Apolonia i falet mbrojtjes, sulmi “ngel në klasë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 16:01

Apolonia i falet mbrojtjes, sulmi “ngel në klasë”

Nuk ka shkuar më tej se një barazim skuadra fierake në transfertën e Shënkollit. E menduar si një ndeshje e lehtë, nuk ka rezultuar e tillë për Apoloninë.

apolonia

Barazim i merituar, paçka se në fraksione të ndryshme gjatë lojës fitorja mund të shkonte sa në njërën skuadër te tjetra, teksa momentin më të artë e ka pasur Apolonia në shtesë, kur Smaçi është nxituar dhe me portë thuajse bosh ka goditur traun. Edhe pse sfumoi një mundësi të mirë për më tepër pikë në renditje, Apolonia sërish mbetet në treshen e parë të Grupit B. Dikton Lushnja me 12 pikë, ndërsa bardhejeshilët ndajnë vendet 2-3 me Devollin, me nga 10 pikë. Është hera e parë që Apolonia nuk shënon në këto 5 javë dhe për këtë gjë kanë meritë shënkollasit, po aq sa edhe vaktësia që kanë treguar në pjesën ofensive vetë fierakët.

Sa për krahasim, Apolonia ka shënuar 6 gola në 5 javë, 1 gol më pak sesa ka shënuar vetëm Mikel Canka i Lushnjës dhe po aq sa ka shënuar vetëm Artion Alillari i Pogradecit. Por te fierakët ka një tjetër “trend” të çuditshëm, këtë herë në kahun pozitiv dhe që ka të bëjë me prapavijën. Ndonëse nuk ka lojtarë stabël në mbrojtje, ku gjysma e repartit është e adaptuar, Apolonia ka pësuar vetëm 3 gola. Ka mbrojtjen më të mirë të Grupit B deri tani.

Vetëm Erzeni i Grupit A ka pësuar më pak, vetëm 1 gol. Me rikuperimin e Cekës së dëmtuar apo edhe përshtatjes së ganezit Ofori, prapavija e Apolonisë pritet të fitojë më tepër stabilitet javët në vazhdim. Sfida kryesore tashmë i mbetet pjesës sulmuese.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"