30 vite nga titulli i parë i Milanit të tij, Arrigo Saki: Vetëm unë dhe Berluskoni besonim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2018 | 22:03

30 vite nga titulli i parë i Milanit të tij, Arrigo Saki: Vetëm unë dhe Berluskoni besonim

I paharrueshëm! Për Milanin, por edhe për të… Arrigo Saki, njeriu që ndryshoi futbollin, nuk mund të harrojë emocionin e përjetuara 30 vite më parë. Ishte 15 maji 1988 dhe Milani fitonte në fushën e Komos titullin në Itali, që do ta kishte shtyrë më pas që të dominonte në Europë dhe në botë.

Shumë fenomene në fushë dhe një trajner në pankinë, Saki, që në distancën e tri dekadave kujton mjaft mirë se cila ishte pika e fortë dhe e jashtëzakonshme e asaj skuadre. “Klubi vinte përpara kujtdo tjetër prej nesh. Pa presidentin Berluskoni, asgjë nuk mund të ishte bërë e mundur. Ai e thoshte gjithmonë: ‘Mund të arrijmë ta bëjmë të pamundurën në diçka të mundur'”.

saki

Saki, vërtet nuk besonit se mund ta fitonit titullin në atë sezon?

Ishte e vështirë ta imagjinoje. Berluskoni besonte, por edhe unë u binda shumë shpejt. Gjithsesi, skuadra nuk ishte gati. Kujtoj Tasotin që më tha: “Mister, pasi bëjmë maksimumi katër pasime, nuk arrijmë të mendojmë më. Ia dalim mjaft mirë që të bëjmë të parin, edhe të dytin gjithashtu, por më pas bëhet shumë e vështirë”. Kjo frazë ishte në rend të ditës për disa kohë, por më pas, pashë lojtarët që po bindeshin në vetvete se mund të luanim edhe një tjetër futboll. Aty erdhi kthesa e madhe.

Kishte vetëbesim sipas jush?

Më shumë sesa te fitorja kishte vetëbesim te metodat e punës, mbi idenë se loja e skuadrës duhej të ishte totale, që secili prej kampionëve, dhe unë kisha shumë në dispozicion, duhej të luante me shokët, dhe e ritheksoj fjalën “me”… Duhej të luante gjithmonë me shokët dhe në çdo fazë të lojës.

Kur e kuptuat se e pamundura mund të bëhej e mundur?

Kujtoj mirë fillimin e vështirë, kujtoj edhe ndeshjen e humbur në tavolinë kundër Romës (një fishekzjarr në “San Siro” goditi Tankredin). Por vëmendja në stërvitje rritej, futbollistët nisnin të vinin të gjithë edhe më herët në stërvitje sesa orari i parashikuar dhe rrinin në fushë që të përmirësoheshin edhe pasi unë u jepja leje të largoheshin. Kishte një dëshirë të çmendur për t’u përmirësuar ndeshje pas ndeshjeje. Kuptova se mund të fitonim, edhe kundër Maradonës, absolutisht futbollisti më i fortë dhe më i vështiri për t’u mundur që kam parë, gjatë të gjithë këtyre dekadave që kanë kaluar deri në ditën e sotme.

Si ndryshoi skuadra muaj pas muaji?

Më entuziazmonte fakti tek shihja që rriteshim të gjithë në sinkron. Presidenti Berluskoni kishte qenë i qartë: duhej të fitonim, të luanim mirë, por mbi të gjitha të fitonim respektin dhe të vlerësoheshim edhe nga kundërshtarët. Misioni ishte i qartë: duhej të luanim si skuadër, për të ekzaltuar edhe më shumë cilësitë e individualiteteve. Ky është një koncept që sot nuk i përket askujt, të paktën në Itali. Dhe nuk po flas vetëm për botën e futbollit… Pastaj duhej dhe nevojitet fiksimi… Çezare Paveze thoshte: “Nuk bëhet art nëse nuk ke fiksimin brenda teje”.

Ju ishit një i fiksuar?

Po. Është një karakteristikë që më ka shoqëruar edhe përpara se të mbërrija te Milani, edhe te Fuzinjano madje. Dhe ndoshta kjo më ka ndihmuar që të mos ndiej kurrë presionin për të bërë hapa përpara.

Të gjithë e kanë dashuruar atë Milan, edhe kundërshtarët…

Po… Kujtoj duartrokitjet e “San Paolos” kur më 1 maj 1988 mundëm Napolin në ndeshjen që vendosi titullin. Ata kishin Maradonën, por na duartrokitën ne. Fitoret i arrijnë shumë, por të fitosh siç bëmë ne, është shumë më e vështirë.

Si përgatiteshin ndeshjet kur prisje të luaje me Maradonën?

Objektivi ishte që gjatë ndeshjes t’i linim të prekte 30 topa, jo 70, as 100. Dhe nuk mund të hiqje dorë nga një lojtar që t’i qëndronte si hije nga pas Maradonës gjatë të gjithë ndeshjes, edhe sepse me shumë mundësi vetëm një nuk do të kishte mjaftuar kurrë. Prandaj, luanim si skuadër që ta limitonim sa më shumë në fushë.

Përveç skuadrës, mund të bëni një citim të veçantë për Van Bastenin?

Ishte inteligjenca kolektive që bënte diferencën. Pastaj Van Basten ishte i mrekullueshëm, sigurisht… Arritëm që të bënim të gjithë të dashuroheshin me ne, pikërisht për këtë. Mendoni që në vitin e parë kishim 30 mijë tifozë të abonuar, në të dytin 60 mijë… Fitorja më e madhe ishte pikërisht kjo…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"