5 mijë euro për fitoren e Lushnjës, Dedja: Me Vllazninë jemi njësoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2018 | 9:36

5 mijë euro për fitoren e Lushnjës, Dedja: Me Vllazninë jemi njësoj

Lushnja luan një ndeshje përcaktuese sot me Vllazninë dhe në rast fitoreje skuadra verdhëjeshile do të përfitojë një premio prej 5 mijë eurosh, që është vendosur nga biznesmeni lushnjar Agron Nushi. Ky është një stimul më shumë për skuadrën e drejtuar nga Hysen Dedja.

Trajneri i Lushnjës, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Vllazninë, ka folur me tone të qarta për fitoren e skuadrës së tij. Edhe pse i ka renditur mungesat një nga një, tekniku i lushnjarëve tha se skuadra është përgatitur për tri pikë në duelin e mbijetesës ndaj Vllazninë.

lushnjaa

“Kuptohet që jemi dy rivalë. Jemi njësoj. Pavarësisht se kemi një diferencë prej pesë pikësh. Duhet ta shfrytëzojmë në maksimum fushën tonë, pasi fitorja na bën që të jemi konkurrues për të qëndruar në Superiore. Pra, me fitoren ndaj një kundërshtari direkt, duke shikuar që edhe ekipet e tjera si Teuta, Luftëtari shtoj këtu edhe Kamzën, nuk kanë ndonjë diferencë të madhe.

Dedja2

Duke shikuar edhe pikët që kanë dhe ndeshjet e mbetura, mundësitë janë që ne të konkurrojmë përsëri. Kemi probleme kartonësh. Me 90% në sulm do të jetë Përgjini. Do të shohim edhe gjendjen e ndonjë futbollisti tjetër. Por, më tepër është Përgjini. Unë nuk kam asnjë dyshim, çdo lojtar që është i gatshëm në stërvitje do të kontribuojë.

lushnja

Do të jetë një sulm për fitoren, por kuptohet që tri pikët do të na i japë e gjithë skuadra. Megjithatë, unë them që i gjithë grupi i disponueshëm është i përgatitur që të përballojmë këtë ndeshje për t’iu afruar edhe më shumë objektivit. Të përballojmë dy fazat e mbetura për të realizuar objektivin”, deklaroi trajneri Dedja.

Mungesa e terreneve- Pyetjes për vështirësitë që ka Lushnja për zhvillimin e përgatitjeve javore, Dedja iu përgjigj: “Që në ditën e parë kur kam marrë drejtimin e ekipit, unë i kam shikuar kushtet e stërvitjes dhe e kam pranuar ta marr drejtimin me këto kushte. Kemi pasur vështirësi të mëdha. Në fillim, ndoshta, kam pasur “luksin” të hyj në fushë.

lushnja vllaznia jorgji

Tani nuk na lejohet në asnjë mënyrë të hyjmë në fushën e stadiumit. Jemi munduar të shfrytëzojmë gjithçka. Kemi shkuar në fshatra, si në Krutje dhe në Çermë- Proshkë. Kemi shfrytëzuar fushën e futbollit te gjimnazi “18 tetori”, pjesët pas portave.

Në këtë rast, megjithëse jemi në punë dhe e kemi për detyrë, por edhe çunat kanë qenë të gatshëm t’i përballojnë këto vështirësi. Në dy takimet e fundit, si me Teutën edhe me Luftëtarin, skuadra ka reaguar.Këtë reagim ndaj Vllaznisë unë e pres dhe më tepër. Duke e konkretizuar me një tjetër rezultat pozitiv, që këtë herë do të jetë vetëm fitorja”.

Formacioni

Për tifozët- Trajneri Dedja e mbylli konferencën për shtyp duke falënderuar publikun lushnjar. “Pas ndeshjes me Luftë- tarin, falënderimin e parë unë e kam pasur për spektatorin lushnjar në stadium. Vetë prania e tyre aty, duke bërë tifozllëk, ne na motivon më tepër.

lushnja delegatet

Pavarësisht gjendjes ku jemi, ata na kanë përkrahur gjatë gjithë 90-minutave të ndeshjes me Luftëtarin. Na kanë mbështetur me të gjithë energjinë e tyre. Në ndeshjen me Vllazninë unë pres edhe më tepër nga spektatori lushnjar dhe përsëri i falënderoj për mbështetjen që na japin”, përfundoi trajneri Hysen Dedja.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"