50 milionë lekë shtesë, Lushnja shton buxhetin para derbit me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2019 | 23:37

50 milionë lekë shtesë, Lushnja shton buxhetin para derbit me Apoloninë

Lushnja merr lajme të mira në prag të der bit me Apoloninë. Bashkia ka shtuar fondin për skuadrën e futbollit, duke i karikuar lojtarët dhe stafin teknik para kësaj sfide kaq të rëndësishme në kampionat. Klubi do të ketë një buxhet prej 510 milionë lekësh të vjetër për të shpenzuar për vitin 2019. Fillimisht ishin miratuar 460 milionë, ku 340 milionë janë subvencionim i Bashkisë së Lushnjës dhe 120 milionë të ardhura nga klubi.

lushnja

Por, për 6-mujorin e dytë është propozuar dhe miratuar tashmë edhe një shtesë prej 50 milionë lekësh, duke e çuar fondin në 510 milionë lekë. Një shumë e mjaftueshme, që dëshmon edhe një herë pretendimet për ta ngjitur ekipin në Kategorinë Superiore në fund të këtij edicioni. Kryebashkiaku Fatos Tushe, njëherësh president i klubit, i është drejtuar me një relacion Këshillit Bashkiak, që kryen edhe funksionin e asamblesë, ku kërkon shtesë fondi për gjysmën e dytë të vitit 2019 për klubin e futbollit. Kërkesa është bërë me argumentin se është vënë re pamjaftueshmëri fondesh për zhvillimin e aktivitetit.

Fondi është kërkuar për të mbuluar shpenzimet për trajtime ushqimore për sportistët, për shërbime mjekësore, për mbulimin e diferencës së pagave, për premio, dieta dhe hoteleri. Për përmbushjen e kërkesave është bërë një rishpërndarje buxheti në favor të klubit të Lushnjës në vlerën 50 milionë lekë. Për të miratuar këtë relacion, këshilltarët, njëherësh anëtarë të asamblesë, kanë zhvilluar një mbledhje jashtë radhe dhe kanë miratuar fondin shtesë.

DERBI

Ditën e diel Lushnja do të luajë derbin me Apoloninë në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit. Një ndeshje që e ka rritur ndjeshëm atmosferën te “populli” verdhejeshil. Për përballjen në fjalë, ish-trajneri Xhavit Sefa shprehet optimist. E megjithatë, ai nuk ngurron që të japë edhe disa këshilla dhe sidomos për sulmin. “Është një ndeshje ku puna më e madhe i takon aspektit psikologjik. Mendoj se ajo skuadër që do të jetë më e qetë dhe do të bëjë më mirë para portës, do të fitojë. Atmosfera ka rënë, sepse vitin e kaluar ndeshja në Lushnjë u luajt pa tifozë, ndërsa ky sezon fillon me një derbi në fushë asnjanëse. Këto e dëmtojnë atmosferën.

lushnja

Por më ngroh fakti që për këtë edicion Apolonia dhe Lushnja prezantohen me dy skuadra shumë cilësore dhe mendoj se do të dhurojnë një ndeshje të bukur. Luhet në kushte krejtësisht të barabarta dhe do të fitojë skuadra më e mirë”, tha Sefa. Lushnjarët vijojnë me përgatitjet për këtë 90-minutësh të rëndësishëm, por edhe tifozët nga ana tjetër po bëhen gati. Ata kanë premtuar se do të jenë të shumtë në “Adush Muça”, pasi nuk duan që ta lënë ekipin vetëm në një takim kaq delikat. Lushnja pritet të ketë mbështetjen e grupimit “Delegatët”, që po organizohen për të udhëtuar drejt Ballshit.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"