50 trofe në fushë, Vllaznia rigjen Dinamon pas 6 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2018 | 14:48

50 trofe në fushë, Vllaznia rigjen Dinamon pas 6 vitesh

Vllaznia rigjen Dinamon. Pas më shumë se 6 vjetësh, shkodranët do të përballen me blutë e kryeqytetit. Duhet të binin kuqeblutë nga kategoria, që këto dy skuadra të ndesheshin me njëra-tjetrën. Edhe pse jemi vetëm në javën e 3-të, pa frikë mund të themi se do të jetë një duel i gjithi për… kreun. Ekipet vijnë pas dy fitoreve në këtë 90- minutësh dhe momentalisht ndajnë vendin e parë me nga 6 pikë të plota. Për t’i dhënë vëmendjen që meriton, është vendosur që të luhet ditën e premten në orën 16:00 në mitikun “Loro Boriçi”.

Vllaznia Dinamo

TROFETË – Dhe jo më kot është bërë kjo zgjedhje (përtej faktit që në fundjavë do të luhet edhe Kukësi-Kamza në të njëjtin impiant), pasi në fushë do të zbresin plot 50 trofe. Janë dy skuadrat më të suksesshme që luajnë në Kategorinë e Parë, me Dinamon që ka 33 të tillë (18 tituj në elitë, 13 Kupa dhe 2 Superkupa) dhe Vllaznia me 17 (9 tituj në elitë, 6 Kupa dhe 2 Superkupa). E fundit herë që ndesheshin me njëra-tjetrën përkon me 5 majin e 2012-ës, sezon që “vulosi” edhe rënien e dinamovitëve në inferiore për të mos u ngjitur më. Asokohe, Vllaznia fitonte 0-3 në “Qemal Stafa”, me gola të Sykajt, Petroviç dhe Gocajt në harkun e 26 minutave.

Dinamo Vllaznia

Përtej shkëputjes së gjatë, duhet thënë që statistikat janë disi në favor të shkodranëve dhe sidomos kur luajnë si pritës. E fundit humbje ndaj këtij kundërshtari përkon me vitin 2010, më 25 shtator dhe duhet thënë që ishte periudha e artë e kryeqytetasve. Atëherë Dinamo i shënonte 4 gola, falë tripletës së Nestor Martinenës dhe golin e Elis Bakajt.

SITUATA – Pas pushimit të së hënës, Hasan Lika ka rinisur punën për javën e 3- të. Trajneri është shfaqur më shumë se kërkues për këtë takim, ndërsa pret shkëputje në krye të tabelës. Dhe për fatin e mirë, grupi do të jetë edhe më i plotë këtë herë. Ekipit i është bashkuar mbrojtësi i krahut të majtë, Antonio Marku. Ai ka qenë grip, megjithatë duket se është shëruar. Por nuk është i vetmi, pasi plotësisht në dispozicion të Vllaznisë është edhe rumuni Dan Ignat, që shfaqi shqetësime muskulore para takimit me Burrelin.

Por me ekipin dalëngadalë po rikthehet në formën e tij optimale dhe qendërmbrojtësi Renato Malota. Pa mungesa dhe me moralin e lartë, skuadra do të tentojë vetëm maksimumin e pikëve. Ngjitja e menjëhershme në elitë është misioni i vetëm i kuqebluve, ndaj nuk kanë të plan që të flasin me askënd dhe aq më tepër në shtëpi.

Me një kontingjent disi më plotë, mbetet për t’u parë nëse 11-shja do të pësojë apo jo ndryshime. Dhe nëse do të ndodh kështu, atëherë rrotacioni mund të prekë më shumë së shumti mbrojtjen. Megjithatë, gjithçka do të shihet në 2 seancat e radhës dhe të fundit para ndeshjes me Dinamon.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"