55-vjetori i lindjes, Bizhdili pret dhurata nga “derbi” i veçantë me Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2018 | 13:42

55-vjetori i lindjes, Bizhdili pret dhurata nga “derbi” i veçantë me Egnatian

Për dekada të tëra, qyteti i Rrogozhinës është varur administrativisht nga Kavaja. Për dekada me radhë, tifozët nga Rrogozhina vinin me makina të rastit, biçikleta, motorë, madje disa edhe në këmbë për të parë e mbështetur Besën në elitë. I sollëm këto fakte për të dalë në konkluzionin se takimi i sotëm mes Besës dhe Egnatias pritet që, krahas asaj çfarë do të prodhojë në fushë, të jetë edhe festë takimesh, dreka e kafe mes krushqish e miqsh të vjetër.

Bizhdili

Nëse Egnatia turpëroi Besën vjet 5-1 në Kavajë, para, gjatë dhe pas takimit, jo vetëm nuk ndodhi asnjë incident, përkundrazi pas ndeshjes kavajas e rrogozhinas u ulën në kafet afër stadiumit duke bërë shaka mes tyre. Fundja futbolli është argëtim, festë dhe i tillë duhet të jetë në çdo stadium e fushë futbolli në Shqipëri.

NJOHJET

Pavarësisht kësaj atmosfere miqësore, në fushë pritet të ketë “luftë” të vërtetë ku secili ekip do tentojë fitoren. Nga stafi te Egnatia janë treguar më të heshtur në deklaratat mediatike, por ata e njohin “dhëmbë e dhëmballë” Besën, pasi thuajse në çdo takim shefi i klubit, Petrit Hazbiu dhe zv/trajneri Agron Aliu si tifozë të thekur të saj, e kanë ndjekur në çdo takim.

besa

Shto këtu faktin se trajneri i ri i Egnatias, Ilir Duro, është ish-trajner i Besës dy vite më parë, gjë që e bën sfidën edhe më të ndezur. Ndërsa stafi verdhezi ka preferuar ta thotë hapur se dëshiron të dalë e fituar nga Rrogozhina në rrugën drejt Superiores. Sido që të vejë, sot do të ketë dreka, birra, kafe mes miqsh para dhe pas ndeshjes.

FESTA

Te kavajasit dje ka pasur festë. Presidenti i skuadrës, Nexhat Bizhdili, ka festuar 55-vjetorin e lindjes. Ai është takuar me lojtarët dhe i ka qerasur përpara seancës së djeshme. “Në ambientet e stadiumit ekipi ka festuar ditëlindjen e presidentit para seancës së fundit stërvitore për ndeshjen kundër Egnatias.

begeja besa

Për këtë ndeshje është vendosur dhe premio në rast fitoreje”, ka lajmëruar klubi. Ndërkaq, Bizhdili u ka kërkuar lojtarëve që dhurata më e bukur për të do të ishte fitorja në ndeshjen ndaj Egnatias. Më pas, të gjithë lojtarët, pjesëtarët e stafit dhe presidenti Bizhdili kanë shkrepur një foto të përbashkët. Trajneri Gentjan Begeja ka dhënë udhëzimet e fundit për këtë përballje të rëndësishme që do të luhet sot në orën 14:00 në stadiumin e Rrogozhinës.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"