EKSKLUZIVE/ “Ligji për sportin miratohet më 3 dhjetor”, Idrizi: Ja si do i shlyejmë borxhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2019 | 18:44

EKSKLUZIVE/ “Ligji për sportin miratohet më 3 dhjetor”, Idrizi: Ja si do i shlyejmë borxhet

Sinan Idrizi është në pritje të ligjit për sportin. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, administratori i Flamurtarit thotë se personat përgjegjës duhet që të marrin masa të menjëhershme, pasi njerëzit nuk mund të lihen rrugëve. 

Sinan-Idrizi

Idrizi përsëriti dje edhe një deklaratë të fortë, teksa tha se nëse nuk del ligji, do të largohet, pasi kjo gjë nuk mund të zgjasë pafundësisht, por më parë kërkon që të shlyejë detyrimet që ka.

“Jemi në pritje të ligjit për sportin. Thuhet se në 3 dhjetor do të kalojë dhe miratohet. Uroj që të ndodhë kështu pasi ngelën njerëzit rrugëve. Nuk po e kuptoj pse po e zgjasin kaq shumë. Duhet patjetër që të miratohet pasi pa ligj nuk e mbajmë dot. Nuk ka mundësi financimi, nuk ka lekë të hedhur në erë. Ne jemi duke diskutuar me Bashkinë e Vlorës për zgjidhje. Kam pasur një takim me juristin e bashkisë dhe jemi drejt mbylljes së marrëveshjes. Të paktën me këtë mënyrë ligjore që do të ndjekim, unë dua që të mbyll detyrimet e mia që kam. Nëse nuk del ligji, unë mbyll edhe këto detyrimet e mia që kam dhe le ta mbajnë vetë.

Idrizi-750x430

Unë do ta çoj deri në fund detyrimin tim me apo pa ligj, pasi kontrata e tillë është. Aktualisht, Flamurtari ka bashkinë pronare 100%, por sponsorizohet 100% nga kompanitë turke, nga privati. Këtu nuk ka sens fare. Le të dalë ligji dhe 1% tatimfitimi, të fillohet historia. Nuk është vend korporatash Shqipëria. Nuk ka vend që njerëz të investojnë si biznes futbolli, jo këtu, po as në vendet më të zhvilluara. Vendos një limit në këto kushte, Superioren me 16 ekipe dhe tre që rrëzohen. Unë mendoj se ligji do të kalojë më 3 dhjetor dhe nuk do të sfumohet nga situata e tërmetit. Na vjen keq për këtë fatkeqësi, por nuk kemi çfarë të bëjmë, janë punë të Zotit. Jeta vazhdon”, u shpreh Idrizi.

ZGJIDHJA PROVIZORE

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, tha se e ka një zgjidhje provizore për likuidimin e lojtarëve. Për këtë, është duke punuar me juristin e bashkisë, duke përpiluar letrat zyrtare.

“Juristi i Bashkisë së Vlorës është duke përgatitur letrat. Kemi vendimin juridik për ta zgjidhur këtë situatë dhe për të dhënë detyrimet që ne kemi ndaj lojtarëve dhe stafit teknik. Jemi drejt mbylljes së pikave të kontratës, që krahas kompanive aktuale A dhe B, kemi edhe nën kompani të tjera, C, D, që do të bëjmë detyrimet. Unë nuk dua nga bashkia asnjë fond emergjence. Kolegët e mi që kanë klubet e tjera marrin lekë nga bashkia, unë jo dhe jam krenar që sa jam në krye të klubit nuk do të ndodhë që të marr asnjë qindarkë”, tha administratori.

TATIMET 

1.4 miliardë lekë kanë shkuar borxhet në Tatime të Flamurtarit për sigurimet shoqërore. Administratori Idrizi thotë se kjo çështje zgjidhet vetëm me ligjin për sportet, ndërsa pranon se kontot bankare vijojnë që të jenë të bllokuara, por kjo nuk e pengon që të paguajë detyrimet ndaj lojtarëve.

“Kontot bankare janë të bllokuara. Nuk më janë bllokuar sot, por prej kohësh. Kjo çështje që ka të bëjë me Tatimet, zgjidhet me ligjin për sportin. Por le të qëndrojnë tek e bllokuara: Kjo nuk do të na pengojë për detyrimet që kemi, pasi do të kemi kontot e bashkuara”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"