EKSKLUZIVE/ “Bëmë 80 mijë ta vërshëllejnë ekipin e tyre”, rrëfehet Gjasula: Reja e parandjeu Andorrën, ju tregoj Dortmundin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2019 | 19:39

EKSKLUZIVE/ “Bëmë 80 mijë ta vërshëllejnë ekipin e tyre”, rrëfehet Gjasula: Reja e parandjeu Andorrën, ju tregoj Dortmundin

Paderborn barazon 3-3 në shtëpinë e Dortmund dhe Klaus Gjasula del lojtari më i mirë mbi 13 kilometra të bëra në një stadium tejet të zhurmshëm. 

Gjasula

Si një simpatizant i lojës së Dortmundit, kapiteni i ekipit të fundit në Bundesligë tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” ndjesinë në “Signal Iduna Park”, por ndalet edhe tek edicioni me Kombëtaren dhe ndjesia që i jep fanella kuqezi.

“Gladiatori” rrëfen edhe parandjenjën e trajnerit Reja për sfidën me Andorrën si dhe analizon realitetin e kuqezinjve me çfarë janë mundësitë reale sipas tij. “Keqardhje që barazuam pasi shënuam 3 gola në 45′”, thotë ai.

Gjasula, 1 pikë Dortmundit, sa keqardhje që nuk e ruajtët avantazhin?

Ishte edhe kënaqësi, por edhe keqardhje. Mirëpo, në fund të ndeshjes, mund të them se patëm më shumë keqardhje për mënyrën se si mbaroi.

Gjasula55

Si ishte të shënonit 3 gola në fushën e Dortmundit për 45 minuta në një stadium të zhurmshëm, duke qenë ekipi i vendit të fundit?

Ishte fantastike! Në 45 minutat e pjesës së parë bëmë të mundur që 80 mijë tifozët ta vërshëllenin ekipin e tyre. Si kundërshtar në atë fushë është e tmerrshme prej atmosferës që krijojnë tifozët e Dortmundit. Vërtet s’di ta shpjegoj me fjalë.

Çfarë ndodhi në pushim? Sikur Paderborn vetëm kishte festuar ato 15′? 

Jo! Ne e dinim që duhet të kishim kujdes edhe në pjesën e dytë. Madje folëm për këtë, sepse Dortmundi ka kualitet shumë të madh dhe po të bënin një gol, do të zgjonin edhe tifozët e tyre dhe do të na bëhej… Në fakt, ashtu ndodhi. E gjitha çfarë na eci neve në pjesën e parë, na u kthye në të kundërt në të dytën.

Keni deklaruar se e pëlqeni Dortmundin për lojën që bën. Si u ndjetë si kundërshtar përballë ekipit që simpatizoni? 

Po, e pëlqej shumë. E dija se do të bëhej një ndeshje shumë e vështirë. Gjithsesi, nuk ka gjë më të bukur që të luash si kundërshtar në atë stadium me atë atmosferë dhe ndjesi që të krijon.

paderborn gjasula

Një ndër lojtarët më të mirë të ndeshjes. Çfarë do të thotë për ty? 

Puna ime është që në fushë të jap më të mirën në çdo moment, jo të vlerësoj veten. Nëse dëgjon të tilla statistika apo vlerësime që po mi thoni ju, sigurisht që më bëjnë të ndihem mirë mirëpo, në çdo moment, e rëndësishme është që të fitojmë ndeshjen me ekipin.

A keni synime që të qëndroni gjatë në Bundesligë? 

Po. Unë kam punuar gjatë për të arritur këtu dhe për të ikur prapë pas një viti… Kontrata ime mbaron pas këtij viti dhe do të shohim se çfarë mundësish do të kem. Do të vazhdoj në Gjermani apo diku tjetër.

Keni oferta?

Është akoma herët për të diskutuar ofertat. Në pushimin e dimrit, periudha e merkatos dimërore, nisin edhe diskutime të tilla.

Nëse do të kishit mundësi të zgjidhnit, cilin kampionat do preferonit? 

Këtu në Gjermani ose në Itali. Por ju lutem mos më pyesni më tepër për merkato, pasi dua të fokusohem te skuadra ime deri në fund.

Si ishte ky edicion i juaji i parë me Kombëtaren?

Për mua ishte gjëja më e madhe që më ka ndodhur në karrierë, sepse nuk ka gjë më të bukur sesa të luash për vendin tënd, për gjakun tënd. Kur kam ardhur në grumbullimin e parë, situata e grupit ishte që neve na duhej të fitonim çdo ndeshje për kualifikimin. E vështirë…

Sa shanse kemi ne që të sigurojmë një kualifikim? 

