EKSKLUZIVE/ Belica tregon “kafazin” për Nuabuezen: Ja si e ndalim sulmuesin e Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2019 | 23:03

EKSKLUZIVE/ Belica tregon “kafazin” për Nuabuezen: Ja si e ndalim sulmuesin e Laçit

Egzon Belica iu bashkua Partizanit para dy sezonesh dhe që nga dimri i 2018-ës dhe deri më sot, mbrojtësi nga Struga është një nga “shtyllat” e palëvizshme në mbrojtjen e të kuqve duke i dhënë siguri ekipit. 

egzon belica

Përveç eksperiencës në mbrojtje, 29-vjeçari ka treguar se edhe di të shënojë, pasi në 12 javët e para ka shënuar dy gola dhe të fundit ndaj Flamurtarit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport“, Belica pohon se barazimi në Vlorë nuk i ka vënë në presion si ekip, por sigurisht është rritur shkalla e mobilizimit për të fituar ndaj Laçit.

Mbrojtësi nga Struga përmend rëndësinë e kësaj sfide të radhës, ku vlerëson forcën e kundërshtarit dhe flet edhe për sulmuesin e tyre, Kirjan Nuabueze, i cili është golashënuesi më i mirë i Superiores. Për ta ndalur “bishën” e Laçit, duhet ndërtuar një kafaz, por Belica tregon se si e ka menduar Partizani për të zgjidhur mbulimin e Nuabuezes dhe shënimin e golit.

GJK_0926

Egzon, si e shikoni përballjen e radhës me Laçin?

Presim një ndeshje të vështirë. Po përgatitemi prej 10 ditësh për këtë sfidë, sepse na ndihmoi dhe ndërprerja e kampionatit. E kemi marrë seriozisht. Presim të bëjmë një ndeshje më të mirë se ajo që bëmë në Vlorë. Shpresojmë në rezultat pozitiv.

Përmendët pushimin, sa  i ka vlejtur Partizanit ndërprerja e kampionatit?

Për mendimin tim, ndërprerja e kampionatit ka ardhur në një moment të mire. Besoj se kemi pasur kohën e mjaftueshme për të parë me qetësi se çfarë nuk shkoi mirë në ndeshjen e fundit, ku barazuam me Flamurtarin, si dhe të përgatitemi më mirë për sfidën e radhës me Laçin.

egzon belica

A është rritur presioni në ekip pas barazimit me Flamurtarin?

Nuk do e quaja presion. Nëse e shikon me syrin e trajnerit, mendon se bëmë një ndeshje të mirë. Kishim shumë raste dhe shpërdoruam po shumë. Nga një pakujdesi pësuam golin. Nuk do të thosha presion. Është ende herët të kemi presion, por një fitore me Laçin do të na bënte shumë punë.

Pra, fitorja me Laçin kërkohet me patjetër?

Patjetër që duhet të luajmë mirë dhe të japim maksimumin, të tjerat ia lëmë fushës dhe lojës.

Kundërshtari vjen në një moment pozitiv, sa ua vështirëson kjo misionin në këtë përballje?

Laçi ka ekip të fortë, kanë 4 fitore radhazi, repartin e sulmit e ka mjaft të spikatur, kanë bërë shumë gola. Presim ndeshje të fortë dhe të rrisim nivelin e lojës sonë.

A keni një plan se si mund ta ndalni sulmuesin e momentit në Superiore, Nuabueze, aq më shumë që ju mund të keni një barrë për ta mbuluar kësaj radhe?

Me gjithë meritat që i takojnë sulmuesit të Laçit,i cili ka shënuar 12 gola deri tani në kampionat, ne do të bëjmë lojën tonë. Nuk shikoj ndonjë barrë personale, sepse ne do të sulmojmë dhe do të mbrohemi bashkë si ekip. Shpresoj të bëjmë lojën tonë dhe të mos kemi probleme.

A ndiheni të penalizuar si pritës të takimit, që do luani ndaj Laçit jashtë Tiranës, pikërisht në “Elbasan Arena”?

Jo nuk do e quaja si penalizim. Vërtet është jashtë Tirane, por duke ditur që tifozët tanë nuk mungojnë në asnjë stadium të Shqipërisë, nuk do e quaja si penalizim. Kemi përkrahjen e tyre pa marrë parasysh stadiumin ku luajmë.

Pas 12 javësh kryesoni kampionatin me 2 pikë më shumë se Bylisi i vendit të dytë. A i ka mundësitë Partizani që ta ruajë vendin e parë, të paktën deri në përfundim të fazës së dytë?

Momentalisht jemi vendi i parë dhe do të bëjmë më të mirën tonë, që të vazhdojmë të jemi kryesuesit. Objektivi ynë është të marrim maksimumin e pikëve në çdo ndeshje të mundshme.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"