EKSKLUZIVE/ Bregun e kërkojnë në Sllovaki, Skënderbeu “fërkon” duart. Klubi gati të shesë dhe dy lojtarë të tjerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 21:52

EKSKLUZIVE/ Bregun e kërkojnë në Sllovaki, Skënderbeu “fërkon” duart. Klubi gati të shesë dhe dy lojtarë të tjerë

Skënderbeu ka tre lojtarë të përfshirë në vorbullën e merkatos dhe pritshmëritë e klubit bardhekuq në këtë moment janë mjaft të mëdha për të përfituar shuma të konsiderueshme financiare nga lëvizjet e tyre që në janar. 

dejvi bregu

Përveç Nazmi Gripshit, për të cilin gazeta ka publikuar pak ditë më parë se po vëzhgohet me kujdes nga ana e Teplices në kampionatin çek, ndër më të kërkuarit janë edhe Dejvi Bregu e Jorgo Pëllumbi, për të cilët ka një interesim konkret Zilina në Sllovaki dhe Gent në Belgjikë.

Burime të sigurta pranë klubit korçar i treguan dje “Panorama Sport” se në adresë të këtyre tre futbollistëve kanë ardhur oferta konkrete qoftë konkrete, qoftë nga klube të Europës Qendrore, ashtu edhe Ballkani. Drejtuesit e Skënderbeut, duke parë edhe situatën jo të mirë financiare që po kalon klubi, janë duke vlerësuar gjithçka, aq më tepër që nuk duan të humbasin shansin me Bregun, i cili në verën e vitit 2020 del lojtar i lirë dhe kësisoj duhet të shitet në janar. Aktualisht palët janë në bisedime dhe klubi i Skënderbeut pret ofertat zyrtare nga skuadrat e interesuara.

BREGU – I pari në listën e transferimeve është Dejvi Bregu. Sulmuesi vlonjat e ka pranuar disa herë personalisht se në janar pret ndihmën e klubit për të gjetur një sistemim tjetër në ndonjë klub europian. Duke u nisur edhe nga fakti se kontrata e këtij futbollisti përfundon në qershorin e vitit të ardhshëm, Skënderbeu është i interesuar për të pritur ofertat e ndryshme.

dejvi bregu

Burime të sigurta në klub bënë me dije se janë disa ekipe, të cilat janë interesuar për shërbimet e vlonjatit, teksa një pjesë e mirë e tyre janë ekipe ballkanike. Por, po të njëjtat burime bëjnë me dije se Zilina në kampionatin sllovak është ekipi i cili insiston për të arritur një akord me Skënderbeun për të siguruar shërbimet e Bregut. Klubi në këto momente është duke mbledhur informacionet e duhura dhe vlerësuar interesin e klubeve të ndryshme për të zgjedhur më pas ofertën më të përshtatshme për ta shitur.

PËLLUMBI – Ndonëse u fol se do të largohej gjatë verës nga Skënderbeu dhe diçka e tillë nuk shkoi drejt një fundi të lumtur, e ardhmja e Jorgo Pëllumbit duket se është gjithnjë e më larg korçarëve. Interesimi i Gentit mësohet se është i vazhdueshëm dhe klubi belg po ndjek me vëmendje ecurinë e mbrojtësit në kampionatin shqiptar.

Oferta e parë sipas asaj çka bëjnë me dije burimet në klub nuk ka përmbushur pritshmëritë e presidentit Takaj. Pëllumbi është vetëm 19 vjeç dhe për më tepër pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Palët janë duke negociuar për një zgjidhje të mundshme që të lerë të kënaqur të dyja palët. Normalisht që Skënderbeu për të tre futbollistët ka pretendimet e veta dhe sipas asaj çka raportohet kërkon të marrë një shumë jo më të vogël se 800 mijë euro. Megjithatë, çdo gjë mbetet e hapur deri në janar.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"