Unë mendoj se kemi një ekip dhe një trajner shumë të mirë. Besoj se kemi më shumë mundësi për t’ia treguar të gjithë botës se kush jemi.

Jeni rritur dhe jetoni larg Shqipërisë. Çfarë ndjesie ju jep Kombëtarja? 

Ndihem shumë mirë dhe jam shumë i lidhur me Kombëtaren. Unë nuk e kam pasur asnjëherë mundësinë që të përfaqësoj Shqipërinë dhe këtë herë, përfaqësuesja më rikthen shtëpinë time, vendin tim dhe më bën që të ndiej afër vendlindjen, gjuhën e gjithçka tjetër. Dëshirën për Shqipërinë e kam pasur gjithmonë, por me Kombëtaren po më kthehen këto ndjesi të shumëfishuara.

Klaus, pse ajo mbyllje e edicionit, sidomos barazimi ndaj Andorrës? 

E di që nuk ishte mbyllja më e mirë. Po të kishim fituar me Andorrën, nuk besoj se do të kishte thënë njeri gjë.

Çfarë ju tha trajneri dhe a u përgatit në mënyrën e duhur ndeshja? 

Në fakt, të gjithë flisnin vetëm për Francën, për stadiumin, për faktin që nuk kishte bileta dhe që do të ishte plot me më shumë se 20 mijë. Mirëpo, ndodhi ajo që nuk duhet. Sigurisht që e vlerësuam ndeshjen, punuam dhe folëm shumë edhe me trajnerin. Para saj, motivimi ynë ishte i madh, sepse edhe trajneri na e bëri të qartë që duhet fituar patjetër, sepse bëjmë në njëfarë mënyre vetëm detyrën. Por, ndodhi ajo që nuk duhej dhe nuk arritëm të fitonim. Dhe kur nuk ia del ndaj një kundërshtari të tillë, sigurisht që trajtohet sikur është bërë nami. Trajneri na e tha shumë herë që të mos mendojmë për Francën, pasi do të jetë shumë e vështirë me Andorrën. Sikur e parandjeu…

Pati nënvlerësim? 

Në atë ndeshje, e pamë edhe një herë se nuk ka rëndësi niveli i kundërshtarit që ke përballë, por vlen shumë që të japësh maksimumin në çdo ndeshje. Nuk them dot që lojtarët nuk deshën ta jepnin maksimumin, pasi vrapuan, punuan shumë dhe provuan gjithçka për të fituar. Por ashtu si shkoi ndeshja, ndodhi që Andorra na bëri dy gola me dy vizita në portën tonë. E të tilla ndeshje janë shumë të vështira për t’u kthyer, pak për atë mendësinë e fillimit që është kundërshtar më i vogël se ti dhe mbi të gjitha për faktin se mbrohen me shumë lojtarë. E theksoj që nuk e nënvlerësuam, por ndodh në mendësinë e lojtarit që e krijon në kokë idenë se mund të mjaftojë në këtë përballje edhe paraqitje me 2 apo 3 % më pak.

Po ndeshja me Francën, keni ndonjë peng? 

Humbja nuk i pëlqen askujt. Ne e provuam ndaj Francës, por ata janë kampionë të botës. Ekipi më i fortë në botë.

Kaq e pamundur, pasi Shqipëria ia ka dalë në Elbasan në miqësore? 

Nuk di të them shumë për atë ndeshje. Por zakonisht, ndaj Francës, duhet që ato të jenë në një ditë shumë të keqe dhe ne të jemi në një ditë shumë të mirë ose ideale, për të pasur shanse që të fitojmë. Në ndeshjen që zhvilluam në Tiranë, pak nga kundërshtari që kishim përballë dhe pak edhe nga stadiumi i ri dhe atmosfera e krijuar, të gjithë donim të bënim më të mirën dhe mbi të gjitha të fitonim në atë stadium. Për të gjithë ne ishte një gjë e re që në Shqipëri të kishim mbi 20 mijë tifozë në stadium ndaj kishim dëshirë maksimale që ta fitonim me patjetër atë sfidë.

Edhe Franca në Shqipëri luajti me disa mungesa, me skemë të re… 

Kur e kërkon një gjë me patjetër, ndodh të mos i bësh gjërat si duhet. E kjo ndodhi edhe ndaj Francës. Megjithatë, nuk mund të them se ne luajtëm shumë keq ndaj tyre, por gjithsesi, Franca i tregoi cilësitë në disa momente të ndeshjes, të cilat i mjaftuan për të fituar.

OLSI TUJANI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"