EKSKLUZIVE/ Alarm në Vlorë, Kushta: Të shpëtojmë Flamurtarin, emri i klubit vlen më shumë se lekët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2019 | 21:14

EKSKLUZIVE/ Alarm në Vlorë, Kushta: Të shpëtojmë Flamurtarin, emri i klubit vlen më shumë se lekët

Sokol Kushta shikon një Flamurtar pa motiv, të hallakatur dhe pa gjendje fizike. Legjenda e futbollit vlonjat i bën apel stafit teknik dhe futbollistëve të vetëmotivohen përpara emrit të madh të klubit.

sokol-kushta1-470x303

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Kushta thotë se të gjitha situatat janë kalimtare, por nëse nuk bëhet kthesa e menjëhershme, Flamurtari rrezikon seriozisht rënien nga kategoria. Ish-futbollisti i shquar vlonjat zbulon se këtë javë do të takohet me kryetarin e bashkisë, Dritan Leli, për të diskutuar rreth një zgjidhje të shpejtë të situatës te Flamurtari, ndoshta për të akorduar edhe një buxhet emergjence për klubin.

Kushta, nuk ka ndodhur ndonjë herë në historinë e Flamurtarit që të realizojë katër humbje radhazi në kampionat. Mund ta cilësojmë si një rekord negativ historik?

Besoj se është një nisje shumë negative e kampionatit për Flamurtarin këtë sezon. Nuk mendoj se ka nevojë për shumë koment.

Mbani mend që Flamurtari të ketë pasur këto rezultate edhe kur mund të ketë qenë në ditët më të errëta?

Ekipi në këto momente ka nevojë për qetësi, pasi çdo gjë që ne mund të themi, ndikon negativisht te skuadra.

sinan idrizi sokol kushta

Çfarë mund të ndryshojë në këtë ekip?

Unë si një sportist i vjetër mund të jap një mendim, por është e pa falshme që ekipi të jetë pa motiv. Është shumë e pa pranueshme që skuadra të jetë pa gjendje fizike dhe e hallakatur në të gjitha drejtimet, si fizike dhe teknikotaktike.

A të jep shpresë ky ekip, apo duhet pritur janari?

Ekipi dhe stafi, për mendimin tim, duhet të vetëmotivohen. E them këtë, pasi as leku dhe as një gjë tjetër nuk të motivon përpara emrit të Flamurtarit. Të gjitha këto situata janë kalimtare.

Sa rrezik ka që Flamurtari të bjerë nga kategoria?

Me këtë nisje aspak të mirë, unë them se rrezikon shumë këtë sezon.

Keni propozuar në Këshillin Bashkiak një buxhet emergjence për Flamurtarin, mendoni se do të arrihet të realizohet nga bashkia?

Për sa i përket idesë sime për një buxhet emergjence, është e drejtë sepse unë në Këshill krahas detyrave të tjera, primare kam sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti. Kam gjetur gjithmonë mbështetjen e kryetarit të bashkisë që është në çdo kohë i gatshëm për ndihmë, siç edhe e tha në fushatën zgjedhore. Kryetari Dritan Leli ka qenë i shqetësuar për këtë ecuri. Besoj se kjo javë do jetë e mbushur me temat e futbollit, shqetësimet dhe diskutimet se si duhet të dalim nga kjo situatë.

Kur mendoni që do të vijë kjo zgjidhje?

Besoj se këto dy ditë do gjejmë kohë të diskutojmë me kryetarin e bashkisë, Dritan Leli, për këtë temë. Gjithashtu, presim edhe nga Parlamenti të shqyrtojë ligjin mbi sportin, që edhe sponsori ynë të vendosë për blerjen përfundimtare të aseteve të Klubit të Futbollit “Flamurtari”. Flamurtari është një aset i të gjithë vlonjatëve kudo që janë dhe ne duhet ta ndihmojmë me pjekurinë tonë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"