5 ndeshje pa pësuar dhe 4 fitore, Kosova super me trajnerin Shaland

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2018 | 17:11

5 ndeshje pa pësuar dhe 4 fitore, Kosova super me trajnerin Shaland

Tre fitore radhazi në miqësore, përfshi edhe atë 3-0 ndaj Shqipërisë, më pas një barazim pa gola në Baku ndaj Azerbajxhanit dhe të hënën në mbrëmje triumfi historik në një ndeshje eliminatore. Kosova e festoi në mënyrën më të mirë stadiumin e ri, “Fadil Vokrri”, duke mposhtur 2-0 Ishujt Faroe dhe marrë kreun e grupit në Ligën e Kombeve. Trajneri i ri, Bernard Shaland, po gjen mekanizmat e duhur për të menaxhuar një grup të talentuar lojtarësh.

kosova_1536611850-2653519

Mbrëmja e dy ditëve më parë në Prishtinë ishte magjike edhe për faktin se stadiumi ishte në kapacitetin e tij maksimal, 13 mijë vende. Tashmë Kosova është një nga 5 skuadrat e vetme në Europë që në vitin 2018 nuk ka pësuar asnjë humbje. Në listën me pesë skuadra ndodhet edhe Spanja, Ukraina, Rumania dhe surpriza tjetër, Andorra. Kosova është në rrugën e duhur dhe kërkon që fillimisht ta mbyllë si kryesues i grupit në Ligën e Kombeve.

LOJTARËT – “Ne kemi luajtur njësoj si në pjesën e parë dhe në të dytën. Nuk është e lehtë t’i lësh në stol disa lojtarë të mirë dhe sërish të ruash atmosferën në ekip, ky është mentaliteti ynë. Në Azerbajxhan morëm një pikë shumë të madhe, sepse fusha ka qenë shumë e rrezikshme. Ne duhet të shikojmë ndeshje pas ndeshjeje, pa e pasur mendjen te të tjerët. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne në fushë”, ka thënë kapiteni Samir Ujkani.

Kosova-VS-Ishujt-Faroe_057

Ndërsa, talenti Milot Rashica, pas ndeshjes është shprehur: “Ishte ndeshja e parë që kemi luajtur në shtëpi dhe kemi pasur përkrahje shumë të madhe të tifozëve tanë. Bashkëpunimi është shumë i mirë në treshen e ofensivës dhe gjatë lojës kemi mundësi të ndryshojmë anët, duke respektuar edhe taktikën e trajnerit”.

18-Voca1

Për mediat kosovare foli edhe autori i golit të dytë, Atdhe Nuhiu. “Tri pikë kanë qenë shumë të mëdha. Megjithatë s’duhet të kënaqemi shumë, sepse duhet ende të përmirësohemi. Kemi lojtarë jashtëzakonisht të mirë. Në çdo rol kemi nga dy lojtarë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"