“Dridhet” Partizani, Mala dhe Trashi me valixhe në duar. Ja rruga e shpëtimit për “demat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 21:13

“Dridhet” Partizani, Mala dhe Trashi me valixhe në duar. Ja rruga e shpëtimit për “demat”

Partizani është në rrugën e duhur për të mbrojtur titullin kampion, por përveç këtij misioni të kuqtë kanë edhe disa çështje të tjera për të zgjidhur, kryesisht për të ardhmen e disa titullarëve.

Trashi-Mala

Lorenc Trashi dhe Esat Mala mund t’i tregojnë “targën” Partizanit në fund të sezonit, madje pa i sjellë asnjë përfitim arkës së klubit. Të dy lojtarët e spikatur të Partizanit, të cilët janë edhe pjesë e ekipeve kombëtare, në fund të sezonit dalin të lirë. Për të dy lojtarët ka kohë që lakohen zëra merkatoje, por njëkohësisht janë edhe sirena alarmi për klubin.

Trashi dhe Mala konsiderohen me “valixhe” në duar dhe nuk është çudi që ata të ndryshojnë ambient në merkaton e janarit. Partizani, për të evituar më të keqen, që është ikja me parametër zero, duhet të lëvizë shpejt. Rrugëzgjidhjet e pranueshme për Partizanin do të ishin rinovimi i kontratës me të dy titullarët, ose shitja e tyre në janar, në mënyrë që të mbushin arkën e klubit duke parandaluar largimin me parametër zero.

Mala-Trashi Partizani

Të dy futbollistët janë pyetur më herët për të ardhmen e tyre pas ecurisë pozitive me Partizanin dhe ekipet kombëtare, por me diplomaci janë përgjigjur: “Është herët për të folur për të ardhmen, jemi nën kontratë me klubin dhe është Partizani ai që vendos”. Por se sa gjatë vendos Partizani për këta dy lojtarë, mbetet për t’u parë. Për momentin, më e vështirë shikohet arritja e marrëveshjes me Malën, pasi 21- vjeçari është nën përkujdesjen e një kompanie nga Holanda, e cila menaxhon disa yje të futbollit holandez.

Largimi i dyshes në fjalë do të hapte një gropë të madhe te Partizani, pasi bëhet fjalë për lojtarë xhol, të cilët mbulojnë disa role në fushë. Nëse Partizani nuk gjen gjuhën e përbashkët për rinovimet, nuk përjashtohet mundësia që në janar Partizani të hapë tender, në mënyrë që të arkëtojë sa më shumë. Në verë të kuqtë anashkaluan oferta, kryesisht për Trashin, por mbase kanë bërë mirë, pasi me paraqitjen me Kombëtaren, vlera e 27-vjeçarit dhe interesi është rritur.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"