365 ditë pa fitore të Lushnjës në transfertë, Samake: Do ta thyejmë tersin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2023 | 18:14

365 ditë pa fitore të Lushnjës në transfertë, Samake: Do ta thyejmë tersin

Transfertat janë makthi i Lushnjës. Kanë që sezonin e kaluar që nuk fitojnë një takim jashtë shtëpisë. Konkretisht prej 7 majit 2022, kur mundin 0-3 Shkumbinin. E thënë me shifra, janë 365 ditë larg suksesit të fundit.

Samake lushnja

Dhe flasim në fushë, pasi në “afrofe” e kanë marrë një, atë me Tërbunin e përjashtuar. E vetmja gjatë gjithë këtij kampionati. Në kësi kushtesh, verdhejeshilët duan që të thyejnë tersin dhe shansin e kanë në Orikum.

Kur dihet që është e rruga e vetme që i çon drejt mbijetesës, Ali Samake beson se do t’ia dalin. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën “Panorama Sport”, mbrojtësi thotë: “Të shtunën luajmë kundër Orikut. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme. Sigurisht që duam të mposhtim dhe të sjellim në shtëpinë tonë tri pikët.

Skuadra po stërvitet shumë fort dhe të gjithë jemi të përqendruar. Të gjithë jemi gati për objektivin. Trajneri, skuadra, jemi të gjithë bashkë për të njëjtin objektiv. Pozicionimi në klasifikim është i mirë për momentin, ndërkohë që janë edhe dy ndeshje për t’u luajtur.

Duhet të bëjmë shumë për t’i fituar të dyja. Shpresoj të shpëtojmë. Unë jam i sigurt, nëse punojmë mirë dhe të përqendruar, mund t’ia dalim. E ardhmja? Ndihem shumë mirë në Lushnjë, por të ardhmen time nuk e di… E vetmja gjë që mendoj tani është të përfundoj sezonin dhe shpëtojmë nga rënia. Më pas do të shohim”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"