Zmijani: Merkatoja e Vllaznisë dështoi, sindikata nuk na vlerësoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2020 | 22:36

Zmijani: Merkatoja e Vllaznisë dështoi, sindikata nuk na vlerësoi

Hysen Zmijani ësh të i shqetësuar për Vllazninë. U bënë vite që klubi që prodhonte sulmues me bollëk, merr të huaj për golat. Produkti vendës ka gjithnjë e më pak hapësira, e megjithatë për “Mjeshtrin e merituar të sportit” kjo çështje është tejet komplekse. Ai evidenton se lojtarët e ardhur nga jashtë janë në një nivel të barabartë me shkodranët, por skeptik është edhe për këta të fundit.hysen zmijani

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i djathtë e cilëson merkaton e kryer në hyrje të sezonit tërësisht të dështuar derisa 3 nga 6 të huajt u larguan. Nuk kishte si të mos fliste për turneun e bamirësisë, ku hapur shfaqi indinjatën për mungesën e një ftese.

Vllaznia po vuan për një sulmues, por në anën tjetër vazhdon të lëshojë produkte vendëse. Si e përktheni këtë gjë?

Kemi të bëjmë me një temë tejet komplekse, ndonëse shkurtimisht mund të them se po ndiqet kjo politikë: merren të huaj dhe po largohen shkodranët. Ajo që vërej dhe është e dukshme, me ndonjë përjashtim të vogël, se ata që kanë ardhur nga jashtë nuk kanë bërë diferencë me lojtarët tanë. Madje, kanë qenë të barabartë me disa prej shkodranëve që sot janë në skuadër. Jam disi skeptik edhe me të rinjtë për të cilët po thuhet “pse nuk janë mbajtur te Vllaznia?”. Unë nuk i di arsyet, por konstatoj për aq sa i kam ndjekur, se nuk kanë dhënë asnjëherë atë që kanë dhënë me ekipet e tjera. Nuk dua të futem shumë në emra, por në tërësi është kjo. Pastaj sa u është dhënë hapësirë apo të tjera si këto, i dinë të tjerët. Për mua është një çështje më komplekse.

Tre te huaj nga gjashtë që u afruan në nisje të sezonit janë larguar. Vendim i drejtë i klubit?

Nuk kam dashur të flas për këtë çështje, pa përfunduar kjo pjesë e parë e sezonit. Por dua të them se ka qenë merkatoja më e keqe e bërë për të huajt këto vitet e fundit. Në kohën tonë nuk na pyeste kush se çfarë hallesh personale kishim. Nuk na ka lejuar kush që të rrinim jashtë fushave të dëmtuar për një kohë të gjatë. Kanë bërë gjithçka që rikthimi të ndodhte në kohë rekord. Kjo nuk po ndodh më. Të gjithë të huajt kanë zhgënjyer në një formë apo në një tjetër. Largimi i tre nga gjashtë të huajt dhe me minutat që kanë luajtur, është tregues i kësaj që po them.Zmijani

Pra, doni të thoni se merkatoja e verës është e dështuar?

Absolutisht që po.

Pse po has kaq shumë probleme Vllaznia?

Duke qenë në varësi të bashkisë, ndodh kjo. Duhet që Bashkia Shkodër dhe drejtuesit e saj të shfaqin gatishmërinë për ta shitur Vllazninë dhe kjo do u hapte rrugën atyre që duan ta marrin për privatizim. Thonë që nuk paska interes, por unë them që ka. Por fillimisht le të ndërmarrin hapin dhe ta lëshojnë klubin, pasi vetëm kështu ndryshon Vllaznia. Unë di që interesim ka.

Tifozët shkodranë donin që edhe Hysen Zmijani të ishte në fushë me fanellën e Shqipërisë për turneun e bamirësisë. Keni ndonjë koment për mungesën e një ftese?

E kam veshur për 11 vite me radhë këtë fanellë, por si unë janë edhe Jera, F.Rragami, Demollari, Ocelli apo edhe ndonjë tjetër, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk ua përmenda emrat. Por asnjëri prej tyre nuk u thirrën në këtë event. Ne do të nderoheshim edhe me një prani në stadium pikësëpari, por në mënyrë simbolike duhet të ishim edhe në fushë për aq minuta sa dhanë të tjerët. Do të kishim forcë. Ne duam respekt dhe kjo është normale për atë që kemi dhënë. Në këto evente çdokush duhet respektuar pak çaste. Po ndihemi të pavlerësuar për atë që kemi dhënë për këtë sport në këtë vend.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"