4 korçarë: Skënderbe, ne të heqim titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2012 | 10:43

4 korçarë: Skënderbe, ne të heqim titullin

Katër korçarët e formacionit të Pogradecit paralajmërojnë Skënderbeun se nuk do ta ketë të lehtë në përballjen ndaj ekipit liqenor. Për mbrojtësit Stavrion Lako e Edi Çajku, si dhe mesfushorët Jorgo Çipi e Klejdi Larti, ndeshja e nesërme do të jetë shumë e veçantë. Në një bisedë për “Panorama Sport”, lojtarët pranojnë se ndjejnë keqardhje që do të vihen përballë Skënderbeut. Megjithatë, ata besojnë se Pogradeci, skuadra ku militojnë, do të arrijë fitoren në këtë sfidë.
Lako – Mbrojtësi Stavrion Lako ka qenë dikur ishkapiten i Skënderbeut. “Është fakt që Skënderbeu ka një ekip të mirë dhe e dimë që do të kemi një sfidë jashtëzakonisht të vështirë. Luftojmë për mbijetesë dhe do të luajmë me të gjitha kartat për të shpëtuar Pogradecin. Për momentin ekipi im është Pogradeci, pasi këtë fanellë e vesha që në shtator. Skënderbeu është ekipi ku u formova si futbollist, por edhe si profesionist. Nuk e mendoja këtë përballje, por ia që futbolli i ka edhe këto. Do të bëj më të mirën për Pogradecin, besoj te fitorja”, – deklaroi Lako.
Çajku – Mbrojtësi i majtë, Edi Çajku, ka dy sezone radhazi që luan në Pogradec. “Detyra ime është të luftoj për fanellën që mbaj veshur. Nuk duhet të mendoj se kë kundërshtar kam përballë. Kemi shansin për të qëndruar në Superiore, por kjo do të varet edhe nga ndeshja në Fier. Jam i bindur se do të marrim tri pikët, duke mposhtur Skënderbeun”, – është shprehur Çajku.
Çipi – Edhe mesfushori Jorgo Çipi ka dalë nga Skënderbeu. “Luaj për Pogradecin dhe jam lojtar profesionist. Në këto kushte do të jap më të mirën dhe si ekip do të bëjmë të pamundurën për të marrë tri pikët. Na duhet të mbijetojmë dhe pavarësisht se kë kemi kundërshtarë, ne do të luajmë fort. Fati ynë është që luajmë në shtëpi dhe kjo na favorizon mjaft. Ka shumë futbollistë në kampionatin tonë që luajnë përballë ekipeve të qyteteve të tyre dhe kjo nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme”, – ka thënë Çipi.
Larti – Mesfushori Klejdi Larti është optimist për përballjen ndaj ish-ekipit. “Kjo është ndeshja më e vështirë e kampionatit. Duhet të fitojmë patjetër, sepse duam të jemi pjesë e Superiores. E dimë që Skënderbeu lufton për titull, por jemi profesionistë dhe tani duhet të bëjmë më të mirën për Pogradecin. E respektojmë skuadrën e vendlindjes, por do të luftojmë që ta mposhtim”.

Presioni, dy korçarë pritet të mungojnë
Situata te Pogradeci duket e qetë në pamje të parë, mirëpo presioni i madh ekziston. Ndaj Skënderbeut kërkohet fitorja për të mbijetuar, ndërkohë që fakti se pjesë e Pogradecit janë edhe katër lojtarë nga Korça, ka krijuar një situatë jo fort të mirë. Burime pranë stafi teknik, bëjnë të ditur për gazetën se sipas të gjitha gjasave, dy nga futbollistët korçarë mund të mungojnë në këtë takim vendimtar. Nuk bëhen të ditur emrat, por edhe as arsyet konkrete. Për ndonjë prej tyre mund të ketë dyshime dhe në këto kushte, për të mos rënduar situatën, do të zgjidhet një rrugë tjetër, duke mos i aktivizuar. Gjithsesi, zyrtarisht ende nuk ka ndonjë vendim nga ana e stafit, por presioni rreth skuadrës duket i madh. Në qytet presin me padurim takimin me Skënderbeun, teksa tifozëria pogradecare beson se ekipi i zemrës së tyre i ka mundësitë për të dalë me sukses nga kjo përballje. Trajneri Ylli Çekiçi duket në ankth përpara kësaj ndeshjeje, por gjithsesi pas vendimit të fundit të Disiplinës në lidhje me Shkumbinin, është hapur edhe një tjetër shpresë për mbijetesën.
Pëllumb Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"