EKSKLUZIVE/ Rokadë emrash për ringritjen, dy bashki bashkë për Skënderbeun. Zbulohet plani ku fitojnë të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2020 | 8:59

EKSKLUZIVE/ Rokadë emrash për ringritjen, dy bashki bashkë për Skënderbeun. Zbulohet plani ku fitojnë të gjithë

Pas situatës së krijuar në kampin bardhekuq me dënimin e lënë në fuqi nga Lozana dhe largimin e shumë futbollistëve, te Skënderbeu po bëhen gati për planin e ringritjes. Dhe hapi fillestar që do të bëjnë është shpallja e falimentit. Ashtu siç e bëri me dije një ditë më parë gazeta, Ardjan Takaj ka gati dy variante.

Dita Skenderbeu

I pari është ndërtimi i një klubi të ri me emrin “AF Skënderbeu”, por që ka një rrugë më të gjatë dhe do të detyrohen ta nisin nga Kategoria e Tretë. I dyti duket më i shkurtër dhe efikas, pasi ka të bëjë me rokadën e emrave mes Skënderbeut me Maliqin. Nëse bardhekuqtë shpallnin falimentin, maliqarët fitojnë të drejtën që të kthehen në Kategorinë e Parë. Në kushte të tilla duket se drejtuesit e futbollit korçar janë duke menduar mirë lëvizjen që do të bëjnë dhe për më tepër po shohin edhe bazën ligjore për të mos pasur probleme të tjera që mund të dalin gjatë rrugës.

Plani është ndërtuar tashmë në parim mes tri palëve, pasi veç Ardjan Takajt do të duhet edhe dakordësia e dy bashkive të tjera të juglindjes, konkretisht Bashkisë së Korçës dhe asaj të Maliqit.

Pusi Skenderbeu festa

IDEJA

Burime të sigurta nga “Panorama Sport” pranë Bashkisë së Maliqit bënë me dije se kjo ide ekziston dhe në parim duket se janë gati për ringritjen e futbollit në juglindje në nivele të larta. Nëse merr rrugë ajo që gazeta mësoi ekskluzivisht për ndërrimin e emrit të KF Maliqit në AF Skënderbeu, atëherë edhe klubi maliqar do të ketë përfitimet e veta. Do të kthehen në një klub model (ndonëse do të quhet “AF Skënderbeu” dhe jo më Maliqi), ku përqindje të caktuara bashkëpronësie do të kenë dy bashkitë (ajo Korçë dhe Maliq) dhe Ardjan Takaj si president do të ketë maxhorancën, me pjesën më të madhe të aksioneve.

Skenderbeu festa e golit ndaj Vllaznise

Kjo për shkak që klubi i ri të gëzojë të gjitha asetet e Bashkisë Korçë siç është stadiumi dhe ambienti sportiv që është ndërtuar në Korçë. Nga ana tjetër do të ketë edhe një ekip tjetër praktikisht si Maliqi B, që do të gëzojë jo vetëm frytet e akademisë Skënderbeu të ndërtuar tashmë, por do të përfitojë edhe investime. Një prej tyre është rikonstruksioni i stadiumit “Jovan Asko” në Maliq duke rimodeluar fushën që ka qenë prej vitesh problem për këtë ekip. Praktikisht nëse ky plan i mirëmenduar nga Ardjan Takaj merr edhe miratimin e dy bashkive, palët janë përfituese në të gjitha anët.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"