“Vllaznia ka mbrojtje me përvojë”, flet Duro: Kukësi im do titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2019 | 10:09

“Vllaznia ka mbrojtje me përvojë”, flet Duro: Kukësi im do titullin

Kukësi do kthesën në “Elbasan Arena”. Nënkampionët presin në orën 17:00 Vllazninë, në një ndeshje që është e gjitha për t’u fituar. Hapat fals janë të ndaluar, madje jo vetëm sot, por deri në mbyllje të kësaj faze. Edhe Shpëtim Duro kërkon pikët e plota, por saktëson se fitoret nuk merren me “telekomandë”. Për të rëndësi ka që skuadra të shmangë luhatjet dhe mbi të gjitha, të garojë deri në fund për titullin.shpetim duro

Gjatë intervistës së dhënë për “Panorama Sport” vlerëson maksimalisht shkodranët dhe Mirsad Jonuz, të cilin e njeh që prej kohës kur punonte në Maqedoni. Trajnerit të veriorëve nuk i ka ikur ende inati me humbjen në Durrës, ndërsa thekson se vendimet joprofesionale të Enea Jorgjit vendosën rezultatin.

Vini pas një humbjeje të kontestuar në Durrës, keni ende pengje nga ajo ndeshje?

Ka qenë një ndeshje e ekuilibruar, të cilën e kemi analizuar. Kemi pasur edhe ne problemet tona. Nuk ishim agresivë përpara portës kundërshtare dhe në të tilla sfida, janë episodet ato që bëhen përcaktuese. E unë them që në atë takim ishin dy episode jashtëzakonisht inekzistente, që kanë vendosur rezultatin. Unë e kam thënë dhe pas përfundimit të asaj jave, por në të njëjtën kohë edhe opinionistët kishin të njëjtën linjë. Ata nuk u kanë dhënë të drejtë vendimeve aspak profesionale të gjyqtarit. Përpos konsideratës që kam për Enea Jorgjin për nivelin e tij profesional, në atë ndeshje ai ka qenë përcaktues me dy episodet. Në minutën e 69-të duhet të ishte Teuta me 10 lojtarë. Ai duhet të nxirrte jashtë Avdylin me kartonin e dytë të verdhë e më pas me të drejtë të largonte edhe Maliqin. Për të kaluar më pas te penalltia e paqenë. Këto janë dy momentet që kanë vendosur atë 90- minutësh dhe që janë njëkohësisht pengjet e mia nga ajo transfertë.

Do të luani ndaj Vllaznisë këtë javë, një ekip që ka pësuar vetëm dy gola pas 6 javësh. I keni marrë masat?

Luajmë kundër Vllaznisë, ekip që ka bërë mirë në këto javë. Sidomos në aspektin difensiv kanë në përbërje lojtarë me eksperiencë, por as në sektorët e tjerë nuk mbeten pas. Ndaj duhet një vlerësim jashtëzakonisht maksimal për kundërshtarin.

Me Ethemin e rikuperuar do të ketë ndryshime në formacion, apo do t’i besoni formacionit që luajti në Durrës?

Po, është e vërtetë që këtë javë na është rikthyer Valon Ethemi. E kam theksuar që ka qenë shumë i rëndësishëm në tri javët e para, për vetë formën që pati. Tashmë ai do të jetë i gatshëm, por nuk është ende në 100 përqindëshin e kondicionit fizik.Duro

Ju keni punuar në Maqedoni, ndaj duhet ta njihni homologun tuaj Jonuz…

Patjetër që e njoh trajnerin e Vllaznisë, Mirsad Jonuz. Gjatë kohës që unë kam punuar me Shkëndijën e Tetovës, e kam ndjekur. Kam konsideratë dhe e komplimentoj për punën që po bën në Shkodër.

Kërkohen 9 pikë në 3 ndeshjet e radhës. Është ky një objektiv për Kukësin?

Për objektivat do të flasim në fund të sezonit. Unë e kam të qartë që do luftojmë për titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. E rëndësishme është që të jemi në luftë dhe rivalizojmë deri në fund të kampionatit. Ne hyjmë në çdo ndeshje, ashtu si çdo skuadër, për të marrë maksimalen. Por futbolli nuk ka asnjëherë fitore në mënyrë absolute. Duhet të punosh dhe lodhesh. Sporti njeh edhe humbje veç fitoreve. Kampionati është i gjatë dhe mund të ketë dhe oshilacione, ndaj është mirë që t’i shmangim.

Ju bind paraqitja e mbrojtjes deri më tani, apo prisni më tepër nga ky repart që ka pësuar disa ndryshime?

Mbrojtja në përgjithësi është paraqitur jashtëzakonisht mirë. E megjithatë, edhe defensiva, ashtu si repartet e tjera, në momente të veçanta ka humbur përqendrimin dhe jemi ndëshkuar. Madje, në 4-5 gola, dy i kemi marrë me 11-metërsha mjaft të kontestuar, por skuadra është paraqitur mirë.

Keni mundur rivalët direkt, por keni humbur ndaj ekipeve që në letër quhen të lehta. Ju shqetëson ky fakt?

Është e vërtetë. Kemi bërë paraqitje të mira si në rezultat, ashtu dhe në lojë me rivalët. Dhe këtu e kam fjalën për ekipe si Partizani dhe Tirana, por nuk kemi bërë atë që prisnim me skuadrat që konsiderohen jorivale. Prandaj duhet vlerësim maksimal për të gjithë kundërshtarët.Shpetim Duro

Mos ndoshta keni nënvlerësuar, ose e thënë ndryshe, ekipi nuk është angazhuar totalisht?

Mungesa e lojës së mirë apo mosmarrja e maksimumit të pikëve, patjetër që është edhe mosangazhimi dhe mosmotivimi i mirë me kundërshtarë të tillë. Dhe për mua nuk është e drejtë. Tani që të gjitha ekipet të krijojnë probleme dhe të marrin pikët. Ky është një kampionat jashtëzakonisht i ekuilibruar, këtë e tregon edhe tabela e klasifikimit. Kështu, duhet vlerësim maksimal dhe seriozitet serioz në çdo takim.

Si e shikoni garën?

Gara do të jetë jashtëzakonisht e fortë, e tregon edhe renditja. Çdo javë do të ketë surpriza.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"