4 muaj pritje, Flamurtari “dorëzohet” për… Kalenë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2018 | 9:10

4 muaj pritje, Flamurtari “dorëzohet” për… Kalenë

Flamurtari ka pak shpresa për çështjen “Kale”. Braziliani nuk po luan asnjë ndeshje zyrtare prej 4 muajsh. E gjithë kjo situatë ka bërë që vlonjatët të dorëzohen për 30-vjeçarin, të cilin e prezantuan si blerje “big” për mesfushën në merkaton e kësaj vere. Me lojtarin që pretendon se i është falsifikuar firma nga ana e Kukësit për rinovimin e kontratës, “dosja” ka përfunduar jo vetëm zyrat e FIFA-s, por edhe në prokurori, ku nga çështje sportive është konvertuar në penale.

Flamurtari

Por kur dihet që as njëra dhe as tjera nuk i kanë dhënë ende drejtim këtij rasti, kjo ka bërë që futbollisti të vazhdojë pushimet e kushtëzuara. Edhe pse mesfushori gjendet në Vlorë që prej ditës kur vendosi të mbyllte aventurën me verilindorët dhe nënshkruante një kontratë të re me Flamurtarin, nuk mund të vihet nën urdhrat e Ilir Dajës.

Ai po vazhdon të stërvitet normalisht, por që të zbresë në fushë pret minimalisht OK-in për një federim të përkohshëm nga “qeveria” e futbollit ndërkombëtar. Me FSHF-në që ia delegoi këtë rast FIFA-s, anësori është i dëmtuari më i madh në këtë histori. Jo vetëm që ka mbetur rrugëve, por nuk e di sesi do të vijojë e ardhmja e tij.

kale vlore

Edhe vetë kuqezinjtë nuk është se kanë dalë pa u “lagur”, ndërsa kujtojmë që trajneri e pati programuar si titullar në javën e parë të kampionatit.

Administratori Sinan Idrizi ka theksuar se Elton Kale është lojtar i vlonjatëve, por me letra ai nuk rezulton ende i tillë, derisa ka akuza që nëse rezultojnë të vërteta, mund të konsiderohet edhe krim. Ndërkohë, për këtë çështje dikush duhet të ndëshkohet, e pse jo të shkojë në burg, gjithnjë nëse konfirmohet se kemi të bëjmë me një falsifikim firme, ashtu siç pretendon lojtari.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"