50 milionë lekë dhe Europë, ja për çfarë e duan ekipet Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2018 | 23:06

50 milionë lekë dhe Europë, ja për çfarë e duan ekipet Kupën

Kupa e Shqipërisë është trofeu i dytë më i rëndësishëm në futbollin shqiptar. Fituesi i këtij kompeticioni kualifikohet direkt për në turin e parë eliminator të Ligës së Europës. Edhe pse një vit më parë drejtuesit e FSHF-së paralajmëruan se do të rrisnin shpërblimin për fituesin e Kupës, sërish ka mbetur e njëjta shifër. Mund të duket qesharake në raport me investimin që bëjnë klubet, por fituesi i Kupës merr vetëm 50 milionë lekë të vjetër shpërblim nga FSHF.

kupa e shqiperise

Gjithsesi, ngushëllimi i vetëm i klubeve shqiptare është fakti se vetëm për pjesëmarrjen në Ligën e Europës marrin si bonus 215 mijë euro. Ky edicion i Kupës ka të veçantën se në gjysmëfinale është edhe Skënderbeu, i cili ende nuk e di nëse do të marrë pjesë në Kupat e Europës. Në rast se korçarët fitojnë njëkohësisht titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë, atëherë në Europë futet skuadra që ka mbyllur kampionatin në vendin e katërt.

Mirëpo, nëse KAS-i i Lozanës lë në fuqi vendimin e UEFA-s për dënimin 10- vjeçar të Skënderbeut dhe gjithnjë nëse korçarët i fitojnë të dy trofetë, atëherë përfiton skuadra që renditet në vendin e pestë në kampionat, pasi e katërta kualifikohet direkt, duke qenë se bardhekuqtë mbeten jashtë Europës. Nga katër skuadrat gjysmëfinaliste, tre prej tyre e kanë të garantuar Europën nëse kampionati do të përfundonte sot.

Si për koincidencë, përveç Skënderbeut që kryeson renditjen, i dyti në kampionat është Kukësi dhe i treti Laçi. Shpesh Kupa është përdorur për të bërë aleanca për llogari të kampionatit. Duke parë situatën aktuale të katër klubeve, këtë herë zor se mund të ketë aleanca. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojnë 90 minutat e sotme

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"