Besëlidhja, Plori nuk do drama: S’mund të ligështohemi nga renditja momentale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2019 | 10:56

Besëlidhja, Plori nuk do drama: S’mund të ligështohemi nga renditja momentale

Besëlidhja i mbylli dje pasdite përgatitjet për ndeshjen e javës së katërt të kampionatit ndaj Veleçikut në shtëpi. Në letër duket ndeshje mjaft e lehtë, pasi skuadra koplikase nuk ka marrë asnjë pikë, por Besëlidhja është e angazhuar totalisht për të mos gabuar në fushën e saj. Besëlidhja në tri ndeshjet e para ka grumbulluar 5 pikë, duke u renditur në vend të 4-t, një pozitë e pafavorshme për objektivin e ngjitjes në Superiore.elvis plori

Trajneri Elvis Plori, në prononcimin për “Panorama Sport” për këtë ndeshje, ka theksuar: “Ndalesa në shtëpi përballë Egnatias na e uli euforinë dhe e uli ekipin me ‘këmbë në tokë’ për të menduar dhe vlerësuar më seriozisht të gjithë kundërshtarët, pavarësisht renditjes apo objektivave. Ndeshja e së mërkurës për Kupë ishte edhe testi pozitiv për ekipin që tashmë është stabilizuar psikologjikisht për të menduar për të ardhmen. Jemi plotësisht të gatshëm për sfidën e nesërme (të sotme) ndaj Veleçikut.

Çdo ekip synon të fitojë kur del në fushë, ndaj duhet ta vlerësojmë maksimalisht. Skuadra është gati nga të gjitha pikëpamjet, pjesën dërmuese të futbollistëve i kam në dispozicion, janë rehabilituar disa që kishin disa dëmtime të lehta. Kampionati është në hapat e parë të tij, ndaj nuk duhet të ligështohemi apo entuziazmohemi për renditjen momentale në tabelë. Kampionati është i gjatë, kërkon punë e përqendrim maksimal dhe ne duhet të luftojmë që të grumbullojmë sa më shumë pikë e të garantojmë në fund kreun. Ky është objektivi ynë final. Thirrja e përjavshme në adresë të tifozërisë është në fuqi të përjetshme, ndaj mbështetja e tyre është edhe suksesi ynë”. Pas atij barazimi me Egnatian, lezhjanëve nuk u falet më asnjë hap fals në fushën e tyre.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"