500 mijë euro për gjysmë ore “punë”, ja jeta e Usain Boltit pa garat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2022 | 17:52

500 mijë euro për gjysmë ore “punë”, ja jeta e Usain Boltit pa garat

“Njeriu i Erës”, personi më i shpejtë që planeti ka njohur, ka vendosur që të dalë në pension që prej vitit 2017, ndonëse ai do të mbetet pa dyshim atleti më i rëndësishëm në botë, atleti më i rëndësishëm i të gjitha kohërave, derisa dikush të tentojë dhe më pas të provojë të mundë rekordin e tij në 100 (9 sekonda e 58 të qindtat) dhe 200 metrave (19 sekonda e 19 të qindtat). Madje, nëse kërkon në “Google” rreth tij, pyetja që klikohet më shpesh është: “Çfarë bën aktualisht Usain Bolt”? Ish-sprinteri vazhdon që të jetojë në Xhamajkë, por siç raportojnë edhe shumë prej fotove të tij, ai lëviz shpesh mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës, në bordin e avionëve privatë e luksozë. Muajin e ardhshëm do të festojë 36- vjetorin e tij, por sërish Bolt është një ndër imazhet më të kërkuara në botë, nga markat më prestigjioze, të cilat i lejojnë që të vazhdojë të bëjë një jetesë prej një mbreti të shpejtësisë.

boltii

ENDE STËRVITET

Vesi nuk shqitet kurrë dhe sot e kësaj dite, Usain Bolt vazhdon që të ushtrojë dhe të mbajë në formë këmbët e tij. Gjithsesi, vrapimet janë zëvendësuar nga një biçikletë palestre në sallonin e shtëpisë së tij luksoze, pasi siç thotë vetë Bolt, “një si unë që ka gjithë jetën që vrapon, është e pamundur që të rrijë në vend. Madje, jam i dënuar që të vazhdoj ta mbaj trupin në formë, pasi nuk dua që edhe tani që jam tërhequr, të tjerët të mahniten nga ndryshimi im i mundshëm për keq, si rrjedhojë e lamtumirës nga sporti”.

BABA MODEL

Ata që e ndihmojnë dhe ia bëjnë më dëfryese stërvitjet Usainit janë dhe tre fëmijët e tij, hiperaktivë njësoj si ai: Olimpia, më e madhja dhe dy binjakët, Thandër dhe Leo, të lindur nga bashkëshortja Kasi Benet. Në vendlindje flasin se shëtitjet dhe aktivitetet e “Njeriut të Erës” me fëmijët e tij janë të shumta, madje Usain di që të jetë gjithmonë babai perfekt.

SPONSORËT

Edhe pse jashtë aktiviteti, Bolt mbetet një imazh shumë i rëndësishëm në 360 gradë. Ai është imazhi kryesor i kompanisë prestigjioze të sigurimeve, “Allianz”, e cila përveç se e paguan me flori, në të njëjtën kohë i plotëson xhamajkanit tekat që ai të marrë pjesë si ambasador i markës edhe në turne të rëndësishëm golfi apo basketbolli, thjesht sa për të dëfryer ambicien e Usainit. Dhe duke mbetur te paratë, Bolt duket se e ka kohën shumë të vyer, ashtu siç kërkonte në pistë rekord pas rekordi. Sepse kushdo që kërkon të ketë me atë një kontratë pune, qoftë edhe ta diskutojë atë përpara se të hedhë firmën, Usain Bolt kërkon 500 mijë euro për gjysmë orë. Një çmenduri e konfirmuar edhe nga revista “Forbes”, ndonëse e vetmja kompani që mund të mburret se nuk paguan minutat e ish-atletit është “Puma”, e cila ishte dhe do të mbetet një sponsor i përjetshëm i Boltit, kontratë nga e cila ai fut çdo 12 muaj në xhep 9 milionë dollarë.

PASION USHQIMIN

Po çfarë mund të bëjë një pensionist me 9 milionë dollarë të sigurta çdo vit, por edhe më shumë sesa kaq? Usain Bolti mësohet se është i fiksuar pas ushqimit, por edhe shumë strikt në dietat që vazhdon të mbajë, që nga koha kur ushqimi e ndihmonte që të ishte një “raketë” edhe në pistë. “Vizitoj shefat e gatimit më të mirë në botë, pasi dua që të ndihem në paqe me trupin tim”, shprehet Bolt, i cili si pjatë të preferuar ka pulën, mëlçinë, patatet e skuqura në darkë shoqëruar me karkaleca deti, por mbi të gjitha banane jeshile, frut të cilin shpeshherë e konsumon edhe të skuqur në tigan. E si mund të mos ishte i veçantë Usain Bolti?! ‘

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"