EKSKLUZIVE/ Apolonia përgatit goditjen e madhe, zbulohet lojtari i Parmës që pritet të kalojë te fierakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2020 | 22:59

EKSKLUZIVE/ Apolonia përgatit goditjen e madhe, zbulohet lojtari i Parmës që pritet të kalojë te fierakët

Pasi kanë përfunduar javën e parë të fazës përgatitore, fierakët po mendojnë gjithnjë e më shumë për merkaton. Menaxherët dhe skautët e klubit po hulumtojnë dhe po i sugjerojnë stafit teknik lojtarë nga tregje të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Ndonëse te klubi i Apolonisë mbeten diskretë dhe nuk duan të deklarojnë emra lojtarësh pa arritur më parë një akord paraprak, “Panorama Sport” ka zbuluar nga burime konfidenciale brenda skuadrës, preferencat dhe kontaktet që kanë pasur me futbollistë të ndryshëm.

Diakhate_Fiorentina

Një ndër të paralajmëruarit pak ditë më parë është pikërisht mesfushori organizator me origjinë nga Senegali, Abdou Diakhate. Ky i fundit ka luajtur me moshat e Fiorentinës, e pastaj është blerë nga Parma.

Në sezonin e fundit ai është dhënë në huazim nga klubi italian te Lokeren në Belgjikë. Nëse arrihet marrëveshja, 21-vjeçari senegalez pritet të jetë një lojtar i vlefshëm për fierakët, pasi bëhet fjalë për një mesfushor që klubi i Parmës ka investuar që kur ai ka qenë pjesë e moshave të Fiorentinës dhe beson se aventura në Shqipëri mund ta përmirësojë. Diakhate ka luajtur 10 ndeshje me Lokeren dhe dhënia në huazim tek Apolonia pritet të ketë edhe kushtin e aktivizimit. Gjithsesi, nga klubi ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse bisedimet janë mbyllur pozitivisht mes palëve. Ndërkohë, nga tregu i huaj mund të ketë risjellje nga Serbia dhe Bosnja, ku rolin e menaxherit e luan ish-sulmuesi i Apolonisë, Sead Haxhibuliç.Apolonia-Besa

Bordi fierak po studion të dhënat e 3 futbollistëve serbo-boshnjakë: 1 mbrojtës krahu, 1 mesfushor dhe 1 qendërsulmues, të cilët pritet të vijnë për t’u testuar në fund të kësaj jave. Por krijimi i një ekipi të denjë i ka bërë fierakët që të kërkojnë lojtarë edhe në tregun vendës. Megjithatë, i vetmi akord i arritur është ai me mesfushorin Glejdis Ndraxhi, i cili ka qenë te Besa në sezonin e kaluar dhe prej ditësh ka nisur stërvitjen me ekipin fierak.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"