57 mijë vetë në stadium, historia e veçantë me polakun Levandovski që u prezantua dy herë: Vij për Champions-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2022 | 18:00

57 mijë vetë në stadium, historia e veçantë me polakun Levandovski që u prezantua dy herë: Vij për Champions-in

Në Barcelonë është “Levandovski mania!” Sikurse kishte parashikuar klubi katalanas, dje në mesditë Barcelona ka prezantuar sulmuesin e saj, Robert Levandovski, në stadiumin “Camp Nou”. Për sulmuesin e ardhur me zhurmë nga Bajerni i Mynihut ky ishte prezantimi i dytë me fanellën e Barçës. Klubi i kishte bërë një prezantim të shkurtër edhe në SHBA-së gjatë turneut veror të katalanasve.

fbl-esp-liga-barcelona-3-1000x600

Këtë herë ka qenë krejt ndryshe, pasi prezantimi është bërë në tapetin e stadiumit “Camp Nou” aty ku polaku do të bëjë prezantimin e tij të parë të dielën në mbrëmje në miqësoren kundër Pumas të Dani Alveshit. Përtej të nxehtit asfiksues në Barcelonë, prezantimi i polakut ka bërë jehonë, teksa mediat raportojnë se të pranishëm në “Camp Nou” kanë qenë afro 57 mijë vetë.

Ovacionet në stadium kanë qenë të mëdha, teksa polaku ka shkelur në barin e stadiumit në orën 12:35, teksa ai ka pozuar para tifozëve me fanellën me numrin 9, ndryshe nga 12- ta që mbajti në SHBA. Në krah të Levandovskit, gjatë prezantimit të tij ka qenë edhe agjenti izraelit, Pini Zahavi, personi që mundësoi transferimin e Levës nga Bajerni në Barcelonë.

Me këtë rast, ka qenë presidenti Laporta, ai që ka falënderuar publikisht Zahavin për këtë “dhuratë”. “Faleminderit Pini, falë teje Leva është te Barça”! Më pas radha i ka ardhur sulmuesit për të folur në momentin e prezantimit me fanellën e Barcelonës.

“Jam krenar dhe i lumtur që ndodhem këtu. Ka qenë një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por në fund gjithçka u mbyll paq dhe tani ndodhem këtu. Do të bëj gjithçka për t’iu gëzuar me sa më shumë gola”, tha polaku. E menjëhershme ndërhyrja e presidentit Laporta: “Në çdo ndeshje do të shijojmë magji në stadium”. Si për të ndezur dhe më shumë turmën, Levandovdski u është drejtuar tifozëve të Barçës në gjuhën katalane.

SFIDË REALIT – Më tej ceremonia e prezantimit të Levandovskit ka vijuar me palexhot e zakonshme të topit në fushë për të kaluar te konferenca për shtyp me mediat. Këtë herë nuk ka qenë një monolog, por polaku i është përgjigjur interesit të jashtëzakonshëm të mediave. Përtej të tjerave, fokusi i mediave spanjolle ka qenë te rivaliteti mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, si dhe dueli mes dy numrave nëntë, Robert Levandovski dhe Karim Benzema.

“Pas 8 sezonesh të shkëlqyera te Bajerni, transferimi te Barcelona ishte hapi logjik që duhet të bëja në karrierën time. Kam punuar shumë për këtë moment, ndaj jam krenar. Besoj se së bashku do të përjetojmë emocione të mëdha. Jam gati për t’u përballur me Realin e Madridit. Ata janë të fortë, por ne duhet të fitojmë terren. Benzema? Është një sulmues i madh, por unë nuk jam këtu për të bërë garë me Benzemanë, jam këtu për të fituar titullin në La Liga dhe Ligën e Kampioneve me Barcelonën”, tha sulmuesi 33-vjeçar.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"