kënaqshme dhe lojtarët do të jenë më të motivuar për të vazhduar aktivitetin.

Në qytete me traditë dhe të mëdha si Vlora, Gjirokastra dhe Korça, rrezikojnë që ekipet të bien. E shikoni këtë një dramë të futbollit shqiptar? 

Po, patjetër. Është me të vërtetë dramë. Nuk na vjen mirë që ekipet, të cilat janë me presidentë të fuqishëm, të kenë këtë nivel dhe të mos ballafaqohen me botën. Po shikojmë sot që niveli i kampionatit shqiptar lë shumë për të dëshiruar. Në ndeshjen e fundit ne pamë PartizaniFlamurtari. Edhe me Flamurtarin që ishte në një gjendje kritike, Partizani u tregua ekip shumë i dobët, mbase edhe nënvlerësuan se është ekipi i fundit, por Flamurtari krijoi më shumë raste se Partizani. Realizoi më shumë volum loje. Mund ta fitonim edhe ne atë ndeshje. Niveli i kampionatit shqiptar është në një kategori që lë për të dëshiruar. Nuk ka nivel të lartë.

Sa i ka shanset ky Flamurtar të qëndrojë në Superiore? 

Nuk i ka fare shanset. Nuk na vjen mirë që e themi këtë fjalë, por Flamurtari nuk ka shanse fare që të qëndrojë në kategori. Edhe të sjellësh trajnerë të mëdhenj si Murinjo apo lojtarë të mëdhenj të Europës, Flamurtari nuk ka shanse. Nuk e di se kush duhet të vërë dorë. Bashkia duhet të ndërhyjë menjëherë apo vetë administratori. Duhet ta rregullojnë këtë situatë, pasi shumë vlonjatë, ne apo ish-specialistë edhe nëse themi ndonjë fjalë më shumë, nuk është se godasim presidentin. Kambana aty bie, pasi ai është administratori i këtij ekipi dhe ai mban përgjegjësinë. Natyrisht edhe kryetari i bashkisë mban përgjegjësinë më të madhe për mua.

Në vendin e Flamurtarit, e keni parë ndonjëherë në këtë situatë?

Nuk mbaj mend që kur kam qenë fëmijë, të më ketë bërë vaki që Flamurtari të jetë me kaq pikë dhe të mbajë atë vend që nuk e meriton. Edhe pse ka qenë në gjendje të dobët, gjithmonë ka qenë në mes të klasifikimit, edhe pse ka dalë nga kategoria, prapë nuk ka qenë asnjëherë në fund.

Me Luftëtarin, ndeshja e radhës. Mendoni se do të vijë fitorja e parë?

Nuk di çfarë të them. Nëse lojtarët do të stimulohen, edhe mundet. Më pëlqen trajneri Birçe, që i ka motivuar shumë lojtarët, pasi unë kam parë disa seanca stërvitore. Ka zhvilluar dy seanca në ditë gjatë këtyre javëve. Ai mendohet të japë maksimumin. Luftëtari nuk është në atë nivel që mendojmë ne. Ka pasur kohë në dispozicion edhe nga pushimi. Lojtarët janë përgatitur pak më shumë se dihet që ekipi ynë ka qenë i pastërvitur, por shpresojmë që edhe me një pikë jemi të kënaqur.

Çfarë ka sjellë trajneri Birçe te Flamurtari?

Shikoj që ka sjellë një modul të ri të lojës. Ka futur lojën sulmuese. Nuk e ka ekipin shumë të kompletuar dhe në gjendje fizike jo të plotë. Por, shikoj ndryshim loje. Edhe Sadedini atë mënyrë loje kishte, por ai luante pak më i tërhequr, kurse Birçe kërkon më shumë lojë intensive. Kjo më pëlqen. Na kënaqi shumë në ndeshjen e fundit, pavarësisht se nuk realizuam shumë raste. Nuk kemi lojtarë goli, por deri në fund ekipi me lojën po kënaq. Ky është edhe niveli.

ERMAL SIKA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"