39 viktima, Mesi i pamëshirshmi/ Vetëm 14 gola larg CR7, por është i vetmi që shënon në Champions prej 18 vitesh radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2022 | 22:52

39 viktima, Mesi i pamëshirshmi/ Vetëm 14 gola larg CR7, por është i vetmi që shënon në Champions prej 18 vitesh radhazi

Lionel Mesi mund të ndihet disi i vet muar, duke qenë se rivali i tij i përjetshëm sivjet luan një “kategori” më poshtë, por ndërkohë “Pleshti” ka vendosur që mungesën e Kristiano Ronaldos ta shfrytëzojë për të thelluar dy rekorde të tij dhe njëkohësisht për t’iu afruar sa më shumë rekordit absolut të portugezit.

Leo Mesi

Edhe pse argjentinasi nuk është më ai fenomeni shpërthyes i epokës “Barcelona”, duke qenë se 35 vitet mbi shpatulla kanë nisur që të bëjnë punën e tyre, gjithsesi në transfertën izraelite, Mesi jo vetëm zhbllokoi dhe i hapi rrugë suksesit të dytë të PSGsë në grupe me rezultatin 3-1 ndaj Makabi Haifas, por njëjtën kohë ai mbron i vetëm fronin e goleadorit më jetëgjatë të Ligës së Kampioneve. Me golin e shënuar në Jeruzalem, numri 30 i francezëve është i vetmi në historinë e futbollit që arrin të realizojë të paktën një gol në 18 sezone radhazi të Ligës së Kampioneve.

Këtë rekord, Lionel Mesi e ndante deri të mërkurën mbrëma me Karim Benzemanë (17 vite me gol në Champions), ndërkohë që Kristiano Ronaldo vazhdon të mbetet i ndalur në 16. Por akoma më shumë se kaq, “Pleshti” shënoi viktimën e tij të 39-të në karrierë, duke qenë se nuk i kishte realizuar kurrë izraelitëve dhe përshëndet nga larg sërish Kristiano Ronaldon. Deri 48 orë më parë, si Lionel ashtu sikurse Kristiano numëronin që të dy së bashku nga 38 ekipe të ndryshme që kishin goditur me gol, por edhe në këtë statistikë argjentinasi po tenton prova arratie.

Madje, Ronaldo sigurisht që do të ketë mbajtur shënim këtë fakt dhe jo më kot vazhdon që të tentojë edhe në janar për të gjetur një skuadër që të luajë në Champions. Por ndërkohë, mbrëmjen e djeshme, në Moldavi ndaj Sherif Tiraspolit, takim i vlefshëm për Ligën e Europës, CR7 u zhbllokua saktësisht pas 5 muajsh shterpësi.

GOLAT TOTAL – Gjithsesi, në pritje për të kuptuar nëse Ronaldo do të rikthehet që të luajë shpejt në Champions apo jo, Mesi ka ngushtuar edhe më tej diferencën e golave që ka me portugezin, në renditjen e përgjithshme të golashënuesve në Champions.

Nëse Kristiano është ndalur për momentin në kuotën 140 gola, Leo është ngjitur në 126 edhe kjo diferencë e ngushtë mund të ngushtohet edhe më tej duke parë se PSG-ja me fitoren në Izrael ka më shumë se njërën këmbë në 1/8-at e Champions-it, edhe pse kanë mbetur edhe 4 takime për t’u luajtur. Për sa i përket Lionel Mesit, skuadra që ka goditur më shumë në Champions është Arsenali, me 9 gola të realizuar, ndërkohë që ndjekin Milani dhe Sëlltiku me nga 8.

39 viktimat e mesit

PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"