EKSKLUZIVE/ “Kukësi e ka derbi me Tiranën, unë nuk humbas”, Duro: Kur isha te Partizani, nisi pathyeshmëria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2019 | 21:27

EKSKLUZIVE/ “Kukësi e ka derbi me Tiranën, unë nuk humbas”, Duro: Kur isha te Partizani, nisi pathyeshmëria

Shpëtim Duro po bën edhe psikologun në stërvitje. Trauma që ka pushtuar vendin tonë, ka prekur edhe lojtarët e Kukësit.

dURO

Trajneri, për të mbajtur të bashkuar grupin dhe për ta kaluar më lehtë ngarkesën psikologjike, po i kryen seancat me shumë pozitivitet. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai e quan ndërprerjen e kampionatit të domosdoshme. E megjithatë, nuk e fsheh se ndalesa po i vjen në ndihmë për të rikuperuar në masën 100% futbollistët, para përballjes delikate me Tiranën. Këtë të fundit e quan një derbi dhe pret që ta fitojë.

Kjo ndërprerje e paparashikuar e kampionatit, ju prishi punë apo ju shërbeu?

Sigurisht që ishte një ndërprerje e paparashikueshme, por e detyrueshme. Nuk e kishim menduar një katastrofë të tillë natyrale. Gjithsesi, ndalesa na shërben. Edhe pse në ndeshjen e fundit ishin të gjithë lojtarët, kishim pak ditë stërvitje në këmbë prej dëmtimeve. Tani mund të them që do të jenë të gatshëm plotësisht.

kukesi

A ka ndikuar në gjendjen emocionale apo psikologjike kjo situatë?

Gjendja emocionale e rënduar pas kësaj fatkeqësie natyrore është transmetuar edhe te lojtarët. Kanë pasur ankth, frikë, shtëpitë etj., por stërvitjet i kemi bërë me shumë pozitivitet, për ta kaluar bashkë këtë traumë dhe për ta humbur disi mendjen.

Do të ndërmarrë Kukësi ndonjë nismë solidariteti?

Drejtuesit e klubit kanë marrë nisma. Patjetër që do të mundohemi të kontribuojmë. Jemi me gjithë zemër e shpirt me çdo person që i ka ndodhur fatkeqësi.

Të kalojmë pak te futbolli. Pas 13 javësh kampionat, cila ka qenë ndeshja që vazhdoni ta kujtoni dhe ju ka mbetur peng?

Ka shumë ndeshje që na kanë mbetur peng, sidomos ato ku kemi lënë pikët. Kujtoj Vllazninë, kemi dominuar, por jemi goditur me kundërsulme. Ndaj Bylisit, Teutës apo edhe në Laç, me pak kujdes do kishim marrë shumë më tepër dhe do të ishim akoma më lart. Tashmë të mundohemi të ecim para dhe të rregullojmë çdo gjë që mund të bënim më mirë.

shpetim duro

Shumë dëmtime në këta dy muaj. Është rastësi apo vjen prej fushës me bar sintetik ku stërviteni prej kohësh?

Dëmtimet kanë qenë të ndryshme dhe të shumta, e dimë që terreni sintetik nuk është në perfeksion për stërvitjen e një skuadre, por këto elemente janë pjesë e garës dhe s’u shmangemi dot. Tashmë, shpresoj që të mos kemi më.

Me Tiranën do të luani të shtunën tjetër, duke pasur kohë të mjaftueshme. Çfarë prisni ndryshe nga skuadra?

Kemi një javë kohë për ta përgatitur për këtë ndeshje të fortë. Tirana kërkon respekt maksimal, pasi ka individualitete dhe është një skuadër që s’ka nevojë për komente. Por në të tilla takime, skuadra jonë nuk ka nevojë për motivim. Kur luan me Partizanin e Tiranën, skuadra karikohet vetë. Kjo është arsyeja se pse kemi dal mirë me to.

Kur keni drejtuar Partizanin, derbin nuk e keni humbur kurrë. Do të keni të njëjtin fat edhe në krye të Kukësit?

Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, e sidomos një derbi. Përballjet me Tiranën kanë qenë gjithnjë të veçanta. Siç theksuat dhe ju, statistikat kanë qenë të mira. Madje, seria e pathyeshmërisë së Partizanit nisi kur e drejtoja unë ekipin. Qysh në 2014-ën, nuk u mund asnjëherë. Edhe me Kukësin, do ta trajtoja si një derbi. Edhe pse është disi ndryshe, pasi momentalisht Kukësi vuan fushën dhe vuan spektatorët. Është ndryshe të luash para 20 mijë spektatorëve.

shpetim duro teqja

Kukësi ka shumë kualitete, veçanërisht në sulm. Mund të na thoni ndonjë lojtar që nuk ka dhënë atë që pritet?

Unë e kam dëgjuar shpesh prej specialistëve se Kukësi ka individualitete. Nuk mund ta mohoj, por ata nuk mungojnë as te Tirana, Partizani e Skënderbeu. Te ne bëhet shumë zhurmë e madhe. Kemi Abazajn dhe Gavazajn, që janë kualitete për cilësitë dhe vlerat që kanë shprehur edhe në sezonet e kaluara, por të dy u afruan me shumë vonesë. Abazaj erdhi pa fazë përgatitore. Gradualisht ai po e rimerr veten, është një djalë jashtëzakonisht shumë serioz në stërvitje dhe jep maksimumin në fushën e lojës. E nisi në javën e 4-t, bëri mirë dhe pastaj një dëmtim rrugës e ndali, por u rikthye. Gavazaj ka qenë i plotë, ka luajtur pothuajse të gjitha ndeshjet. Është lojtar me cilësi, por ne presim më shumë pasi mundësitë janë reale. Ne parashikojmë, kemi besim që të dy të japin më shumë.

Po të tjerët…?

Jam i kënaqur me Shkurtajn, pasi deri pa u dëmtuar ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit, por ndalesa e tij për shkak të dëmtimit na prishi shumë punë. Shpresoj që deri në ndeshjen me Tiranën ta marrë veten dhe të rikthehet. Pres shumë nga ekipi. Ethemi dhe Limaj ishin perfekt në 4 javët e para, por dëmtimet i kushtëzuan. Nuk e kapën ritmin e fillimit të kampionatit. Përgjithësisht pres shumë, por kam besim te lojtarët.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"