“Pashë tmerr në Durrës me vajzën në krah”, sulmuesi i Teutës: Nuk hapeshin dyert…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2019 | 23:00

“Pashë tmerr në Durrës me vajzën në krah”, sulmuesi i Teutës: Nuk hapeshin dyert…

Seria e tërmeteve që goditi Shqipërinë, ka tronditur Darko Nikaçin. Malazezi i Teutës ishte një nga të mbijetuarit në Durrës, bashkë me familjen e tij. Sulmuesi aktualisht gjendet në Podgoricë, e megjithatë ajo që ka përjetuar e ka shokuar. Më shumë se për veten, mendonte për bashkëshorten dhe foshnjën e tij. 

nikac

Gjatë një rrëfimi për mediat malazeze, ai ka zbuluar gjithë tmerrin që përjetoi pas atij tërmeti prej 6.4 ballësh. “Tërmeti i parë u ndie rreth orës 2, pas mesnate. Nuk ishte i tmerrshëm, kështu që u ktheva për të fjetur. Por, ai i orës 4 pa dyshim që ishte. Nuk e dija në fillim se çfarë po ndodhte. Ishte një katastrofë e vërtetë. Imagjinoni të zgjohesh dhe gjithçka rreth teje dridhet dhe bie në tokë dhe më e rënda ishte që kisha pranë gruan dhe foshnjën. Fjalë për fjalë, mund të them që ishte një situatë e pashpresë”, kështu u shpreh fillimisht 29-vjeçari për gazetën “Dnevne” pas mbërritjes në Mal të Zi.

SHOKU – Apartamente gati 29-vjeçare, si edhe ndërtesa të tjera ishin në rrënoja, por makthi ishte edhe bllokimi i dyerve pas tërmetit. “Unë u përpoqa të hapja derën, por u bllokua. Kështu që, doja ta thyeja, por nuk ia dola. Prita pak dhe sapo munda, menjëherë dola nga banesa dhe qëndruam jashtë. Morëm vetëm ushqim për fëmijën dhe kaq”, u shpreh sulmuesi. Megjithatë, as dalja nga banesa nuk të ofronte qetësi. “Pashë një hotel përtej rrugës që kishte rënë në tokë. Qëndruam në një fushë të hapur dhe prita që situata të qetësohej. Unë isha akoma i tronditur, por gruaja ime arriti ta merrte çelësin e apartamentit për t’u nisur menjëherë për në Podgoricë. Kam biseduar me trajnerin dhe ai më tha të shkoja në shtëpi për 2-3 ditë”, shtoi ai, ndonëse me këtë ritëm duket se qëndrimi në vendlindje do t’i zgjasë më shumë.

Nikac

DËSHMIA – Nikaç ishte dëshmitar i fatkeqësisë që pushtoi Durrësin, por sikundër rrëfen, edhe tërmeti i orës 7 nuk ishte pa gjë. “Ai rrëzoi gjithçka, kështu që unë isha me fat. Është e pamundur ta përshkruaj se si ishte. Ishte si një film. Pas tërmetit të dytë, dy nga tri ndërtesat pranë meje u shkatërruan dhe u rrënuan. Ishte gjëja më e frikshme që kam parë në jetën time. Ndihesha plotësisht i pafuqishëm, nuk dija çfarë do të më ndodhte”, tregoi ndër të tjera shtatlarti, që ka luajtur edhe 3 ndeshje me përfaqësuesen malazeze.

MOSBESIMI – Kur ra tërmeti i tretë, Nikaç dhe familja e tij ishin shumë pranë Podgoricës, por kontaktet i ruajti me njerëzit që kishte lënë në Durrës, në këtë rast shokët e ekipit. “Ata më thanë që praktikisht asnjë makinë nuk kishte ngelur në Durrës. Shokët e skuadrës së Teutës, veçanërisht të huajt, u drejtuan për në shtëpi dhe të gjithë njerëzit nisën të strehoheshin në disa zona më të qeta afër qytetit. Kishte mosbesim dhe pafuqi. Nuk kishte energji elektrike. Nuk dija si të veproja. Sinqerisht, unë jam akoma në shok. Nëse do të isha vetëm, gjithçka do të ishte më e lehtë. Por ishte më e vështirë, pasi duhet të kujdesesha për familjen time, gruan dhe një fëmijë fare të vogël”, shpjegoi ai.

Apartamenti i Darko Nikac, i shkatërruar

Apartamenti i Darko Nikac, i shkatërruar

FUTBOLLI – Futbolli pas kësaj katastrofe është totalisht i parëndësishëm dhe një gjë të tillë e pohon edhe Nikaç, kur shton: “Askush nuk mendon për futbollin. Kampionati është shtyrë, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kam lexuar dhe dëgjuar se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shumë janë lënduar. Një fatkeqësi e vërtetë”.

OBJEKTIVAT – Në fund foli pak edhe për ekipin dhe pritshmëritë e fillimsezonit. “Qëllimi në fillim të sezonit ishte të luftonim për titullin. Madje, në fillim ne ishim në krye, por tani qëllimi kryesor është Europa. Në përgjithësi, ne luajmë keq. Unë nuk jam i kënaqur me performancën time, por gjithashtu nuk jam shërbyer edhe shumë.

nikac teuta

Askush nuk është i kënaqur me këtë ecuri, as ne lojtarët vetë, e sigurisht edhe klubi. Por kjo ligë është me të vërtetë e vështirë, me siguri ndër më të vështirat që kam luajtur. Sidoqoftë, do të shohim se çfarë ndodh tani në janar, kur fillon afati i merkatos. Por përsëri them se askush nuk mendon për futbollin tani dhe ne do të shohim vetëm pasojat e gjithë kësaj katastrofe natyrore”, përfundoi Darko Nikaç.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"