3 vite pa marrë pikë, Laçi kërkon të thyejë “mallkimin” në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2018 | 16:25

3 vite pa marrë pikë, Laçi kërkon të thyejë “mallkimin” në Korçë

Laçi kërkon vazhdimësi. Pasi barazuan me Kukësin në start dhe mposhtën Luftëtarin, tashmë do t’u duhet të udhëtojnë në Korçë për të sfiduar kampionët në fuqi të vendit. Sikur të mos mjaftonte fakti që përballë kanë një kundërshtar të fortë, kurbinasit duhet të “luftojnë” edhe me statistikat që nuk i kanë aspak në favor. E fundit herë që kanë marrë pikë në stadiumin “Skënderbeu” përkon me vitin 2015, konkretisht më 31 janar, kur mundën që të siguronin një barazim pa gola.

kukesi laci

Ndërsa fitorja e fundit i përket një viti më herët, 2014- ës, kur më 10 maj fitonin me shifrat 1-2 në të njëjtin stadium. Asokohe trepikëshi erdhi nga këmbët e Kehindes dhe Xhejmsit, të cilët “zhvlerësuan” barazimin e përkohshëm të Pero Pejiç. Megjithatë, skuadra e Artan Mërgjyshit është tejet optimiste. Formacioni i drejtuar prej tij ka shfaqur cilësi në 180 minuta, duke grumbulluar edhe 4 pikë. Dhe duhet thënë që starti i këtij kampionati ia kalon edhe atij të një sezoni më parë, kur kishin vetëm 3 pikë në dy ndeshje (pas fitores 2-0 me Partizanin dhe humbjes minimale ndaj Luftëtarit).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"