EKSKLUZIVE/ Kupa si Halloween, raportet për trukime e detyruan FSHF të futej në dhomat e zhveshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2019 | 21:45

EKSKLUZIVE/ Kupa si Halloween, raportet për trukime e detyruan FSHF të futej në dhomat e zhveshjes

Shqipëria ka skuadrën më të dënuar për trukime, me një akuzë të bazuar në sistemin e luhatjes së koeficienteve të basteve.

halloween sportradar

Së fundmi, një fenomen i tillë vjen çdo ditë e më shumë si një dyshim nga kompanitë e specializuara që sinjalizojnë për ndeshje jo të rregullta dhe “Fair Play”. Kjo ka bërë që edhe institucioni i futbollit në vend të alarmohet jo pak, duke u detyruar që të ndërmarrë edhe një lëvizje sensibilizuese dhe paralajmëruese për të gjitha klubet. “Panorama Sport” ka mësuar edhe veprimin e të gjithë delegatëve të ndeshjeve para startit të takimeve në ndeshjet e kthimit në Kupën e Shqipërisë.

KUPA

ALARMI – Me gjithë paralajmërimin e gazetës, që në start të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë për raportet dhe skanimin e ndeshjeve nga kompania “Sport Radar”, duket se nuk u mor shumë parasysh. Në vendin tonë, në përfundim të 90- minutëshave të parë, mësohet të kenë mbërritur shumë “alarme” për ndeshje të dyshuara si të paracaktuara.

E pas këtij veprimi nga organizmat e specializuar, të njohur dhe të kontraktuar edhe nga vetë UEFA për të skanuar ndeshjet në vendet evropiane, FSHF është vënë në lëvizje. “Panorama Sport”, nga burime të besueshme pranë institucionit të futbollit, ka mësuar se të gjithë delegatët në ndeshjet e kthimit janë urdhëruar që të lexojnë një material paralajmërues për të gjithë lojtarët dhe drejtuesit e ekipeve.

Gazeta ka mësuar se bëhet fjalë për një material që i vë në dijeni dhe i paralajmëron futbollistët dhe drejtuesit e skuadrave se janë nën monitorim dhe se paracaktimi i rezultateve të ndeshjeve është një vepër penale. Kështu që, lojtarët në ndeshjen e kthimit kanë marrë një sinjal të drejtpërdrejtë për çfarë kanë bërë dhe çfarë nuk duhet të përsëritin.

SITUATA – Megjithëse në vendin tonë Skënderbeu është shembulli konkret i dënimit më ekstrem të deritanishëm për një klub futbolli bazuar në luhatjen e koeficienteve të basteve, shtuar edhe faktin e raporteve nga “Sport Radar”, sidomos për ndeshjet e Kupës, me sa duket, klubet shqiptare nuk janë kursyer aspak. Kësisoj, të gjitha raportet që mbërrijnë në federatë, kanë tashmë një procedurë standarde që i dërgohen prokurorisë në rrugë zyrtare, e cila merr në shqyrtim të gjitha sinjalizimet. Rreziku në këtë rast është i rëndë, pasi bëhet fjalë jo më për dënime sportive, por për dënime penale.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"